Nga: Blendi Fevziu
Për mirë apo për keq? Kjo është pyetja e parë që të vjen në mend duke parë rezultatin e zgjedhjeve në Maqedoni dhe mandatet që partitë shqiptare fituan atje.
Në fakt, ajo që zgjedhjet e së dielës prodhuan atje ishte thuajse identike me atë që pritej dhe qe paralajmëruar nga mediat shqiptare, kryesisht ato jashtë kufijve zyrtarë të Maqedonisë, ku emocionet ishin më të ftohta dhe kalkulimi më i saktë.
Nëse i rikthehem shprehjes “për mirë apo për keq” ka për të dyja një analizë. Po e nis nga kjo e fundit.
Zgjedhjet në Maqedoni mund të merren për partitë shqiptare “për keq” nisur nga rezultati. Në një vend ku garohet jo mbi baza ideologjike, por mbi baza etnike, përfaqësimi i shqiptarëve ka ardhur duke u reduktuar nga zgjedhjet në zgjedhje. Sot Shqiptarët kanë 20 vende në parlament nga 27 që kishin në zgjedhjet paraardhëse, apo nga 29 që kishin në rastin më të mirë.
Nëse i referohesh raportit midis popullsisë dhe vendeve në parlament, shqiptarët përfaqësojnë sot afro 17 – 18 përqind të parlamentit të Maqedonisë, nga 30 % e popullatës në atë vend. Në një konfigurim tjetër më të drejtë, shqiptarët duhet të kishin midis 33 dhe 35 deputetësh. Këta 13 – 15 deputetë të munguar më shumë se sa makinacion maqedonas, janë pasojë e paaftësisë së politikanëve shqiptarë për të formuar një koalicion apo aleancë të përbashkët që do mundësonte përqëndrimin e votës dhe një numër më të madh deputetësh. Siç ndodh rëndom me shqiptarët, dhe jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Shqipëri e në Kosovë, bashkimi dhe bashkëpunimi janë gjithnjë të vështirë dhe vendosja e interesit kombëtar mbi atë personal duket i pamundur.
Kështu numri i deputetëve vjen duke u reduktuar dhe nuk dihet se cili do të jetë përfaqësimi i shqiptarëve në parlamentin e Maqedonisë në zgjedhjet e mëvonshme nëse vijon ky fragmentim politik. Kjo është as më pak e as më shumë një paaftësi e klasës politike të shqiptarëve dhe një bonus për maqedonasit.
Zgjedhjet në Maqedoni mund të konsiderohen edhe “për mirë” nisur nga rezultati që ato kanë prodhuar më gjerë. Pra jo thjeshtë midis shqiptarëve por në gjithë kombinimin politik atje. Ndryshe nga zgjedhjet e shkuara kur Gruevski mori 61 deputetë ose mbi 50 %, pra e bënte qeverinë vetë dhe shqiptarët i përfshiu vetëm për ngjyrë, sot shifrat janë ndryshe. Gruevski ka nevojë për së paku 10 deputetë që të plotësojë numrin për votbesim dhe në këtë kontekst, vota e shqiptarëve është e domosdoshme.
Janë shqiptarët që përcaktojnë se kush do të drejtojë Maqedoninë dhe cilat do të jenë politikat e saj. Në këtë rast, shqiptarët nuk janë thjeshtë një pakicë, por janë mandatet e arta që vendosin të ardhmen e Maqedonisë. I takon atyre që në negociatat për mazhorancën të kushtëtojnë qeverisjen e vendit me disa vendime të mëdha dhe të rëndësishme për shqiptarët e Maqedonisë, për maqedonasit vetë dhe për rajonin. Ky kombinim është një rast i artë për shqiptarët dhe keqpërdorimi i tij do ishte në rastin më të mirë miopi politike, ndërsa në rastin më të keq shpërdorim i interesave kombëtare.
Ju mbetet partive politike shqiptare të gjëjnë tashmë zgjedhjen, që Maqedonia, të jetë një vend i të gjithë shtetasve të saj dhe jo thjeshtë një republikë e Maqedonasve!
Fahrije Hoti sot mban konferencë për media: Do t’i demantojm...
Vetplagoset me armë zjarri në person në Gllogoc
MINT prezanton thirrjet për aplikim në kuadër të Fondit të S...
Sot nis ndërtimi i Parkut Industrial në Drenas, marrin pjesë...
Mo Salah bëri histori me fanellën e Liverpoolit pas dy golav...
Rama ndan fotografitë e një dite kuq e zi në Londër