Nazlije Gërguri është nga fshati Studime e Vushtrrisë.Para shtatë vitesh kjo grua themeloi një organizatë,e cila merret me prodhimin dhe përpunimin e pemëve dhe perimeve.
Organizatën në të cilën gjatë sezonës së verës punojnë dhjetë gra Nazlia e ka emëruar “Gratë Ndërrmarrëse të Studimes”.
Prodhimet e organizatës gjatë sezonës Nazlija i shet kryesisht nëpër panaire të prodhimeve vendore që mbahen në disa vende të Kosovës.
Sigurimi i tregut, importi i produkteve nga vendet e tjera, mungesa e përvojës, mungesa e marketingut, qasja e kufizuar në këshilla profesionale, paragjykimet nga shoqëria janë vetëm disa prej sfidave me të cilat përballet Nazlija por edhe koleget e saj që merren me këtë biznes.
“Zakonisht si çdo ndërmarrje ka probleme të cilat has gjate rrugëtimit të saj edhe biznesi im ka disa sfida, të cilat vlen të ceken, disa nga to janë sigurimi i tregut të shitjes, është tejet i vështirë. Po ashtu edhe importi i produkteve të ngjashme si të ndërmarrjes sonë nga vendet e tjera të perëndimit është mjaft problem për biznesin tonë , sepse çmimi i produkteve tona bie nën nivelin e prodhimit, prandaj na shfaqen probleme në tregun e shitjes dhe kapacitetin për prodhim nuk mund ta rrisim asnjëherë”, tregon Nazlija.
Të gjitha produktet e tyre, këto gra i shesin në panaire të cilat mbahen për prodhime vendore. Po ashtu, këto kanë arritur të sigurojnë një tendë në tregun mobil që organizohet në Prishtinë.
Në organizatën “Gratë Ndërmarrëse të Studimes”, të gjitha produktet e tyre realizohen në mënyrë tradicionale, pa ndonjë makineri të avancuar.
70 fermere gra në komunën e Gjakovës
Në anën tjetër, Kooperativa Bujqësore “Gratë Fermere Duart e Dardanes” është themeluar në vitin 2012 nga Shoqata e Grave Medica Gjakova ne bashkëpunim me gratë fermere që janë edhe sot pjesë e kooperativës. Kjo kooperativë merret me veprimtari bujqësore, ku gratë fermere dërgojnë në dyqan të gjitha produktet bujqësore, pemë, perime bylmet e duke vazhduar deri tek përpunimi i këtyre.
Kooperativa Bujqësore “Gratë Fermere Duart e Dardanes” ka të anëtarësuar 70 gra fermere nga 18 fshatra të ndryshëm të Gjakovës.
Menaxherja e kësaj kooperativës Bujqësore “Gratë Fermere Duart e dardanes”, Vjosa Meqa, tha për KosovaPress se në mënyrë që kooperativa të zë vend në treg mbështetet në forma të ndryshme nga Medica Gjakova dhe Medica Mondiale dhe se edhe importi i produkteve të ngjashme bën që kjo kooperativë të ndjejë konkurrencën e tregut.
“Kooperativa në mënyrë që të fuqizohet dhe të zë vendin e saj në treg mbështetet në forma të ndryshme nga Medica Gjakova dhe Medica Mondiale. Interesimi për të konsumuar produkte vendore sa vjen e shtohet, por prapë se prapë kemi gjithmonë konkurrencë në tregun ku operojmë”, tha ajo.
Gratë e kësaj kooperative prodhimet e tyre i dërgojnë në dyqanin i cili është në Gjakovë, prej nga bëhet edhe shitja e tyre. Po ashtu, prodhimet e këtyre grave ekspozohen dhe shiten edhe në panaire për prodhime vendore.
“Ne dyqanin tone shiten llojllojshmëri e produkteve, nga bylmeti kemi lloje te ndryshme te përpunimit të qumështit në produkte si : djathë, kos, gjizë, ajkë, pemë dhe perime. Kultivimin, përpunimin e perimeve konservimin e tyre, grumbullimin e vezëve si dhe prodhimeve të tjera bujqësore nga gratë fermere. Mjaltë, arra dhe reçel të llojeve të ndryshme”, tha ajo.
Duke u përballur me këto sfida, këto gra që merren me bujqësi, përmes shitjes së produkteve të tyre arrijnë të gjenerojnë të ardhura dhe në këtë mënyrë edhe fuqizohen ekonomikisht.
Edhe sipas Vjosës, gratë fermere duke shitur produktet e tyre arrijnë që të jenë të pavarura ekonomikisht.
“Nga shitja e këtyre produkteve gratë gjenerojnë të ardhura për familjet e tyre. Pra fuqizohen ekonomikisht”, tha ajo.
Drejtoresha Ekzekutive e “Gratë në Biznes”, Hamide Latifi, tha se krijimi i tregut dhe përshtatja e vazhdueshme me kërkesat e tij mbetet një sfidë e vazhdueshme për gratë ndërmarrëse.
“Krijimi i tregut dhe përshtatja e vazhdueshme me kërkesat e tij mbetet një sfidë e vazhdueshme për të gjithë prodhuesit përfshirë këtu edhe gratë fermere. Tregu në vazhdimësi është i ndryshueshëm dhe kërkesat e konsumatorëve rriten gjithnjë dhe më shumë, prandaj konsideroj se përshtatja me kërkesat e tregut dhe pranimi i tyre duhet të shihet si një mundësi e mirë për të fituar dhe për të krijuar një identitet të qartë në treg”, tha Latifi për KosovaPress.
Ndër sfida të tjera me të cilat gratë të cilat dëshirojnë të hyjnë në botën e ndërmarrësisë, sipas Hamides janë edhe mungesa ose mosekzistimi i marketingut.
“Shumë gra të Kosovës janë futur në fushën e biznesit, të ndërmarrësisë pa ndonjë përvojë paraprake. Sa u përket konkretisht grave fermere, mendoj se njëra nga sfidat e shumta është edhe cilësia e ulet e inputeve bujqësore të cilat kryesisht vijnë nga importi – përfshirë farat, plehrat, pesticidet, etj. Ky është një nga faktorët që dëmton shumë rëndë fermeret sepse ato qe ne fillim humbin sasi të konsiderueshme prodhimi. Aplikimi i masave të rrepta të kontrollit të inputeve bujqësore është i domosdoshëm. Mund të përmendim gjithashtu sistemet e dobëta ose mosegzistente të marketingut, qasjen e kufizuar në këshilla profesionale në sektorin e bujqësisë, të cilat do të ndihmonin ato të rrisin prodhimin dhe të ardhurat si dhe aplikimin e pakët të standardeve dhe certifikimeve të produkteve të tyre, gjë e cila rrit në mënyrë të drejtpërdrejtë vlerën e produktit dhe besi min në të”, tha ajo.
Gratë në Biznes, në rrjetin e tyre kanë anëtarë që vijnë nga sektorë të ndryshëm por gati gjysma e anëtarëve vijnë nga sektori i bujqësisë dhe përpunimit të ushqimit. Sipas Hamides ndërtimi i bashkëpunimit ndërmjet anëtarëve të rrjetit dhe jo vetëm, ka dëshmuar se është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e suksesshëm të ndërmarrësisë së grave qoftë në bujqësi apo sektorë të tjerë. Prandaj, sipas saj, Gratë në Biznes kanë stimuluar dhe fuqizuar bashkëpunimin dhe rrjetëzimin e grave, pra edhe të grave fermere, në kuadër të rrjetit, me akteret e tjerë të tregut në vend, në rajon dhe më gjerë.
Fermerët francezë në protesta mbi marrëveshjen tregtare BE-M...
Kurti: Nga 1 janari do të kemi pikëkalime të përbashkëta kuf...
Mickoski: Bashkëpunimi ekonomik do të jetë mbi gjysmë miliar...
Takimi ndërqeveritar, Kurti: Partnerë të lidhur jo veç prej ...
Amorimi sot mban seancën e parë stërvitore me Unitedin
Vendimi i Biden për raketat/ Kremlini: SHBA po i hedh benzin...