Google ADS

Ismail Kadare sot mbush 81 vjet , ja si e përshkruan datëlindjen e tij

14:50 | 28 Janar 2017
M. A.

Kur në letra të ndryshme (anketa, kërkesë për vizë etj.) shënoj datën e lindjes, 28 janar 1936, vetëtimthi më shkon nëpër mend fjala “e mërkurë”. Ti ke lindur të mërkurën, më thoshte shpesh im atë, thua se kjo kishte një rëndësi më vete.

Ja si e përshkruan Kadare në librin “Ftesë në studio” këtë ditë:

Kur në letra të ndryshme (anketa, kërkesë për vizë etj.) shënoj datën e lindjes, 28 janar 1936, vetëtimthi më shkon nëpër mend fjala “e mërkurë”. Ti ke lindur të mërkurën, më thoshte shpesh im atë, thua se kjo kishte një rëndësi më vete. Kur ishte në qejf, çka ndodhte rrallë, shtonte se atë të mërkurë, usta Vasili, që e kishim fqinj dhe që na riparonte pullazin e pjesës perëndimore të shtëpisë, porsa e kishte lënë punën për të ngrënë drekë, dhe, ndërsa zbriste nga shkalla, e kishte uruar babanë: me një djalë! Disa minuta më pas, në dhomën e dimrit, që ndodhej pikërisht në atë pjesë të shtëpisë, pullazi i së cilës riparohej, linda unë. Ndonëse nuk e shpjegonte, kuptohej që babai i jepte një kuptim të jashtëzakonshëm urimit të mjeshtrit, që ishte duke vendosur pllakat e gurta, krejt si një mburojë sipër meje, në kohën që unë vija në jetë.

Im atë ishte i gjatë, i drejtë, fliste pak dhe, përgjithësisht, rrinte i zymtë. Vjen i ftohtë, i thoshin gjyshes shoqet për të, dhe me bisht të syrit vështronin nga unë, thua se donin të kuptonin a do t’i ngjaja. Kishte punuar disa vjet në Afrikën Veriore dhe ishte ndoshta kjo arsyeja që më kishte thënë disa herë se viset më të bukura në botë duhej të ishin vendet skandinave. Nuk kishte qenë kurrë atje, por i lodhur, siç duket, nga zhegu i shkretëtirës, nuk ëndërronte veç vise të ftohta. Kishte qenë, ndoshta, kjo arsyeja që pas kthimit nga Afrika kishte pranuar të punonte vite me radhë si ftues gjyqi në Alpet e Shqipërisë Veriore. Gjyshin nuk e mbante mend askush në Gjirokastër. Kishte vdekur fare i ri, njëzet e pesë ose njëzet e tetë vjeç, fill pas martesës dhe pas mbarimit të studimeve të larta në Stamboll. Atje dhe u varros, pa u kthyer dot në qytetin e lindjes. Në shtëpinë tonë flitej përherë për një kësoll të madh në Stamboll, kësollin e gjyshit, dhe qysh herët në ndërgjegjen time fjala “Stamboll” shoqërohej gjithmo-në nga një ceremoni funebre.

