Google ADS

Prindërit të zhgënjyer me rezultatet e PISA-s

10:38 | 8 Dhjetor 2016
Arbresh.info

Këshilli i Prindërve të Kosovës është i zhgënjyer me rezultatet e testit ndërkombëtar të vlerësimit PISA, ku Kosova u rendit në tri vendet e fundit të botës.

Edhe prindërit, sikur edhe institucionet shtetërore e komunale, kanë pritur shumë më tepër nga ky vlerësim, i cili edhe pse në vendin tonë aplikohet për herë të parë rezultati është tepër shqetësues dhe tregon nivelin jo të mirë të arsimit në Kosovë.

Nga kjo vërehet se edhe përkundër përpjekjeve që janë bërë për rritjen e nivelit të cilësisë, në arsimin e Kosovës ende jemi shumë larg nivelit të dëshiruar.

Përgjegjësia për këtë nivel të ulët, sipas Këshillit të Prindërve të Kosovës është kolektive, institucionale dhe shtetërore e cila përgjegjësi duhet të nxisë të gjithë të reflektojnë pozitivitet, angazhim, transparencë dhe llogaridhënie.

Ky rezultat i dobët që është dalë nga ky testim nuk është dobësi vetëm e nxënësve, të cilët iu kanë nënshtruar testimit, por është rezultat i dobët për vetë shtetin e Kosovës, andaj Këshilli i Prindërve apelon nga të gjitha organet relevante, nga Qeveria e Kosovës dhe Institucionet e tjera të saj që të angazhohen maksimalisht për përmirësimin e nivelit të arsimimit, përfshirë këtu në radhë të parë mësimdhënësit, drejtorët e shkollave, drejtorët e DKA-ve, MASHT-in dhe ministritë e tjera , SBASHK-u, pa i anashkaluar as edhe të zgjedhurit e popullit dhe prindërit.

Veç tjerash Këshilli i Prindërve apelon që ky rezultat i vlerësimit PISA mos të përdoret për qëllime të cilat nuk i kontribuojnë situatës nga kushdo qoftë, por gjithçka të jetë në kontest të zgjedhjes së problemeve e kurrsesi ky proces të politizohet.

Nëpërmes kësaj komunikate ne ,Këshilli i Prindërve të Kosovës, u bëjmë apel të gjithë nxënësve që mos të dekurajohen por të angazhohen për mësimnxënje sa më cilësore, me shpresën se testimi i ardhshëm do të na gjej më të përgatitur dhe me rezultate më të larta, përfundon komunikata e Këshillit të Prindërve të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme