Google ADS

Sektori i turizmit prioritet për Kosovën dhe Shqipërinë

14:40 | 15 Nëntor 2016
Arbresh.info

Në kuadër të vizitës dhe takimeve në Prishtinë, kryetarja e Bashkisë së Sarandës, Floriana Koka është pritur sot edhe nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami.

Gjatë këtij takimi, të dyja janë dakorduar që të këmbejnë përvojën e turizmit.

Ministrja Bajrami tha se ka informuar kryetaren e Sarandës për turizmin dimëror të Kosovës dhe mundësinë e bashkëpunimit për zhvillimin e këtij sektori. Ajo theksoi se i gëzohet faktit se shumica e kosovarëve i kalojnë pushimet në Shqipëri e veçanërisht në bregdetin e Sarandës.

Bajrami tha se bashkëpunimi nuk do të përfundojë me këtë takim, duke thënë se aktivitetet do të avancohen në të ardhmen ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

 

“Besoj se në të dy tregjet ka hapësirë për ndërmarrjet tona dhe për bashkëpunim ekonomik. Ne si institucione do të jemi gjithmonë në mbështetje të bizneseve për të forcuar komunikimin edhe nga ana e qeverisjes lokale në Sarandë, por gjithashtu edhe si institucione qendrore u pajtuam së bashku që të kemi vizitë me një delegacion të bizneseve në fillim të vitit të ardhshëm në bashkëpunim me ambasadën pse jo edhe me komunat e Kosovës. Ka një fluks të madh të turistëve Kosovar të cilët vizitojnë Sarandën… Mirëpo, ky delegacion po eksproporojnë edhe mundësitë për të zhvilluar turizmin në Kosovë. Andaj, ne mund të jemi komplementar jo vetëm në këtë fushë, por edhe në fusha tjera, ngase Kosova ka potenciale të ndryshe dhe ka potencial sidomos për turizmin dimëror”, tha Bajrami.
Kryebashkiakja e Sarandës Floriana Koka, theksoi se Shqipëria dhe Kosova kanë potenciale të mëdha për turizëm, andaj, kërkohet një bashkëpunim më i madh në këtë drejtim për avancimin e këtij sektori. Ajo vlerësoi se në vazhdën e takimeve në Kosovë, takimi me ministren Bajrami ka qenë një prej takimeve të frytshme.

 

“Diskutuam për agjendën në vijim edhe konsideruam këtë takim të sotëm vetëm si një takim të fillimit për ta bërë edhe më konkrete edhe më të shpeshtë kontaktet tona në vijim me qëllim që të rrisim komunikimin tonë në fushën ekonomike, në fushën turizmit por edhe në atë njerëzore”, tha Koka.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, tha se shpreson do të ketë një bashkëpunim të frytshëm, ku morën edhe garanci nga ministrja Bajrami se do të ketë një angazhim nga të gjitha palët për të realizuar me sukses edhe këtë bashkëpunim.

 

“Përcaktuam disa fusha ku ka interes të ndërsjellë, reciprokë dhe kam bindjen ashtu si bizneset e Sarandës gjatën hapësira këtu në Prishtinë për të zhvilluar në të ardhmen aktivitetet e tyre, po kështu do të ketë hapësira për turistët dhe për bizneset e Kosovës për të gjetur veten në hapësirat e bizneseve jo vetëm në Sarandë, por edhe në Gjirokastër dhe në gjithë qarkun e Vlorës, I cili ofron mundësi bashkëpunimi me bizneset komplementare të Kosovës”, tha ambasadori Minxhozi.

Pjesë e këtij delegacioni nga Saranda, janë edhe disa sipërmarrës të cilat po promovojnë biznesin e tyre në Prishtinë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme