Shkruar nga: Ilir Sefaj
Nuk do të kalojë edhe shumë kohë që kur Kosova do ta kremtojë 9-vjetorin e shtetëzimit të saj. Ndërkaq regjimit kriminal serb, Kosova i është shkëputur nga ‘duart’ tash e 18 vite. Në fakt po bëhen dy dekada kur në njërën ose në tjetrën mënyrë populli i Kosovës menaxhon me ‘fatin’ e vet.
Në këta dy dhjetëvjeçarë, ne shqiptarët, por edhe pakicat e tjera kombëtare që jetojnë në Kosovë, jemi ballafaquar me ngjarje e situata herë-herë tragjike, herë-herë komike e jo më rrallë tragjikomike.
Në këtë periudhë të “mëvetësisë” sonë, që konsiston me hyrjen e Forcave të KFOR-it në qershorin e 1999-es e deri më sot, Kosova si projekt është karakterizuar me dështime të mëdha. Fatkeqësisht bajrakun në këtë aspekt e mbanë hallka më e rëndësishme, mbase kryesore e cila ndikon në funksionalizimin e një shtetit normal, sistemi i drejtësisë. Sistemi i mbrapshtë i drejtësisë i instaluar menjëherë pas luftës në Kosovë, nga administrata e UNMIK-ut, ka vazhduar rrugëtimin e tij edhe tash ku po bëhen dy dekadat që kur vendi është jashtë juridiksionit të të ashtuquajturit shtet Jugosllav dikur, dhe serb më vonë.
Pa dashur të zgjerohemi shumë rreth mënyrës se si ka funksionuar Gjyqësori në vend karshi grupeve kriminale në të kaluarën e ‘largët’, kujtoj se është imediate t’i trajtojmë ndërmarrjet e fundit të Prokurorisë së Shtetit kundrejt “terroristëve” të Vetëvendosjes!
Në gushtin e këtij viti Kuvendi i Kosovës u sulmua me një predhë nga disa të dyshuar, ku fatmirësisht nuk pati humbje jetësh e as të lënduar. Sigurisht se rasti në fjalë u komentua shumë në qarqe vendore e ndërkombëtare, dhe kjo jo pa të drejtë. Me një akt të tillë dikush rrezikoi jetën e dikujt.
Nuk është në kompetencën time t’i jap emër e mbiemër as veprës së kryer e as autorëve të mundshëm të saj, meqë për asnjërën nga këto nuk kam njohuritë e duhura. Kjo pra është punë e “ekspertëve” që fatmirësisht vendi ynë ka me shumicë, madje para ca kohë këtë e konfirmoi edhe PISA, e cila e renditi sistemin e arsimit në Kosovë si më të dobëtin në botë. E shkuar e harruar!
Ta lëmë arsimin t’i kthehemi drejtësisë. Pra për sulmin në Kuvendin e Kosovës pati të dyshuar. Sipas Prokurorisë së shtetit ata u identifikuan dhe nuk shkoi shumë kohë edhe u arrestuan. Të dyshuarit për këtë akt “terrorist” ishin 6 aktivistë të VV-së: Atdhe Gashi, Frashër Krasniqi, Egzon Haliti, Adea Batusha, Petrit Ademi dhe Astrit Dehari i cili muaj më parë në rrethana të dyshimta humbi jetën në Burgun e Prizrenit.
Nuk dua të paragjykojë peshën dhe as kryesit e mundshëm të sulmit në Kuvend, mirëpo jemi dëshmitarë se tre nga të dyshuarit për kryerjen e veprës, që nga fillimi janë mbajtur në arrest shtëpiak anipse ishin të dyshuar për kryerjen e veprës së rëndë të ‘terrorizmit’.
Të jesh i dyshuar ose të kesh të ngritur aktakuzë për terrorizëm dhe të të shqiptohet dënimi me arrest shtëpiak, kjo mund të ndodh vetëm në Kosovë. Këtë mund ta prodhojë vetëm një prokuror dhe gjykatës analfabet dhe një sistem i dështuar i drejtësisë.
Të dyshuarve për terrorizëm të cilët në fakt paraqesin çdo sekondë rrezik për sigurinë e shtetit dhe të individit, u shqiptohet masa e arrestit shtëpiak. Kësaj i thonë nonsens.
Për sistemin e drejtësisë në Kosovë, quhet drejtësi ndalimi i hyrjes së shtetasve shqiptarë të Shqipërisë në Kosovë sikurse që është rasti me Dejona Mihalin e ndonjë tjetër dhe në të njëjtën kohë është drejtësi të emërohen policë e madje edhe komandantë policie kriminelë të dëshmuar serb.
Sistemi i drejtësisë në Kosovë është i kalbur, dhe kjo hallkë kaq e rëndësishme e shtetit e cila fatkeqësisht është totalisht jashtë funksionimit të saj, vështirë se do të jep shpresë se një ditë do të kemi gjykime të drejta dhe të paanshme. Terroristë e kriminelë hajna pulash e karamelesh, kujdes!
Shënim: Opinioni që sapo lexuat nuk shpreh qëndrimin/opinionin e Arbresh.info. Ai është një trajtimi sipas bindjeve të autorit dhe shpreh vetëm opinionin e tij rreth çështjes që trajton.
Space X lanson edhe një raketë testuese
Lautaro Martinez barazon rekordin e golave të Maradonës për ...
Çfarë pritet të ndodhë në Zvicër në vitin 2025?
“Isha shtatzënë kur u preka me tumor, humba edhe shikimin”/ ...
Anisa qan sërish, Lela i qëndron pranë
Zhduket një 36-vjeçare në Korçë, detajet e para