Të gjithë e kemi të njohur shprehjen ‘Kali i Trojës’ dhe sa herë që përmendet padyshim që në këtë moment të kujtohet ‘Iliada’ e Homerit. Mirëpo ende mbetet mister i pazgjidhur se ku ishte ky kali dhe a ishte me të vërtetë kali siç edhe thuhet.
Para disa muajve dolën disa artikuj se kinse më në fund u zgjidh ky mister. Në këta artikuj të cilët u publikuan në media të ndryshme thuhet se Kali i Trojës nuk ishte një kalë prej druri, siç është cekur në “Iliadën” e Homerit. Sipas një studiuesi italian, Francesco Tiboni, profesor i Universitetit të Marsejës, makineria që përdorën grekët për të nënshtruar Trojën nuk ishte kali prej druri, por një anije fenikase me kokë kali, që quhej “hipos”. Këto artikuj poashtu vënin në pah se kali i drunjtë, barku i të cilit u mbush me luftëtarë grekë, që më pas dolën dhe nënshtruan Trojën, sipas arkeologut italian nuk ka qenë aspak i tillë, por bëhet fjalë për një gabim në përkthim. Sipas tij, jo vetëm që nuk bëhet fjalë për një kalë, por dimensionet e mekanizmit që shërbeu për fshehjen e luftëtarëve janë hiperbolizuar. Sipas Tibonit, ka më shumë mundësi që një anije e përmasave të mëdha mund të ketë mbajtur në “barkun” e saj luftëtarët grekë, të cilët e kanë pasur të lehtë të dalin për të nisur betejën.
Këta artikuj cekën këtë gjë duke shkruar se teza e tij është fryt i një studimi dyvjeçar dhe është publikuar në revistën “Archeologia Viva”.
Mirëpo në bazë të disa hulumtimeve dhe disa mesazheve që kanë ardhur në redaksinë e portalit Arbresh.info duket se nuk është ky shkencëtar i pari që ka thënë këtë gjë.
Profesor doktor Ruzhdi Ushaku këtë gjë e kishte thënë shumë vite më parë në veprat e tij ‘Ulqini në gjurmët e shekujve’ (1991) teksti me titull ‘Kur anija me rrema ishte një kalë me fletë’, dhe studimin shkencor me titull ‘Kur anijet e drunjta ishin kuaj të detit’ në librin e tij ‘Hulumtime etnolinguistike’.
Arbresh.info ka kontaktuar me profesorin Ushaku për të kërkuar një sqarim lidhur me këta libra të tij në të cilët flitet pikërisht për këtë mister që për dikë mbetet ende i pazgjidhur. Ai tregoi se si shumë kohë më parë kishte zbuluar një gjë të tillë dhe se e kishte vënë në librat e tij.
“Për herë të parë është botuar artikulli me titull ‘A ka ekzistuar kali i Trojës’, në Rilindje në vitin 1985. Pastaj në të dytën herë ka qenë një punim tjetër i përforcuar në librin ‘Ulqini në gjurmët e shekujve’, si dhe dy punime tjera me tituj ‘Misteret e Bunës legjendare’, ku thuhet se kali i Trojës mund të jetë anije. Si dhe artikulli ‘Kur anija me rrema ishte një kalë me fletë”, tha ai duke shtuar se me këtë çështje ishte marrë shumë kohë më parë.
“Kanë kaluar mbi 20 vite e më shumë që jam marr me këtë çështje dhe kam shkruar edhe këto libra ku kam sqaruar mjaft mirë domethënien e Kalit të Trojës, por tani po shoh që po dalin njerëz të tjerë me pretendimin se po e zgjidhin këtë lloj misteri”, theksoi ai.
Tek artikulli ‘Kur anija me rrema ishte një kalë me fletë’, në librin ‘Ulqini në gjurmët e shekujve’ Prof.Dr. Ushaku tregon mjaft qartë për ‘Kalin e Trojës’, i cili mund të ishte anije.
“Kali i famshëm i Trojës i cili sipas Homerit, Virgjilit, paraqitet si një kalë i drunjtë, duke pasur parasysh kontekstin detar a ujor ku zhvillohet lufta e Trojës, nuk ka arsye të mos kuptohet si një modifikim poetik-legjendar i një kali të drunjtë historik, që në gojëdhëna mund të jetë përdorur si metaforë për anijet e drunjta të rëndomta, apo edhe të atyre me figurën e kokës së kalit, si shenjë kulti a totemi”, thuhet në këtë artikull. Pastaj tek artikulli ‘Misteret e Bunës legjendare’ të po të njëjtit libër sqarohet në hollësi Lufta e Trojës dhe paraqiten pothuajse shumë detaje, ku në fund Prof. Dr. Ruzhdi Ushaku flet edhe për Kalin e Trojës.
“Nga kjo gjurmë e lashtë artistike pata bërë kërkime më të plota e më të thella filologjike-gjuhësore të cilat dëshmojnë se Kali i Drunjtë duhet të ketë qenë historikisht anije me krye kali dhe, analogjikisht, anija, në mënyrë metaforike do të jetë quajtur Kalë i drunjtë, që në kohët e pas luftës së vërtetë të Trojës do të jetë kuptuar fjalë për fjalë si Kalë prej druri duke marrë ngjyrë imagjinatave-legjendare ashtu siç përshkruhet në veprën e Homerit”, shkruan në këtë artikull Ushaku.
Ndërsa tek libri ‘Hulumtime Linguistike’ Prof.Dr. Ushaku shkruan se i quajturi Katalogu i anijeve, i cili ka qenë objekt studimi i shumë homerologëve, pra edhe objekt i supozimeve për ndonjë ndërfutje, aq më parë kur dihet se anijet përmenden në një kontekst Trojan, dhe siç thotë ai kuadri detar na del me parakalimin e një flotë, madje një flotë e cila arrin në liman pra një ambient detar u ngatërruar me ngjarjet në tokë.
“Në këngën e IV të Odisesë (Vargu 707) anijet identifikohen edhe me togfjalëshin kuajt e detit, pra përdoret në funksion të një ndajshtimi kur nga goja e Penelopës shqiptohen si këto anije të shpejta, këta kuaj të detit”, shkruan ndër të tjera Ushaku.
Prof. Dr. Ruzhdi Ushaku shumë kohë më parë ka paraqitur edhe fakte të tjera në këto libra lidhur me këtë mister të cilin siç duket është i pari që e ka zgjidhur, mirëpo duket se këtë primat e mori dikush tjetër.
Ruzhdi Ushaku është nga Ulqini. Më 2006 u pranua anëtar-akademik aktiv në Akademinë Evropiane të Arteve me seli në Leuze të Belgjikës. Më 2013 nderohet me titullin ‘Le Diplome de Plague D’Homeur’ të rendit Evropian të Arteve për kontributin e tij në çështje të shkencave letrare dhe të Arteve./Arbresh.info
28 Nëntori, Konjufca bën homazhe në Prekaz e Boletin
‘Sulme masive’ në sektorin energjetik të Ukrainës, thotë min...
Horoskopi ditor, zbuloni parashikimet e yjeve
Parashikimi i motit për sot
Deti Mesdhe po ngrohet më shpejt se pjesa tjetër e botës, si...
Trump emëron Keith Kellogg si të dërguar special për Ukrainë...