Mediat dhe analistët europianë e amerikanë tentojnë ta konsiderojnë Rusinë në vazhdimësi të përsosur me Bashkimin Sovjetik dhe të shikojnë tek Presidenti padronin absolut të saj. Për hir të së vërtetës, në epokën Putin, në tri faza të ndryshme, kanë dominuar spiunë, juristë dhe diplomatë.
Botimi kohët e fundit i artikujve të shumtë, të prirur dejt analizës së profilit psikologjik të Vladimir Putinit – me bindjen se kjo gjë mund të shpjegojë politikat ruse – është rast i mirë për të paraqitur disa refleksione mbi moskuptimet kryesore kundrejt Moskës, që mbizotërojnë sot në Perëndim ndaj Moskës, në përpjekjen për të kuptuar mënyrën e të menduarit, dhe lëvizjet e ardhshme. Kjo përpjekje rezulton shumë e dobishme në prizmin e daljes së njëkohshme të disa studimeve që denoncojnë – edhe ato me tone mjaft të prera, por pjesërisht të favorshme për Kremlinin – rusofobinë galopante në mediat kryesore perëndimore. Më poshtë po rendisim karakteristikat socio-politike të Rusisë bashkëkohore, si dhe një sekuencë të të moskuptimeve lidhur me Moskën në Perëndim. Objektivi i këtij shkrimi është që të shmangen përkufizimet thjeshtësuese, si ajo që Putini është alfa dhe omega e universit rus, të cilat, ndonëse vlejnë për të komunikuar shpejt me opinione publike të mëdhenj e të hutuar, në fund, akreditojnë pseudo-teori, mbi diversitetin e pakthyeshëm dhe agresivititetin irracional të Rusisë. Gjë që pengon të kuptuarit e dëshirave reale të kësaj të fundit.
Nga rreziku i kuq, në rrezikun rus
Moskuptimi kryesor ka të bëjë me gjykimin, se sa Rusia e sotme është e “transportueshme” në periudhën sovjetike dhe sa në fakt, ajo është frut i evolucionit politik të 25 viteve të fundit. Për shkak të një serie rrethanash, si politike, ashtu edhe kulturore, është zgjedhur leximi i vijueshmërisë me të kaluarën dhe i një mbivendosjeje automatike midis logjikave të periudhës sovjetike dhe atyre të sotme. Shkak parësor i këtij sheshimi është vështirësia e perëndimorëve, për të gjetur ekspertizë të re, të formësuar në mënyrë të pavarur nga studimet mbi ish Bashkimin Sovjetik. Një mangësi që vjen prej investimeve të pakta të bëra në Perëndim, për sa u përket studimeve dhe kërkimeve mbi Rusinë e viteve Nëntëdhjetë, kur ajo pësoi një rënie të papritur të rëndësisë gjeopolitike. Një brez i ri studiuesish dhe analistësh ka “humbur”, aq sa sot u drejtohet ekspertëve të periudhës sovjetike, apo narrativave gazetareske me horizontin e ngushtë të përditshmërisë. Ata propozojnë kronika jo domosdoshmërisht të gabuara, por që kontribuojnë pak për rrokjen e asaj që është e re në Moskë, në krahasim me të kaluarën. Paragjykimet që shoqërojnë këto bindje të bëjnë të mendosh ex ante, se çdo krizë ka të përfshirë, qoftë edhe indirekt Moskën, dhe se ajo është e dyshuara e parë që e ka shkaktuar atë; ex post, që një përfshirje e Rusisë, nuk ka se si të mos e përkeqësojë kuadrin e gjërave, në vend se ta përmirësojë atë.
Për pasojë, motivet politike të mungesës së vullnetit për ta pranuar Rusinë e sotme jo në vijueshmëri me Bashkimin Sovjetik janë më pak rastësorë, më të sofistikuar dhe i përgjigjen një zgjedhjeje strategjike kundër rrymës: domethënë nevojës së sistemeve politike perëndimore për të individualizuar një armik të jashtëm, me qëllim kompaktësimin e fronteve të brendshme. Nga ky këndvështrim, Moska duket se është armiku i përsosur, për faktin se:
Me fjalë të tjera, Rusia është armiku komod, i famshmi “djalli që e njeh”, i preferueshëm ndaj kërcënimeve të tjera, si ISIS dhe terrorizmat e ndryshme, shumë më shqetësues, sepse janë të vëshirë për t’u përmbledhur dhe përcaktuar. Me kanalet e vjetra të mainstream-it antisovjetik, kalimi i komunikimit politik institucional europian dhe amerikan, nga retorika e «rrezikut të kuq» në atë të «rrezikut rus», ka qenë i shpejtë. As zgjerimi në lindje i Bashkimit Europian, i siguruar për më tepër me konsensusin dhe koordinimin e Kremlinit, nuk ka kontribuar që të zbuten tonet europiane dhe amerikane kundër Rusisë. Disa vende themeluese të Bashkimit Europian kanë kaluar në një kohë të shkurtër nga bindja se anëtarët e rinj (Polonia dhe vendet balltike në radhë të parë) do të sillnin ekspertizë më të madhe lidhur me kontinentin rus falë afërsisë historike të tyre, tek vetëdija se në realitet, ato kanë kontribuar në ekstremizimin e pozicioneve europiane. Të djegura dhe të obsesionuara nga periudha sovjetike, këto vende kanë kërkuar përplasjen me Moskën, duke provokuar reagimin e saj të natyrshëm, dhe që më pas e kanë shpalosur si provë të rrezikshmërisë së saj, përpara syve të habitur të anëtarëve të vjetër të Bashkimit Europian. Gjë që ka ashpërsuar pozicionet rusofobe.
Parë në këtë këndvështrim, nuk habit aspak fakti që, me Lindjen e Mesme në flakë, NATO-ja, në korrik të këtij viti, ka gjykuar më të rëndësishëm diskutimin mbi bazat që duhen hapur dhe ushtarët që duhen dislokuar në vendet balltike; nuk habit as që Merkeli, në mesin e një krize të paprecedentë imigrantësh, gjen më të rëndësishme që t’i ftojë bashkëqytetarët e saj të mbledhin rezerva ushqimore, për një rast, ndër të tjerash, të një përplasjeje ushtarake me Rusinë. Dhe aq më pak habit fakti që në një sondazh të kryer në vitin 2015, pjesa më e madhe e të anketuarve në Londër e konsideron Moskën rrezik më të madh për Mbretërinë e Bashkuar, sesa luftëtarët e huaj të diplomuar në kolegjet angleze, dhe që më pas i janë bashkuar kauzës islamike në frontin sirian. A thua, ajo pjesë që mbetet nga oligarkët rusë në Londër, nuk pret gjë tjetër, vetëm se të organizojë atentate me bomba në City of London. Duke marrë të mirëqenë që, motivet e legjitimuese të një retorike të tillë të «rrezikut rus», përgjatë të njëjtave linja që si ato të dikurshmet për «rrezikun e kuq», janë pastërtisht politike, problemi themelor janë perceptimet e deformuara që kjo retorikë shkakton, dhe që kushtëzojnë jo vetëm opinionet publike, por edhe vetë (mikro) politikat e Perëndimit, duke e thelluar më tej hendekun me Rusinë. Dy më të spikaturat i referohen respektivisht: 1) mënyrës dhe instrumentave me të cilat Rusia ndërvepron në nivel ndërkombëtar dhe imponon politikën e jashtme të saj; 2) strukturës së pushtetit institucional, mbi të cilën mbështetet për implementimin e këtyre politikave.
Reagimi i butë, kundrejt reagimit të tepruar
Në krizat kryesore të viteve të fundit (nga Siria që nga viti 2012, deri tek Turqia, sanksionet) ka befasuar mungesa e një reagimi impulsiv nga ana e Moskës; përkundrazi, Kremlini i ka matur mirë reagimet e veta. Emotiviteti dhe përdorimi i forcës ushtarake, për dekada të tëra shprehje e mitit të reagimit të tepruar, apo shpirtit hakmarrës sllav, kanë kaluar në plan të dytë, duke u bërë më shumë instrumenta të extrema ratio, sesa zgjedhje të para reagimi. Kjo prirje drejt negociatave e politikës së jashtme ruse, është veç të tjerash bartëse objektivash me interes kombëtar të shpallura me të madhe, si dhe me një sinqeritet, të panjohur në narrativat e politikave të jashtme perëndimore, të cilat janë gjithmonë të angazhuara, për ta inkuadruar dhe çdo veprim të realpolitikës së tyre, në koherencë me vlerat universale të krijuara po prej vetë atyre.
Perëndimi është shfaqur i surprizuar dhe ka rënë në kurthin e ngritjes së toneve, pothuajse në një lloj kërkimi nostalgjik të përplasjes me Ariun rus, ashtu si në kohërat e bukura, kur niet-i i thatë dhe i prerë nga ana e Moskës, ishte si një lloj klishéje, për t’u treguar si një fjalë magjike këndej Perdes së Hekurt. Në mungesë argumentash që krijojnë gjurmë në opinionet publike (dhe tek votuesit) gjithnjë e më skeptikë dhe të zhgënyer, mainstream-i antirus ka synuar sërish tek frika ndaj rrezikut të kuq dhe konspiracioneve të errëta të Kremlinit, si në rastin e akuzës ndaj Moskës, se po punon për shembjen e Bashkimit Europian, apo se mbështeti aktivisht Trumpin në garën presidenciale, apo më tej akoma, se ka pasur një rol aktiv në skandalin e email-ave të Hillary Clintonit.
Kjo narrativë negative ndaj Rusisë dhe Presidentit të saj, nuk ka pasur gjithmonë efektin e shpresuar të delegjitimimit. Vënia vazhdimisht e theksit tek vendimmarrja autoritare e Vladimir Putinit ka prodhuar efektin e kundërt, të krijimit tek masat perëndimore të mitit të kreut karizmatik, i cili i kundërvihet dobësisë së lidershipit europian dhe amerikan. Nëse Putini është ndoshta lideri i vetëm në qarkullim, i cili gëzon më shumë respekt, se sa shkakton zhgënjim tek pjesa më e madhe e opinionit publik (jo vetëm), merita i takon edhe mbidozës së mainstream-it perëndimor antirus.
E shkujdesur, por edhe e bezdisur nga kjo tepri kritikash, ndaj së cilës ndjehet e ekspozuar gjithmonë, Rusia e sotme nuk është përgjigjur si zakonisht me përdorimin e armëve, një stereotip klasik perëndimor ky, i cili e vë gjithmonë theksin tek një Kremlin, që e gjithmonë gishtin në këmbëz. Pasi e ka përshkruar gjithmonë Rusinë si një vend të prirur për të sulmuar (edhe pse fiksimi kryesor i saj është mbrojtja), politika e jashtme ka investuar në përdorimin e gjerë të mjeteve kushtëzuese, të përmbledhur zakonisht në përkufizimin e soft power. Për ta bërë këtë, nga njëra anë ka përdorur instrumenta dhe metoda klasike ndërhyrjeje, si përdorimi gjeopolitik i energjisë apo orientimit të ndihmave drejt atyre vendeve apo subjekteve politike, të konsideruara me interes strategjik. Nga ana tjetër, i është përshtatur përdorimit të instrumentave tradicionalisht perëndimore, duke u ndihmuar, kur ka qenë e nevojshme, nga përvojat e kampit kundërshtar. Kjo është e dukshme sidomos nga përdorimi i kundërstacioneve, në rilançimin e sektorit të mediave drejtuar botës së jashtme (ku “Russia Today” dhe “Sputnik” kanë zënë vendin e “Voice of Russia”); deri në fushatat e marketingut dhe të promovimit turistik, të prirura që të transmetojnë së jashtmi imazhin e një vendi të qeshur dhe optimist (Lojërat e Sochit ishin një lloj manifesti ideologjik). As kostot jo të pakta të gjithë këtij arsenali, duket se nuk e kanë sprapsur Moskën nga përdorimi i tyre, pavarësisht krizës ekonomike të shkaktuar nga konjuktura e sanksioneve, me çmimin e ulët të naftës dhe me problemet e rublës.
Në ndryshim nga politika e jashtme amerikane, që e ka gjithmonë një sy tek kostot si dhe një sistem mbrojtjeje, ku dominon pjesëmarrja e subjekteve private, Rusia vazhdon ende si një herë e një kohë. Nga periudha sovjetike ka huazuar një kulturë shpenzimesh publike, që kundërvënë objektivin gjeopolitik, me kostot e nevojshme për ta arritur atë. Megjithëse i bindur se Kremlini është trashëgimtar mekanik i Bashkimit Sovjetik, paradoksalisht, Perëndimi nuk e ka rrokur plotësisht këtë element vijueshmërie të politikave ruse. Është një gabim vlerësimi, që ka sjellë edhe dështimin e objektivave kryesore të sanksioneve: modifikimin e politikës së jashtme të Rusisë dhe shkaktimin e një krize, së pari ekonomike e më pas politike, me synim ndryshimin e lidershipit rus.
Teoria e tre elitave: spiunë, juristë, diplomatë
Në anën e strukturës institucionale, paragjykimi më i fortë për t’u tejkaluar është pranimi se ai rus është një sistem politik “një dhe i pandarë”, sigurisht kompleks, por jo për këtë arsye, i pakuptueshëm. Dhe se thjeshtëzimi i leximit të një “Cari të vetëm në krye” – aq më mirë nëse është edhe despot e hormonal – shpërfaq të gjitha limitet e tij, kur i kërkohet të shpjegojë vendimin e radhës të politikës së jashtme apo të brendshme të Kremlinit. Perëndimi ka vuajtur gjithmonë për të kuptuar dinamikat e vendim-marjes në Moskë dhe marrëdhëniet midis elitave ruse në pushtet. Vëmendja krejtësisht e zhvendosur tek perandori, shpesh herë ka fshehur mangësinë e lajmeve të dorës së parë mbi perandorinë, duke bërë veç të tjerash, që të harrohet se, në vendet e mëdha si Rusia, fati i të dytit është gjithmonë më i rëndësishëm se ai i të parit. Provë e drejtpërdrejtë është leximi i tri 5 vjeçarëve të fundit të historisë politike të Rusisë, qysh kur me 31 dhjetor 1999, Vladimir Putini pasoi Boris Yeltsinin, si President i Federatës, në përfundim të një ndryshimi shumë të shpejtë, të cilin Perëndimi nuk e ka kuptuar dhe nga i cili u zu krejt në befasi. Po t’u përmbahesh idhtarëve të prizmit personalist të leximit të Rusisë, 17 vitet e fundit kanë qenë të dominuara tout court nga Car Putini, një konfigurim i drejpërdrejtë dhe i lehtëkuptueshëm ky, por që nuk ndihmon gjithësesi për të kuptuar shumë prej politikave publike dhe zgjedhjeve ndërkombëtare të Rusisë, këto kohët e fundit. Realiteti është se, gjatë tre 5 vjeçarëve të fundit, në drejtimin e Kremlinit janë alternuar 3 elita, të ndara, por jo të kundërvëna mes tyre; secila e thirrur për të qenë front runner karshi emergjencës dhe prioriteteve të qeverisë së momentit.
E para e këtyre elitave që mori në dorë vendin, erdhi nga shërbimet e inteligjencës, në 5 vitet e para të epokës Putin (natyrisht, periodizimi është indikativ), nga 2000 në 2005. Ky grup u thirr që të zërë radhën e parë dhe më të dukshme të pushtetit, për ta vendosur vendin në siguri «alla-ruse», domethënë si një formë reagimi, ndaj një shteti, atij rus të fundit të viteve Nëntëdhjetë, i cili dominohej prej ekonomistëve liberistë, të frymëzuar nga Gajdar, një shtet i cili ishte një hap larg kolapsit dhe shitjes së vendit tek subjektet e huaja, për një kothere bukë.
Në këtë aspekt, vuri nw një modus operandi që i kishte rrënjët në periudhën sovjetike, duke thirrur në vendet e para eksponentë të elitës së funksioneve publike ruse, domethënë zbulimit. Është ky pasazhi më i njohur dhe më i dukshëm në Perëndim, i historisë politike të vonë ruse, dhe fakti që Putini vetë vinte nga radhët e shërbimeve sekrete, ka kontribuar jo pak që të krijohet një fill narrativ negativ, lidhur edhe ky me stereotipet e periudhës sovjetike, për «spiunët që erdhën nga i ftohti». Ajo që Perëndimi ende nuk e ka rrokur, është sesi kjo fazë ka qenë e kufizuar në kohë; fakti që Putini ka qëndruar në krye të vendit, nuk do të thotë se Rusia është ende sot sic et simpliciter “e drejtuar nga KGB-ja”. Megjithëse ka vazhduar të luajë në sfond një rol të rëndësishëm në drejtimin e vendit, në 5 vjeçarin pasues (2005 – 2010) inteligjenca ia la në fakt radhën e parë kategorisë në rritje të juristëve, e cila ka nisur të zërë pjesën më të madhe të pozicioneve më të dukshëm. Atyre u takoi detyra që të përballonin emergjencën e re: (ri)krijimin e një klase të mesme të kënaqur dhe konservatore – deri në atë moment joekzistente dhe e shtypur nga hendeku midis pasurisë dhe varfërisë së viteve Nëntëdhjetë – dhe të kontribuojë kështu në rritjen e një konsensusi masiv kundrejt lidershipit të vendit.
Në një vend si Rusia, e dominuar gjithmonë nga formalizmi burokratik, hipernormativizimi dhe që kishte parë ngjitjen e oligarkëve si frut i derregullimit të egër – sugjeruar nga mbështetja perëndimore për tregun e lirë – juristët e shtetit dukeshin subjektet më të mirë për të garantuar futjen e të drejtave (disa) dhe të rregullave (shumë), për të lehtësuar një rishpërndarje të të ardhurave, në favor të shtresës së mesme. Më shumë se nëpërmjet reformave ekonomike dhe strukturore – që po shtyheshin sërish – vendi siguroi stabilitet duke zhvilluar një shtet të drejte, me pjesëmarrje të kontrolluar (një model hibrid liberalizmi, me pak demokraci) që reziston edhe sot. Por ai duket më pranë Italisë giolittiane, se sa narrativës së rëndomtë perëndimore, të «diktaturës së spiunëve» që u përmend më lart.
Në këtë fazë të dytë – domethënë shumë më përpara se kompaktësimi patriotik që ka pasuar krizën ukrainase – ndodhi forcimi real i lidershipit në sytë e popullsisë dhe manifestimi i një konsensusi real dhe mazhoritar në vend. Perëndimi nuk deshi t’i njohë këto ndryshme dhe për disa vite me radhë vazhdoi ta komentojë lidershipin rus si një grup spiunësh pretorianë, të largët dhe të pandjeshëm ndaj kërkesave të popullit, manipulues të rezultateteve elektorale, që shumë shpejt do të flakej tutje prej një opozitë sheshesh, në rritje dhe e pandalshme.
Ashtu siç nuk deshi të shkëputet nga stereotipi i Moskës, si një dark city i Perandorisë së të Keqes, duke mos preferuar t’u rrëfejë opinioneve publike përkatëse, rilindjen mbresëlënëse urbane dhe kulturore të qytetit më të madh europian, zemra rrahëse e një shteti të madh, por të organizuar mbi baza politiko – administrative hipercentraliste. Ndërkohë, pasi arriti objektivin e kthimit në qendër të skenës sociale të «trevet (aparatçikut) Ivan», i ringjallur pas poshtërimeve të pësuara në periudhën e dominimit flagrant të oligarkëve (gjykimi publik i rezervuar Mikhail Kodorkhovskit është shembulli më i bujshëm), Kremlini lëvizi drejt një objektivi të ri (gjeo)politik, që do të karakterizonte 5 vjeçarin e tretë, domethënë periudhën që ka nisur nga 2011-shi (me fundin e presidencës Medvedev) dhe që vazhdon edhe sot. Është faza dominuese e vendimit strategjik të Rusisë për të rimarrë në shkallë ndërkombëtare, me të drejtë apo pa të drejtë, rolin historik që është e bindur se meriton, për t’u ribërë interlokutori kryesor – në mos konkurrues – i Shteteve të Bashkuara në skakierën botërore. Prej 3 objektivave të qeverisë në 17 vitet e studiuara, ky i fundit përfshin drejtpërsëdrejti politikat e jashtme, të cilat kthehen dhe janë në qendër të agjendës politike, pas 2 dekadash mbizotërimi të dimensionit të brendshëm.
Për pasojë, elita e tretë që shfaqet në qendër të skenës është ajo e diplomatëve – tjetër trupë ekselence tradicionale në funksionet publike ruse – të nënkuptuar si punonjës të së famshmes MID, por edhe si frut i formimit të lartë, stil Grande École. Diplomatët e karrierës vazhdojnë që t’i zënë nivelet drejtuese të ministrisë së jashtme, duke krijuar një sintezë efikase funksionale, midis nivelit politik dhe atij administrativ. Përtej kësaj, kur dërgohen në ambasadat kryesore referuese, ata mbajnë mandate pazakonshmërisht më të gjata se ato tradicionale dhe merren paraprakisht në pyetje nga administrata e Presidentit, zemra e vërtetë politike dhe kushtetuese e politikëbërjes së Federatës.
Kthimi i diplomatëve në qendër të funksionit publik sigurisht që nuk shënon perëndimin e dy elitave të tjera (inteligjencës dhe juristëve) që vazhdojnë të diktojnë linjën e politikës së brendshme të vendit. Më shumë, influenca në rritje e tyre është funksionale, me afirmimin dhe rafinimin e përdorimit teknik të instrumentave të politikës së jashtme të përmendur më sipër, dhe që haptazi kundërshtojnë disa prej stereotipeve më të rrënjosura në kancelaritë perëndimore, duke i penguar ato që të kuptojnë, në mos objektivin final, të paktën kuptimin real të lëvizjeve të ndërmjetme të Moskës. Ndërsa Kremlini prodhon politikë të jashtme dhe zhvillon kontakte bilaterale me aktorë të veçantë perëndimorë me ritme të paprecedentë në tri dekadat e fundit – pavarësisht dhe ndoshta pikërisht prej mbylljes së Bashkimit Europian dhe NATO-s – mainstream-i perëndimor nuk arrin të ripërshtasë kategoritë e tij. Vazhdon që të na thotë, pa iu dridhur qerpiku, se nëse Gjermania e sotme nuk është më ajo e Rajhut të Tretë, Rusia në fakt mbetet integralistja e zakonshme sovjetike dhe nuk do të ndryshojë kurrë./bota.al/Arbresh.info
Vetplagoset me armë zjarri në person në Gllogoc
MINT prezanton thirrjet për aplikim në kuadër të Fondit të S...
Sot nis ndërtimi i Parkut Industrial në Drenas, marrin pjesë...
Mo Salah bëri histori me fanellën e Liverpoolit pas dy golav...
Rama ndan fotografitë e një dite kuq e zi në Londër
Të paktën një i vdekur pas rrëzimit të një avioni mallrash n...