Ndryshe nga gjyshi, që i ngjasonte një fantazme, stërgjyshi kishte qenë për mua më i prekshëm. Kur në moshën dymbëdhjetëvjeçare botova vjershat e para, nisa të dëgjoj përherë e më shpesh komentet e shoqeve të gjyshes: do të bëhet i dëgjuar si Ismail Kadareja. Kështu quhej stërgjyshi im, i cili paskësh qenë i dëgjuar në Gjirokastër për… kalcunjat (lloj çorapesh) e bukura që mbante. Me fjalë të tjera, për ndjekjen e modës. Paskëshin qenë kaq të bukura kalcunjat e tij, saqë në një këngë të njohur gjirokastrite, ku këngëtari rendiste gjërat që mund ta bënin të lumtur një njeri, krahas “sarajeve të vezirit”, “kopshtit të Çelo Kailit”, “nuseve të Dane Bakirit” dhe “zërit të bilbilit”, ishin dhe “kalcunjat e Ismailit”. Kështu që më pëlqente ose jo, ideja e famës iu shfaq së pari ndërgjegjes sime në formë çorapesh të bukura. Në vitet studenteske, sidomos në ato të Moskës, kur pasioni për letërsinë m’u zbeh ca kohë, për shkak të ndjekjes së modës, disa herë më janë kujtuar, bashkë me fjalët: “ka për t’u bërë i dëgjuar si Ismail Kadareja”, kalcunjat e stërgjyshit. Me sa dukej, fama u mëdysh në fisin tonë midis sqimës në të veshur dhe letrave, dhe turbullira ime moskovite s’qe veç një shenjë e fundit që më dërgonte im stërgjysh për të më mbushur mendjen se lavdia më e sigurt ishte ajo e tij. Në “Kronikë në gur” e kam përshkruar hollësisht shtëpinë e lindjes ose, më saktë, pjesën e saj veriore ku ne banonim. Hynte në ato lloj shtëpish të Gjirokastrës që, ashtu si njeriu, që një pjesë të trupit e ka të gjymtë, edhe ato, një pjesë e kishin të rrëzuar. Kjo ishte ana jugore e saj. Kështu e mbaja mend gjithmonë: ca mure mbi një urë që shërbente si kalim për në lagjen e të krishterëve, pastaj vinte një pjesë e braktisur, ngaqë s’qe e sigurt për të jetuar, pastaj pjesa ku banonte një tjetër Kadare dhe, së fundi, ana jonë.

Kur isha i vogël më dukej e natyrshme që shtëpitë të nisnin kështu: nga ca mbeturina muresh, me ca shkurre mbi to, me fjalë të tjera, nga hiçi. Pastaj dalëngadalë muret ngrinin kokën, gjithçka mblidhej e tendosej gjer te pjesa e braktisur, por që ende ishte e frikshme. Më tutje niste shtëpia e vërtetë, që sa vinte forcohej e përkryhej, gjersa mbërrinte në skajin tonë verior. Isha i bindur se ajo qe pjesa më e përsosur e krejt ngrehinës, jo vetëm se ishte më larg rrezikut, dhe jo aq për dhomat plot dritë të katit të tretë, sesa për pjesën nëntokësore të saj. Ajo ishte, në të vërtetë, krenaria ime, tmerri dhe gëzimi im. Përbëhej nga dy kubé që lidheshin me njëra-tjetrën, e madhja dhe e vogla, por që në ndërgjegjen time shtresoheshin si “zonja e madhe” dhe “zonja e vogël”. Por kurora e pjesës nëntokësore ishte sterna e madhe e ujit: Hadesi i shtëpisë sonë. Kur kam thënë andej-këndej se dy kubetë dhe sidomos sterna e ujit, më shumë ndoshta se biblioteka e qytetit, më kanë pjellë mua si shkrimtar, kjo, edhe duke mos qenë krejt e saktë, ka një të vërtetë të madhe.

Që nga humbella ku ishte, sterna e trazonte përfytyrimin tim më fort se gjërat e dukshme. Kjo vinte ndoshta ngaqë ajo, ndonëse e zhytur në nëntokë, jepte e merrte me qiellin më shumë se gjithçka tjetër. Ajo mbushej nga shiu, pra nga qielli, kështu që qysh herët ajo i dha trurit tim një përmasë trizonëshe të botës: qiellin, nëntokën dhe ndërprerjen e herëpashershme midis tyre. Kjo ndërprerje ndodhte te qyngji bashkues, të cilin, në raste shirash të mëdha, babai e shkëpuste, për të shmangur mbimbushjen e sternës. Soditja e ujit mbi çatinë e çmendur e të pjerrët përpara se të mbyllej në atë burg, dëgjimi i zhurmës së tij, vetëtimat që e braktisnin, në prag të fatkeqësisë, shfytyrimi i tij atje thellë, gjëmimi i mbytur, përpjekja për të shpërthyer sternën, së fundi, dalja si prej burgut, por i skllavëruar tashmë, i vënë në kova për të larë në mënyrë të turpshme dyshemetë dhe enët, të gjitha këto jepnin në mendjen time në një pikëshikim, si të thuash ujor (çka pritej prej një të linduri nën shenjën e Akuariumit), një pjesë të dramës së njerëzimit.

Nganjëherë, kur me anë të një pasqyre të vogël i dërgoja pakëz dritë, për të zbuluar diçka nga misteri i saj, s’bëja gjë tjetër veç: I jepja qiell, merrja prej saj skëterrë. Por ndoshta më shumë se ajo për qiellin tim, isha unë që kisha nevojë për ferrin e saj. Ndonëse kur isha i vogël rrënimi në pjesën jugore të shtëpisë më dukej aq larg, me kalimin e viteve, ai iu afrua pjesës sonë. Tani shtëpia është ende në këmbë, por e dëmtuar. Duke qenë qytet-muze, me dhjetëra janë ngrehinat që riparohen çdo vit. Ato janë banesa karakteristike ose shtëpi ku kanë banuar njerëz të shquar të qytetit: dijetarë, dëshmorë ose funksionarë të rëndësishëm në shërbim të shtetit. Për të penguar rrënimin, në kërkim të një përligjjeje, kam menduar të përdor emrin e emnakut tim të largët, stërgjyshit. E kam ende në shtëpi një kërkesë për Komitetin Ekzekutiv të Qytetit, ku shkruaj se “meqenëse stërgjyshi im, Ismail Kadare, është i përmendur në baladat popullore si një njeri që vishej me shije sipas traditës, duke dëshmuar kështu kulturën e lashtë të kombit tonë, autoktoninë e shqiptarëve si pasardhës të ilirëve etj., etj., ndoshta shihet e arsyeshme prej jush që shtëpia e Kadarenjve, një nga më të vjetrat e qytetit, të hyjë në numrin e ngrehinave që mirëmbahen nga shteti”.

Nuk e dërgova kërkesën, jo se doja të shmangia një konkurrim të ri midis meje dhe sqimatarit, stërgjyshit tim, konkurrim për të cilin isha i sigurt se ai do ta fitonte, por ngaqë më dukej se kujtimi i tij do të fyhej, kur të çmohej prej burokratësh që s’dinin, veç të tjerash, as të visheshin. Me idenë e vdekjes njeriu njihej herët në Gjirokastër, për shkak të zive të gjata që mbaheshin. Pothuajse çdo shtëpi kishte orën e vajit, kur kujtoheshin të ikurit. Ngjyra e zezë dhe lulet e kanë shoqëruar këtë ide në mendjen time qysh në kohën që kuptova se njerëzit në këtë botë ishin të përkohshëm. Por lulet, ndonëse qenë të rralla në këtë qytet, qenë zotëruese kur flitej për vdekjen. Kjo vinte, me sa dukej, ngaqë varreza e qytetit thirrej “Vasilikua”, për shkak të borzilokut. Eh, siç duket, jam nisur për Vasilikua, thoshin plakat midis dy psherëti-mave. Kur të vete në Vasilikua. Mos u mërzit, se do vete në Vasili-kua. Do të shihemi në Vasilikua. Ishin fraza aq të zakonshme në jetën e përditshme, saqë, në fëmininë e hershme unë kujtoja se një pjesë e njerëzve shkonin vetë atje, me këmbët e tyre dhe pastaj se si ndodhte që mbeteshin midis luleve e s’ktheheshin më. Më pas kuptova se, ndonëse ashtu thoshin, askush nuk shkonte me këmbët e veta, por i çonin të tjerët. Nganjëherë, në arkivol u vinin edhe dylbitë, dhe mua më dukej se që nga varret ata vështronin tani me dylbi qytetin, ashtu si të gjallët vështronin varrezën. Nganjëherë, kur në hapësirë kishte farfurima drite, më dukej se ato përthyerje s’ishin veç kryqëzimet e vështrimeve të të dyja palëve.

Kur isha katërmbëdhjetë-pesëmbëdhjetë vjeç, më dukej mosha mbi njëzet vjeç tepër e mërzitshme. Vetë fjala “njëzet” më ngjante se ishte ngjizur me mërzi dhe fillim pleqërie. Kur isha njëzet e dy-njëzet e katër vjeç, ndonëse shqyhesha gazit me marrëzinë e parë, isha i bindur se, sidoqoftë, koha më e mirë për një shkrimtar për të vdekur ishte aty nga tridhjetë e një-tridhjetë e dy vjeç. Kur e mbërrita këtë kohë, ideja ime për moshën pësoi një trandje njëherë e përgjithmonë. Ishte pak a shumë në atë kohë që e ndjeva së pari se shkrimtari ka dy jetë krijuese, një të gjatë e monotone e një tjetër të shkurtër si shkreptima. Që shkrimtari është, gjithashtu, dymoshës (mosha fizike e tij dhe mosha e famës ose, së paku, e kujtimit të tij, qoftë edhe me një famë gjysmë të shuar), këtë e dija qyshkur. Ajo që zbulova ishte tjetër gjë dhe pikërisht që kjo dymoshësi ose, më saktë, mosha e tij e dytë, ajo e madhja, është dhe një nga shkaqet e keqkuptimeve midis shkrimtarit dhe kohës së vet. Keqkuptimet janë të pashmangshme, po të kujtojmë se kur një njëzetvjeçar e ka vështirë të merret vesh me një tetëdhjetëvjeçar, si do ta ketë të lehtë të kuptohet me një tetëqindvjeçar (që është mosha mesatare për shkrimtarin e shquar) e aq më shumë me një dymijëvjeçar (moshë mesatare e të mëdhenjve)? E keqja është se qysh se është gjallë (domethënë në moshën e tij të parë), shkrimtari e ndien moshën e dytë. Ai ndien peshën e saj, lumturinë, trishtimet dhe gjithçka tjetër të saj, që, duke qenë të përmasave të tjera, ngjajnë të mbikësojetshme.

Ai është dyzet vjeç, por një zë i brendshëm i thotë: në të vërtetë, ti je ende dy vjeç, kështu që sipas kalendarit tjetër, atij të dytit, ti ke ende një mijë e katërqind vjet për të jetuar. Por në moshën e dytë të shkrimtarit kalendari mund të ecë mbrapsht, domethënë shkrimtari, me kalimin e viteve, në vend të plaket, mund të rinohet edhe më. Të gjitha këto sjellin në jetën e shkrimtarit një tjetër ajër e tjetër klimë nga të tjera zona. Që e gjithë kjo të shëmbëllehet me punët hyjnore, çka edhe shpesh është bërë, gjithashtu është e kuptueshme. Më shumë se një vetëmburrje e shkrimtarëve, ky hyjnizim i punës së tij ka ardhur nga vështirësia për të shpjeguar të fshehtën e dy kalendarëve. Shkrimtari, do ose nuk do, është detyrimisht një tjetër. Shqisa e dëgjimit të tij ka tjetër ndërtim, kështu që kur ajo shqisë kap më mirë fëshfërimën e barit, sesa zhurmën e një lufte që ndodh pak më tej, nuk duhet qortuar para kohe. Pas një mijë vjetësh (e ai është gjithmonë i gjallë e përgjigjet për të), ajo fëshfërimë bari mund të jetë më e fuqishme, më e kuptimshme, dhe mund të ketë arsyen e të qenit më të fortë se katastrofa që ndodhi aty pranë. E njëjta gjë mund të thuhet për sytë e shkrimtarit, që herë janë më tejshikues se thjerrëzat e Galileut e dallojnë tmerre e mrekullira, që asnjë sy njerëzor s’i ka parë, e herë janë më të verbër se vështrimi i rapsodëve. Por shpesh qëllon që njerëzit rrotull shkrimtarit nuk duan të dinë për këto. Ata nervozohen, përpiqen t’i mbushin mendjen shkrimtarit se ai është si ata, se ka të njëjtët veshë, të njëjtët sy e, pa dyshim, të njëjtin tru. Ti je si ne, ulërin turma, kot përpiqesh të hiqesh si fantazmë, ndaj eja midis nesh, ulu, përulu!

Por shkrimtari, pavarësisht nga nervozizmi i turmës, është i vetëdijshëm se i përket një tjetër race. Ndaj, me mospërfillje dëgjon thirrjet, zhurmën, kërkesat dhe marrëzinë e saj. Të gjithë kërkojnë prej tij të pamundurën. Koha i parashtron kërkesat e saj. Kombi lyp tjetër gjë. Gjysma e kombit matanë kufijve, tjetër. Viti 1999, të tjera. E kështu me radhë: brezat pas vitit 2200, një luftë e mundimshme e ardhshme dhe fatale, një tërmet, një provë e fundit. Ata ia kërkojnë të gjitha këto, duke i ofruar atij sharje ose kurorë, dëshirojnë ta bëjnë hero, martir, skllav ose president të shtetit. Dhe kur ai bën “jo” me kokë, zemërohen më keq. Është shumë i lodhur për t’u shpjeguar se për një njëmijepesë-qindvjeçar të gjitha këto janë qesharake. T’u shpjegojë se barra e letërsisë ka qenë tepër e rëndë dhe plotësisht e mjaftë për ta kërrusur përgjithmonë. T’u thotë se shi për këtë e për asgjë tjetër kishte ardhur në këtë botë: të ruante tempullin.

Ndaj për atë tempull ai është gati të mos i bindet askujt. Zhurmës së tyre së shumti nuk i përgjigjet, por kur qëllon që ata kapërcejnë çdo kufi, si murgjit e dikurshëm që përballë sulmit të satanait nxirrnin kryqin, ai nxjerr kalendarin e tij të dytë. Në kalendarin e dytë ka tjetër qiell dhe të tjera stinë. Edhe brenga dhe lodhja, atje janë të tjetër përmase. Ndërrohet ujët në det e ti duhet të jesh po ai. Ndryshken thonjtë e tigrave, verbohen shqiponjat, dhe ti prapë je po ai. Një mërzi prej Agasferi të kap dhe ndoshta vjen një ditë që edhe ti si ai t’i lutesh Zotit të të japë pushimin. E nëse mëkati i të shkruarit gjykohet më i madh se ai i Agasferit, prapëseprapë edhe për të do të ketë një afat, sepse edhe ti, si gjithë bota, ke nevojë një ditë të pushosh… Vizita në studio është në fundin e saj. I zoti i shtëpisë donte të tregonte, midis të tjerash, një copë hekur që gjendej midis rrangallave të tjera në bodrumin më të thellë të shtëpisë së lindjes, atë që quhej “hapsanë”. Thuhej se ajo masë hekuri në formë gjyleje kishte rënë nga qielli. E ka kërkuar më pas dhe nuk e ka gjetur, madje do të besonte se ishte krijim i fantazisë së tij, nga ato lindje paradoksale që ndodhin sipas kalendarit të dytë. Mirëpo të gjithë njerëzit e shtëpisë dëshmonin se e kishin parë atë hekur.

Mendja atëherë i ka shkuar se mos ndoshta kjo ka qenë pjellë e përbashkët e fantazisë së fisit, qysh se njohja (fama) dërgoi shenjat e saj të para në këtë shtëpi, s’kishte rëndësi nëse ishin në formë çorapesh të bukura ose librash, që njëfarë Ismail Kadare do t’i vishte në vitin 1890, ose do t’i shkruante më 1990-n. Kështu, pra, vizita në studio, e cila mund të quhej edhe ftesë në një seancë kryqëzimi, po merr fund. I zoti i studios beson se ka folur mjaft, por, me sa duket, jo aq sa muza ta ndëshkonte duke ia marrë gojën, siç bëri zana me malësorin e dikurshëm. Kjo do të thotë se nuk e ka shkelur paktin dhe se të fshehtat e thella, të fshehtat e tij të thella me të, nuk i ka zbuluar. Ndoshta vizitorët mund të jenë jo fort të kënaqur. Kureshtja e tyre ndoshta mund të mos jetë plotësuar dhe, veç kësaj, në kokë mund të kenë një marramendje të lehtë, thua se në kafet e tyre është hedhur pak opium. S’ka asgjë për t’u çuditur, sepse çdo gjë mund të ndodhë në studion e shkrimtarit. Tiranë, pranverë 1990.

(Marrë nga libri i Kadaresë “Ftesë në studio”, Onufri, Tiranë, 2000) / KultPlus/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme