Ndërhyrja e Serbisë në sistemin energjetik i shkakton Kosovës mbi 100 milionë euro humbje

13:35 | 6 Janar 2017
Arbresh.info

Vlera e dëmeve financiare nga ndërhyrjet e Serbisë në sistemin energjetik të Kosovës përllogaritet të jetë rreth 6 milionë brenda një viti, ndërsa dëmi që nga paslufta kap shumën mbi 100 milionë euro.

Dëmet dalin të jenë shumë më të mëdha nëse llogaritet pengesa që po bëhet nga Serbia në funksionimin e linjës 400 kilovat me Shqipërinë.

Këto i ka bërë të ditura për KosovaPress, kryeshefi ekzekutiv i KOSTT, Mustafë Hasani.

Ndërsa përfaqësues të pozitës pranojnë se të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, nuk po zbatohen nga kjo e fundit.

Kosova edhe në vitin 2016, vazhdoi të shënojë humbje nga ndërhyrjet e Serbisë në sistemin energjetik . Zbatimi i marrëveshjes në mes të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit,(ENTSO-E), nuk arriti të jetësohet.

 

“Në bazë të kalkulimeve që ne i kemi, diku brenda vitit sillen prej 4 deri në 6 milion euro , humbje vjetore , për shkak të alokimit të kapaciteteve, të cilat Serbia po i shfrytëzon , vetëm për shkak se ka të drejtën ende të mbajtjes së alokimit të kapaciteteve . Me fillimin e marrëveshjes këto të hyra i vijnë KOSTT-it . Problemi tjetër është i humbjes në funksion të linjës 400 kilovat që e kemi me Shqipërinë…Ne dëshirojmë që ta zgjedhim problemin para se linja të hy në funksion me kusht që rrjedha e energjisë , alokimi dhe koncesioni i energjisë të jetë e hyrë që është e KOSTT-it me plotë të drejtë. “, tha Hasani.

Por Hasani, shpreson, që kjo çështje të zgjidhet në mbledhjen e asamblesë së ENTSO, që do të mbahet në muajin shkurt, apo edhe në fund të këtij viti të gjendet një zgjidhje.

 

“Ajo që mund të konsiderohet pozitive nga takimi është ENTSO, e cila ka dal me qëndrim të prerë , nuk ka më çështje të “status ques” çfarë e kemi momentale. Duhet me zhbllokua gjendjen …. ENTSO-E është e qartë se KOSTT-i duhet me filluar me implementim marrëveshjen …Në qoftë se këtë nuk e bënë Serbia , EMS nuk e pranon këtë propozim që e kemi pasur të datës 25 nëntor, atëherë asambleja e ENTSO-E që do të mbahet me 21 shkurt vendos. Po shpresojmë edhe njëanshëm se KOSTT duhet me fillua me vepruar si i pavarur…. Në takimin e këshillit të ministrave të Ballkanit në Sarajevë një prej konkluzave që ka dal me vota anonime të gjithë vendeve anëtare është konstatuar se Serbia po bënë shkelje të traktatit të energjisë dhe i është dhënë kohë në një mënyrë që deri më 31 dhjetorë ta zgjidh këtë problem “, tha Hasani.

Ndërsa, anëtari i Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Besim Beqaj, thotë se nuk është vetëm ky problem që Serbia po i shkakton Kosovës , në raport me marrëveshjet që janë arritur . Sipas tij për të gjitha marrëveshjeve arritura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë nga kjo e fundit nuk zbatohen.

 

“Nuk mund të them për detajet e marrëveshjes sepse nuk kamë qenë pjesë e tyre. Por dua të themi që implementimi I tyre është duke ngecur me shumë gjëra. Nëse flasim për 400 kolovatshin dhe marrëveshjen që realisht Kosova do të duhej të jetë pjesë e ENTSO-E… ku parimisht Kosova është e pranuar, mirëpo është e pranuar me kusht dhe ky kushte është që të ketë regjistrim të operatorit në veri i cili do të bënte një pjesë të shërbimeve për atë pjesë. Siç e dini kjo ka ngecur , nuk është duke u zbatuar. Problemet janë prej natyrës teknike deri tek ato politke. Pala serbe nuk është duke e bërë regjistrimin e saj dhe kjo realisht ka pa mundësuar edhe funksionalizimin e linjës 400 kolovateshe e cili do ta lidhte Kosovën me Shqipërinë. “, tha Beqaj.

Ndërsa, Shaip Muja, deputet i Kuvendit të Kosovës, tha se Serbia çdo herë përdorë mekanizma dëmtues për Kosovën.

Megjithatë ai beson që Serbia nuk do të ketë rrugë të tjera përveçse ti pranoj këto procese të cilat Kosova duhet të jetë anëtare e plotë në çdo institucion.

 

“Serbia është duke i përdorur çdo herë mekanizmat e vetë dëmtues dhe me plan dhe proces për me e lënë Kosovën në një formë jo të zhvilluar mirë . Mirëpo megjithatë unë besoj që Serbia nuk do të ketë rrugë të tjera përveçse ti pranoj këto procese të cilat Kosova duhet të jetë anëtare e plotë në çdo institucion. Edhe transmisioni elektrik , kuptohet që Serbia është duke e bërë për një përvetësim apo thënë troç për një hajni puro që tenton që nga taksat transmisionit elektrik të mbaj dy qëllime ta mbaj të varur Kosovën energjetiket e cila është jashtë zakonisht një pjesë jetike për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe e dyta që të përfitoj ekonomikisht nga ky transmision i kontrolluar nga Serbia“, tha Muja.

Qeveria e Kosovës gjatë vitit 2016, për këtë çështje e ka njoftuar edhe BE-në, se marrëveshja për energjinë e vitit 2013 dhe Plani i Veprimit i vitit 2014, i cili parasheh që sistemi i transmisionit të energjisë së Kosovës (KOSTT) të operojë në mënyrë të pavarur në përputhje me ENTSO, mbetet i bllokuar nga Serbia.

Marrëveshja në mes të KOSTT dhe ENTSO është arritur më 1 tetor 2015, por zbatimi nuk ka mundur të fillojë për shkak të bllokadës nga ana e Serbisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme