MKRS-ja investon 1 milion e 200 mijë euro për qendrat kulturore në Suharekë dhe Vushtrri

13:46 | 19 Janar 2017
Arbresh.info

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sot ka nënshkruar dy memorandume të bashkëpunimit, me Komunën e Suharekës dhe të Vushtrrisë.

Memorandumi ndërmjet MKRS-së dhe Komunës së Suharekës është nënshkruar për “Ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës Ukë Bytyqi në Suharekë”, dhe është në vlerë financiare prej 950 mijë euro.

Siç njofton kumtesa nga MKRS-ja ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, u shpreh se investimet që po bëhen në qendrat e kulturës nëpër shumë komuna të Kosovës, duke ndërtuar objekte të reja apo duke rinovuar ato ekzistuese, janë synim politik për të përmirësuar infrastrukturën kulturore në Kosovë, me qëllim të krijimit të kushteve më të volitshme dhe bashkëkohore, për zhvillimin e aktiviteteve kulturore nëpër komunat e Kosovës, dhe shtoi se këto investime do të vazhdojnë edhe nëpër komuna tjera.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj, e falënderoi ministrin Shala për bashkëpunimin e frytshëm në shumë fusha, dhe sidomos tani për këtë investim kapital në Suharekë, me çka, kjo komunë do të bëhet me shtëpi moderne të kulturës.

Ndërkaq, memorandumi ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komunës së Vushtrrisë, u nënshkrua me qëllim të mbështetjes financiare për projektin “Qendra e Kulturës Hasan Prishtina në Vushtrri”, me vlerë financiare prej 250 mijë euro.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme