Google ADS

Edukimi i hershëm i fëmijëve, zhvillim ekonomik për vendin

13:19 | 24 Nëntor 2016
Arbresh.info

Mospërfshirja e fëmijëve në edukimin e hershëm ndikon në zhvillimin e vogël ekonomik të vendit.

Kështu u tha sot në konferencën gjatë së cilës u publikua studimi mbi koston për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, i cili është përgatitur nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë, me përkrahjen e Kuvendit të Kosovës.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami tha se  ky studim është shumë i rëndësishëm, veçanërisht sa i përket rritjes së standardeve në viset rurale.

Ministri Bajrami tha se, çështja e gjithëpërfshirjes në arsimin parafillor dhe fillor është një dimension shumë i rëndësishëm i respektimit të të drejtave të njeriut.

Bajrami bëri të ditur se MAShT në bashkëpunim me projektin IPA ka aprovuar mjetet për ndërtimin e rreth 20 kopshteve publike në vitin e ardhshëm, si dhe ka punuar në caktimin e saktë të Kurrikulës për moshat 3-6 vjeç.

Ndërsa, përfaqësuesi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë,  James Mugaju, tha se vizioni i UNICEF-it  është që të sigurohet se, të gjithë fëmijët e Kosovës janë fizikisht të shëndetshëm, mentalisht dhe emocionalisht të sigurt dhe të gatshëm për të mësuar.

Ai tha se, investimi në edukimin e hershëm është mundësi unike për t’i përgatitur fëmijët që të jenë anëtarë produktiv të shoqërisë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme