MF dhe BERZH flasin për rehabilitimin e hekurudhës

11:35 | 10 Nëntor 2016
Arbresh.info

Përfaqësues të Ministrisë së Financave janë takuar me Zyrtarë të lartë të Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim (BERZH) në Kosovë, ku u diskutua për projektet infrastrukturore në sektorin e transportit, me theks të veçantë projektit për rehabilitimin e hekurudhës, si dhe projektit të rrugëve regjionale.

Sipas një komunikate të Ministrisë së Financave, zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi i shoqëruar nga  ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku dhe nga zyrtarë tjerë të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Infrastrukturës, sot kanë mbajtur takim me Zyrtarë të lartë të Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim (BERZH) në Kosovë, ku u diskutua për portfolion me BERZH-in.

“Rëndësi e veçantë  në këtë takim ju kushtua projekteve infrastrukturore në sektorin e transportit, me theks të veçantë projektit për rehabilitimin e hekurudhës, si dhe projektit të rrugëve regjionale.  Ky është takimi i dytë me radhë me këtë institucion të rëndësishëm financiar, në vazhdën e takimeve të rregullta të përbashkëta të Ministrisë së Financave  me palët implementuese të projekteve dhe me Kreditorin përkatës që financon projektet përmes huamarrjes me Qeverinë e Republikës se Kosovës, për të diskutuar rreth implementimit të suksesshëm të projekteve me financim nga huamarrja shtetërore Ministria e Financave”, thuhet në komunikatë.

Qëllimi i organizimit të këtyre takimeve nga Ministria e Financave është që të diskutohet kryesisht për tejkalimin e sfidave  të cilat mund të shkaktojnë problem në implementimin e suksesshëm të projekteve dhe adresimin e tyre, si dhe të sigurohemi që obligimet ndaj kreditorëve të përmbushen në kohën e caktuar dhe duke u bazuar në marrëveshjet e arritura nga palët përkatëse.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme