Google ADS

Profesorët e UP-së me CV të ‘rrejshme’!

12:28 | 29 Nëntor 2016
Arbresh.info

Me një jetëshkrim profesional që liston plot 62 “publikime shkencore”, për periudhën 1985-2014, prodekania për shkencë në Fakultetin Ekonomik, prof. Shpresa Hoxha, mund të kishte befasuar arenën shkencore në Ballkan e më tej, sikur CV-ja e saj të kishte qenë në rregull.

Prodekania për shkencë e fakultetit ekonomik prof. Shpresa Hoxha tashmë karakterizohet për aftësitë e saj ndërdisiplinore me faktin se ajo është e doktoruar në filologji e me gjithë këtë, ajo udhëheq një pozitë me rëndësi akademike dhe menaxhuese në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, atë të prodekanes për shkencë. Ajo u emërua në këtë pozitë konform rregulloreve dhe ligjeve në fuqi nga dekani i zgjedhur në zgjedhjet e fundit prof. asistent But Dedaj.

Megjithëse statuti i Universitetit të Prishtinës nuk ka ndonjë përcaktim të qartë lidhur me detyra të tilla, janë në diskutim aspektet profesionale dhe etike për emërim në pozita të tilla të njerëzve nga disiplina të tjera.

Lidhur me këtë çështje as prodekania Hoxha e as dekani Dedaj nuk janë përgjigjur.

Në CV-në që liston punime që nga vitit 1985, vetëm prej vitit 2000 deri në vitin 2014, Hoxha ka deklaruar 59 publikime shkencore, çka përkthehet në mesatarisht 4.2 publikime shkencore në vit.

Një performancë e tillë do të duhej ta kishte listuar prodekanen Hoxha në rangje ndërkombëtare të botës akademike mirëpo hulumtimi i Gazetës Jeta në Kosovë tregon se një numër i madh i artikujve të listuar në tabelën “publikime shkencore” janë të botuara në gazeta ditore e javore të Kosovës si “Zëri”, “Koha Ditore”, “Bota Sot”, të cilat janë publikime të gazetarisë e jo të natyrës akademike.

Për shembull, punimi “Për mbishkrimet tona në lokalet afariste e datës 26-27 qershor 2004, nga vetë autorja deklarohet se është prezantuar në një “tryezë të rrumbullakët shkencore” dhe më pas është botuar në Bota Sot. [(About inscriptions of our business premises), Scientific Round Table): “Gjuha shqipe në shkrimet publike” Prishtina Albanian Language in public writings), 26-27 June 2004. (“Bota sot”, 15.VII 2004. Prishtina); Gjuha shqipe, 3/2005, Prishtina”]

Përveç publikimeve që mund t’i jenë nënshtruar ndonjë prezantimi, prodekania Hoxha ka listuar edhe artikuj që nuk janë prezantuar, por janë botuar vetëm në të përditshmet kosovare si “Në Mitrovicë historia përsëritet (In Mitrovica the history is recurred), Prishtina, “Koha ditore”, 8. VII 2006”.

Punimet e saj në përgjithësi janë në fushën e gjuhësisë, gjë që nuk e arsyeton pozitën e saj si prodekane për shkencë në fakultetin ekonomik.

Mirëpo, pas emaileve të dërguara, as dekani që e ka emëruar, as vetë prodekania e as prorektori për kërkime shkencore në rektoratin e UP-së, profesor Faton Berisha, nuk kanë dhënë ndonjë sqarim lidhur me këtë rast.

Çka konsiderohet publikim shkencor?

Profesori dhe shkencëtari Fetah Podovrica, i cili është autor i shumë punimeve në revistat më me renome në fushën e elektro-kimisë, dhe i cili është cituar 1795 herë nga autorë të tjerë, në një koment që ka dhënë kohë më parë për Gazeta JNK ka sqaruar se çka quhet punim shkencor.

Ai tha se “Deri te dalja e punimit në një numër të caktuar të revistës ka disa procedura.

Së pari ato lidhen me cilësinë e vetë punimit shkencor, i cili në revista shkencore kredibile i nënshtrohet vlerësimit të paanshëm anonim prej 2-4 ekspertëve të njohur të lëmisë së ngushtë. Pas pranimit të punimit shkencor, kryeredaktori i revistës e dërgon punimin në procedurë të publikimit”.

Profesori asistent në Université Paris-Est Créteil (UPEC), Nezir Kraki nga Kosova, tha për Gazetën JNK se publikimet shkencore duhet të përmbushin kushte shumë strikte në mënyrë që të konsiderohen të tilla.

“Që të llogaritet si shkencor, këtu [në Paris] artikulli duhet të publikohet në revista me komitet lexues, domethënë me komitet të përbërë nga specialistë të cilët e validojnë përmbajtjen e artikullit për publikim”, tha Kraki.

Gjithashtu, ai shpjegoi se ka raste kur punimet e prezantuara në konferenca shkencore mund të merren si publikime shkencore.

Mirëpo ai tha se duhet të përmbushet kushti që publikimet e tilla të “prezantohen në një konferencë ku ka komitet shkencor, në këtë rast punimi publikohet si dokument i konferencës apo simpoziumit, por në asnjë rast artikujt e gazetave dhe revistave që merren me aktualitet nuk hyjnë në kategoritë shkencore”.

Rektorati: Prezantimet në konferenca nuk janë publikime shkencore

Lidhur me listimin e prezantimeve nëpër konferenca të ndryshme që mund të quhen edhe “shkencore”, por që nuk kanë ndonjë peshë shkencore e akademike domethënëse, si punime shkencore nëpër CV, rektorati në mandatin e Marjan Demës ka lëshuar një qarkore këshilluese.

Letra me të cilën rektorati i ishte drejtuar Senatit sqaronte se cilat janë platformat e revistave të besueshme në të cilat u rekomandohet pjesëtarëve të stafit akademik të UP-së të botohet si dhe ato ku nuk lejohet publikimi.

Nga një sërë kriteresh të propozuara si ai që punimet shkencore “të mos jenë të botuara në rajon (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mali i Zi, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë)”, përcillen edhe me kriterin “të mos jenë punime konferencash” – kjo pasi një numër i madh i stafit akademik të UP-së gabimisht ose qëllimisht i paraqesin prezantimet e punimeve të tyre në konferenca të ndryshme si punime shkencore.

E megjithatë, në komunikimet e mëparshme me Gazetën JNK rektorati ka bërë të qartë se e lë në diskrecionin e profesorëve zgjedhjen e revistave apo formave për botim, duke shtuar megjithatë, se punimet e publikuara në revista të vlerësuara si të papërshtatshme nuk do të konsiderohen punime shkencore dhe nuk do të pranohen për avancim akademik.

Gjatë muajve të fundit, Gazeta JNK ka hulumtuar disa raste të publikimeve në revista mashtruese, rasteve të mundshme të plagjiaturave si dhe avancimet e dyshimta nëpër grada akademike. Raste të ndryshme që nga vet rektori Marjan Dema, anëtari i Këshillit Drejtues Fevzi Berisha, dekani i ekonomikut But Dedaj e shefi i deparatamentit të historisë Selim Bezeraj, janë raportuar por asnjë masë nuk është marrë. Lidhur me këtë gjendje Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë nuk është përgjigjur, pavarësisht pyetjeve të përsëritura që i janë drejtuar. /kallxo.com

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme