Bilanci negativ tregtar tregon gjendjen e vështirë të bizneseve në Kosovë

11:44 | 25 Nëntor 2016
Arbresh.info

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi tryezën me temë: “Eksportet e Kosovës, mundësitë dhe pengesat”.

Drejtori i Odës Amerikane Arian Zeka theksoi se bilanci negativ tregtar tregon më së miri gjendjen e vështirë të bizneseve.

Ai tha se nga ana institucioneve të Kosovës ka pasur përkushtim për të përmirësuar bilancin tregtar. Zeka tha se kërkesa e tyre ka qenë vazhdimisht për plotësimin e pakos fiskale për fuqizimin e prodhuesve kosovarë.

Zëvendës kryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi tha se për të pasur një eksport të madh dhe të mirëfilltë duhet të ketë  prodhimtari me rendimente të larta dhe cilësore. Kelmendi tha se janë  të përkushtuar që në pakon fiskale 2, të mbështeten edhe më tej prodhuesit kosovarë, mirëpo ai tha se tatimet për bizneset janë më të ulëta se në rajon.

Sytrime Dervisholli udhëheqëse e Departamentit për Tregti në MTI, tha se fatkeqësisht në vitet e fundit Shqipëria ka parashtruar barriera për bizneset kosovare, e mos të flitet më për barrierat e shumta nga Serbia.

Ajo tha se MTI është e përkushtuar për eliminimin e këtyre barrierave. Sipas saj, niveli negativ i eksporteve po vazhdon të jetë i pandryshueshëm.

Përfaqësuesit e bizneseve kërkuan lehtësira për të bërë biznes duke liruar nga TVSh për lëndën e parë dhe produktet e tyre në tregun e BE nuk janë të njohura.

Për këtë kërkuan përkrahjen e institucioneve nëpër panaire ndërkombëtare. Po ashtu edhe mungesë e atasheve ekonomikë nëpër vendet e BE-së duhet t’i shtyj ambasadorët të promovojnë ekonominë e Kosovës në ato vende ku kryejnë misionin e tyre.

Po ashtu problem mbetet edhe furnizimi me energji elektrikë. Një prej prodhuesve ngriti edhe mundësinë e ikjes nga Kosova për të shkuar me fabrikë në Maqedoni ngase ka kushte më të mira për prodhimtari./

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme