Aktori i serialeve me mbi 40 rrole, shqiptari që e la vendin në korrik 1990 do të kthehet për të prezantuar këtë edicion të festivalit të këngës së bashku me këngëtaren Ledina Çelo. “Jemi takuar përpara tri ditësh dhe e kemi gjetur lehtë gjuhën. Jetojmë në qytete afër njëri-tjetrit në Gjermani dhe sigurisht unë i njoh serialet ku ai ka marrë pjesë. Ndoshta tani që e njoha, do t’ia shoh me më shumë vëmendje rolet në këto telefilma” ka thënë pak ditë më parë ajo. Po kush është Kasem Hoxha? Pak kohë më parë edicioni në shqip i radios Deutshe Welle i ka kushtuar një portret këtij shqiptari që zbarkoi në Gjermani me ëndrën për tu bërë një ditë aktor…..
Ajo që ndodhi me të riun nga Tirana, nga një familje e thjeshtë punëtore është një histori e veçantë dhe shumë interesante. Pse jo edhe e pabesueshme. Një histori që nis me ngjarjet e 1990 dhe vërshimin e djemve dhe vajzave shqiptare nëpër ambsadat e huaja në Tiranë. I vendosur për të hyrë edhe vetëm, pasi shokët e tij nuk iu bashkangjitën, i riu me flokë të kuq në kafe dhe quka në fytyrë, Kasem Hoxha, në atë kohë 22 vjeç merr rrezikun me vete, duke provuar të hyjë në ambsadën gjermane. O sot o kurrë, ky shans duhet shfrytëzuar, mendonte në ato momente Kasemi. Sepse në mendjen e tij dhe të shumë bashkëmoshatarëve prej vitesh ishte pjekur mendimi se në Shqipërinë diktatoriale nuk shtyhej më. Megjithatë largimi nga Shqipëria nuk ishte i lehtë edhe për Kasemin. Ai edhe tani e kujton momentin e ndarjes, para se të hynte në ambasadë.
Një skenë nga filmi Zelle. Kasem Hoxha në rolin e Sarajevos
“Kur fillova të ndahem me njerëzit e familjes, motra ime ra pa ndjenja. Ishte një moment shumë i vështirë. Nuk dinim agjë çfarë na priste pas. Dukej si një aventurë që kishte me vete jo vetëm rrezikun personal, por edhe të të gjithë familjes. U largova nga shtëpia dhe gjithë rrugën deri tek ambasada e kam bërë duke kthyer kokën pas me mendimin se s’kam për ti parë më këto rrugë, këtë lagje, këto shtëpi… ishte një tmerr i vërtetë.”
Dëshira për t’u bërë aktor mbeti vetëm një ëndërr në Shqipëri
Kasemi bashkë me dëshirën për një jetë më të mirë, mori edhe ëndrrën e tij që i kishte lindur qysh në fëmijëri për t’u bërë aktor. Kjo ëndërr mbeti e fjetur brenda në vetvete, sepse ishte i bindur se ajo nuk do të realizohej kurrrë. Kushtet ekonomike në familje e kishin detyruar atë që të futej në punë dhe të ndihmonte financiarisht familjen:
“Në familjen time ishim shumë fëmijë dhe kushtet ekonomike ishin jo të mira. Kjo më bëri që unë të mos vazhdoj shkollën në Tiranë, por të kërkoja punë. Megjithëse punoja, pasioni për teatrin, kinemanë mbeti. Rolet i përjetoja ndryshe nga shokët e mi dhe vazhdimisht përdorja fantazinë time pas çdo filmi që diskutonim me shokët. Isha i vetëdijshëm se ëndrrën time nuk do ta realizoja kurrë. Prindët ishin punëtorë dhe nuk kishin mundësi që t’ma plotësonin këtë dëshirë”.‘
Kasem Hoxha duke kënduar në një pjesë teatrale
Jeta në Gjermani nis me mësimin e gjuhës dhe të një zanati
Fillimisht „kuqoja“ siç e thërrisnin shokët, do të merrej me mësimin e gjuhës gjermane e më pas me mësimin e një zanati për të mbijetuar në Gjermani. Ai nisi një punë si laborant në stomatologji. Një ditë krejt papritur i del përpara në periferi të qytetit, ku banonte, Ashafenburg, një tabelë ku shkruhej „shkollë për aktorë“.
Këtë moment edhe sot Kasemi do ta kujtojë me shumë emocion:
“Papritur lexova tek një ndërtesë „Shkollë për aktorë“. U habita dhe mbeta i shtangur. Menjëherë shkova drejt saj dhe trokita. Doli vetë drejtori dhe më la që të takohesha të nesërmen. Biseduam rreth katër orë. Jo vetëm për artin, por edhe për shumë gjëra të tjera. Ai më ftoi në konkurs dhe prej asaj dite mua mu dha shansi për të vazhduar shkollimin në këtë degë”.
Dhe këtu e ka nismën rruga e Kasemit për t’ u bërë aktor, një sfidë kjo përballë viteve që barte në kurriz.
Aktori Kasem Hoxha në bisedë me Dë
I vendosur dhe optimist, Kasemi krahas punës për të mbijetuar bënte me rradhë kurset e aktrimit, të cilat i paguante vetë financiarisht duke nisur nga Ashafenburgu, Frankfurti, Këlni e deri në Nju Jork në një studio të njohur aktrimi të Nju Jorkut (Actor Studio). Filluan rolet e para në teatër e më pas në filma televizivë dhe në ato të kinemasë. Kasemi kishte prekur aty ku zemra i rrihte më shumë…
Aktrimi më plotëson në tërësi, aty gjej kënaqësinë shpirtërore
“Unë ndjehem shumë i plotësuar me punën e aktrimit, sepse unë vetë jo vetëm që plotësova ëndrrën time që kishte lindur këtu e 30 vjet më parë, por edhe sepse më plotëson nga ana njerëzore. Aktrimi më jep mundësinë të shndërrohem në lloj-lloj figurash, në lloj-lloj karakteresh, dramatik, komik apo tragjik. Madje kam përjetuar edhe rolin më të keq, të përdhunuesit p.sh.. Por sigurisht të gjitha këto kërkojnë punë, 24 orë punë dhe displinë. Në art unë kam gjetur edhe qetësinë shpirtërore, kënaqësinë shiprtërore, sepse më plotëson në tërësi“.
Kasem Hoxha
Një bilanc mjaft i sukseshëm për aktorin shqiptar, që numëron tani më shumë se 40 role dhe pjesëmarrës në shumë festivale ndërkombëtare të filmit. Në festivalin e filmit në Këln konkurroi për titullin “Maska e artë“ si aktori më i mirë. Disa nga filmat, ku ai interpreton janë: Tatort-Operation Hiob, SOKO ëien/Donau, ëir müssen reden, Zelle, Ein Fall für Zëei, Alive(prodhim shqiptaro-francez) etjer. Por vetë Kasemi do të veçonte si rolin më të dashur të tij atë të Sarajevos tek filmi „Zelle“ (Qelia). Ndoshta nga që roli bën fjalë për një boshnjak, i cili ka humbur komplet familjen në luftën e Bosnjës dhe ka ardhur të kërkojë azil në Gjermani.
Roli i Sarajevos më i dashuri edhe pse më i vështirë për tu interpretuar
“Mua personalisht mu desh shumë punë për këtë rol, për të realizuar këtë personazh, sidomos nga ana emocionale. Boshnjaku gjatë gjithë kohës i rri mendja tek e kaluara, tek tragjedia e familjes. Është i dashur, fisnik dhe mjaft i guximshëm. Në Gjermani ka një shok arab, student shumë i mirë, por ka mendime terroriste. Dhe ky e shfrytëzon Sarajevon që ta fusë në rrjetet terroriste. Ky rol është vërtet i vështirë, sepse ka dy profile: të njeriut që bart me vete dhimbjen nga humbja e familjes që është dhe më i vështirë për t’ u interpretuar dhe pjesa tjetër, e atij të terroristit që është më i lehtë për t’ u interpretuar. Roli pati sukses, sepse edhe filmi korri shumë sukses, jo vetëm në kinematë gjermane dhe ato evropiane, por edhe në festivalet ndërkombëtare siç ishte ai në Montreal.
Kasemi ka fatin të luajë role neutralë, jo tipike gjermane
Kasem Hoxha
Kasem Hoxha nuk e pati të lehtë të arrinte deri këtu. Fati e ka ndihmuar që rolet i janë përshtatur edhe tipit të tij. Më e vështira mbetet gjuha, aksenti i gjermanishtes. Prandaj, thotë Kasemi për Deutsche ëelle-n, „unë ndoshta nuk do të jem kurrë një Hans, ëilhelm apo Gerhard si personazh. Rolet e mia janë gjithmonë të personazheve neutralë:
“Sigurisht që nuk është lehtë të punosh me regjisorë gjermanë. Vështirësia mbetet gjuha dhe për fat të keq gjermanët janë shumë rigorozë në këtë drejtim. Në vende të tjera si në Francë apo në Itali regjisorët janë më tolerantë. Prandaj këtu më kanë ofruar më shumë role jo tipike gjermane, neutrale, personazhe evropianë, ballkanas”.
Për kontaktet me artistë shqiptarë Kasem Hoxha do të fajësojë veten nga që e pati lënë për një kohë të gjatë jashtë vemendjes. Në vitin 2008 ai arriti të realizojë interpretimin e parë në filmin “Alive” (Gjallë) të regjisorit Artan Minarolli, me shpresë së tashmë ka ardhur koha që ai të bëhët i njohur edhe për publikun shqiptar./DW
Osmani në Prekaz: Betohemi që do ta mbrojmë çdo cep të Repub...
Rodri: Nuk dorëzohem, synimi është që pas gjashtë apo shtatë...
Bislimi e Konjufca bëjnë homazhe te Kompleksi Memorial ̶...
Barcelona merr lajme të mira, dy futbollistë të rëndësishëm ...
Merr flakë një shtëpi në Tiranë, lëndohen dy fëmijë
Izraeli dhe Hezbollahu shkëmbejnë akuza për shkelje të armëp...