Google ADS

Marrëveshje bashkëpunimi mes universiteteve të Gjilanit dhe Tetovës

12:04 | 12 Maj 2015
Arbresh.info

Një Marrëveshje bashkëpunimi mes Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe Universitetit “Kadri Zeka” të Gjilanit u nënshkrua sot në Tetovë nga u.d. rektor i Universitetit “Kadri Zeka” Naim Syla dhe prorektori për arsim i Universitetit të Tetovës, Fehari Ramadani.

Drejtuesi i Universitetit të Gjilanit Naim Syla, me këtë rast tha  se me marrëveshjen ndërmjet dy institucioneve të arsimit superior nga Kosova dhe Maqedonia, do të ketë lëvizje  të kuadrove mësimor, me qëllim të promovimit dhe organizmit të seminareve , kurseve, konferencave, projekteve kërkimore-shkencore të përbashkëta ose ndaras, udhëheqje dhe vlerësime të temave master dhe të doktoratës etj. Gjithashtu, do të mundësohet qarkullim të botimeve, si tekste universitare, revista shkencore, fletushka pedagogjike etj., si dhe çdo aktivitet tjetër i cili konsiderohet me interes për palët. Një kujdes i veçantë do t’i kushtohet projekteve me karakter ndërkombëtar, tha Syla.

Nga ana e tij, prorektori për arsim  i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Fehari Ramadani, tha se, mes tjerash, bashkëpunimi do të realizohet mbi bazën e shkëmbimit reciprok të anëtarëve të fakultetit, asistentëve dhe studentëve, me qëllim të realizimit të procesit mësimor, ndonjë projekti shkencor e të ngjashme. Po ashtu, sipas Ramadanit, sipas marrëveshjes do të ketë organizime të përbashkëta mes Universiteteve, si ligjërata të profesorëve mysafirë, konferenca shkencore, shkolla verore, etj.

Në takimin që u realizua në Rektoratin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, U.D. rektori i Universitetit “Kadri Zeka” është shoqëruar nga prorektori për Arsim, Sadik Haxhiu.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme