Nga: Jakup Krasniqi
Unë kam besuar dhe dua të besoj në vlera evropiane dhe përgjithësisht në ato euroatlantike, por kohën e fundit ka filluar një lëkundje nga vlerat evropiane, edhe në vendin ku kanë zënë fill ato vlera pas Luftës së Dytë Botërore. Nuk kam asnjë dyshim, ato vlera i kanë dhënë ndryshime progresive botës, e sidomos vendeve të BE-së.
Këto vlera ka vite që kanë zënë të gjejnë terren në Evropë, e sidomos filli i tyre nisi me Raportin e shpifur të Dick Martit, i cili për fat të keq u bë Rezolutë zyrtare e Këshillit të Evropës se gjëja qenkan bërë krime lufte e trafikim e transplantim të organeve nga UÇK-ja?! Dhe mbi bazën e atyre gënjeshtrave u hapën “hetimet” nga prokurori Viliamson dhe më pas u kërkua krijimi i Gjykatës Speciale. Madje për të qenë absurdi edhe më i madh, kjo Gjykatë nuk do të merret me dënimet e krimeve të luftës dhe krimet ndaj njerëzimit dhe gjenocidin e kryer në Kosovë?! Por shpikën gjoja krimet e luftës e të njerëzimit të kryera nga UÇK-ja në Kosovë nga viti 1998 – 2000 në Kosovë edhe pse lufta ka përfunduar në qershor të vitit 1999.
Kështu si është krijuar kjo Gjykatë nga Kosova e për Kosovën, por me seli jashtë saj, jo vetëm që kjo Gjykatë është formuar jashtë çdo standardi të drejtësisë ndërkombëtare, por edhe jashtë çdo standardi, pasi ligësisht parashihet që të ndiqet vetëm njëra palë e luftës, pra vetëm shqiptarët që bënë luftë çlirimtare. Kështu si është bërë kjo Gjykatë, duhet të jesh më shumë se i verbër që të mos e shikosh si një gjykatë, thjeshtë, politike dhe për përndjekje politike.
Raporti i Dick Martit, Rezoluta e KE-aq, të “gjeturat” e Viliamsonit, krijimi i Gjykatës Speciale, e kanë vendosur Republikën e Kosovës në raporte më shumë se të pabarabarta me Serbinë. Natyrisht për ketë nuk janë me faj vetëm europerëndimorët që bënë presion, por edhe udhëheqësit e pakurriz të shqiptarëve të Kosovës. Ndërsa, përgjegjësia u bie mbi të gjitha deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët duke qenë të padijshëm, të paintegritet e të padinjitet morën një vendim tepër të dëmshëm për vendin dhe të ardhmen e tij. Vendim për t’i ndjekur luftëtarët e UCK-së, të cilët për veprimet e tyre gjatë luftës, në vend që të dekoroheshin, ata mund të dënohen, ashtu siç u dënuan para disa ditë edhe krerët e luftës çlirimtare në rastin “Drenica 1” e “2”.
Ky qyqarllëk i njerëzve tanë të veshur me pushtet nga qytetarët tanë, ndoshta atë pushtet e kanë grabitur me forma të tjera jodemokratike, sikur u ka dhënë krah jo vetëm neomillosheviqistëve, por edhe disa shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën dhe disa forcave të së djathtës ekstreme evropiane (Francë e Austri), kandidatë për president nga ato vende të cilët janë vënë haptas në mbrojtje të politikës serbe që ka ushtruar gjenocid të pastër në Kosovë mbase tri herë që nga viti 1876/78 e deri të lufta e fundit 1997/99.
Pra, janë disa forca ekstreme brendapërbrenda BE-së, pa folur për vende të tjera të Evropës, që i kanë trimëruar neomillosheviqët në krye me presidentin e Serbisë, Nikoliq, që të deklarohet shpesh sikur Kosova të ishte krahinë serbe apo zemër serbe, siç e thonë shpesh ata. E kemi thënë edhe më herët, kjo nuk është gjë tjetër vetëm politikë e kërcënimit! Ai këto kërcënime para një kohë i përdori në Peterzburg e sa herë t’i jepet rasti. Ai këto kërcënime i përdori edhe më 28 nëntor, në takimin me homologun grek.
Në takimin me këtë të fundit tha: “Ne edhe më tutje mbetemi të angazhuar vendosmërisht për ruajtjen e integritetit tanë territorial dhe bisedojmë me Prishtinën në mënyrë që njerëzit në Krahinë të jetojnë më mirë, për sa kohë nuk kërkohet nga ne ta njohim pavarësinë. Ne këtë nuk do ta bëjmë kurrë”, Nuk e di nëse kryeministri dhe presidenti i Kosovës i kanë dëgjuar këto kërcënime serbe, që kohëve të fundit janë përsëritur goxha shpesh.
Ai madje ka shtuar se do të ishte “shkatërrim për njerëzimin” nëse do t’u lejohej shqiptarëve të Kosovës që të kujdesen për kishat dhe manastiret ortodokse serbe në Kosovë. Në këto raste shtrohet pyetja: Vërtet kush ishin shkatërruesit e kulturave të të tjerëve në FJ? Kush ishin ata që i zhvilluan katër luftëra në ish-FJ? Kush ishin ata që i shkaktuan tri gjenocide në fund të shekullit XX? Dhe dikush e pengoi Gjykatën e Drejtësisë që ta dënojë Serbinë për gjenocid? Pra janë këto politika që i kanë dhënë krah politikave neomillosheviqiane, që sot udhëhiqen nga politika zyrtare serbe në Beograd dhe që përfaqësohet jo vetëm nga Nikoliqi.
Nikoliqi homologut nga Greqia i tha edhe ketë: “Ne presim përkrahje më të fuqishme nga shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Jemi të gatshëm që t’i lejojmë shqiptarët të kujdesen për trashëgiminë e tyre kulturore, por nuk mund të lejojmë që të kujdesen për tonën”. Ky president i çmendur serb ka harruar se e gjithë trashëgimia në Kosovë, duke përfshirë edhe atë ortodokse serbe, është e Kosovës dhe pronë e saj. Por, gjithsesi këto që i thotë Nikoliqi janë kërcënime të haptë për paqen e sigurinë në rajonin tonë. Janë kërcënime që duhet t’i obligojnë udhëheqësit shqiptarë në Kosovë e Shqipëri që të mendojnë me një përgjegjësi tjetër për sigurinë e kombit tonë, i cili jo pak herë në shekullin e kaluar ka qenë i kërcënuar nga politika të tilla serbe.
Në një situatë të tillë, disa qarqeve evropiane brenda BE-së nuk kemi si të mos u themi: Mbroni vlerat e proklamuara me të drejtë ose mos u thirrni në ato vlera pasi drejtues shtetesh të BE-së gjunjëzohen para kërcënimeve luftënxitëse të neomillosheviqizmit!
______________________________________________________________________________________________________________
Shënim: Opinioni që sapo lexuat nuk shpreh qëndrimin/opinionin e Arbresh.info. Ai është një trajtimi sipas bindjeve të autorit dhe shpreh vetëm opinionin e tij rreth çështjes që trajton.
Në Tuz të Malësisë vendoset busti i Gjergj Kastriotit
Zelensky bën thirrje për një përgjigje të fortë ndaj shantaz...
Real Madridi e fiton “El Classicon” në basketboll
Sipas Haradinajt, opozita do t’i fitojë zgjedhjet
Roma i shpëton humbjes në momentet e fundit
Bretkosat mutante të Çernobilit po rishkruajnë historinë, çf...