Vazhdon panairi i Librit “Tirana 2016”

07:54 | 10 Nëntor 2016
Arbresh.info

Panairi i Librit është një ngjarje nga më të rëndësishmet kulturore për botën shqiptare, që do të ketë si objekt paraqitjen e botimeve më të mira të hedhura në qarkullim në harkun kohor të një viti, nëntor 2015 – nëntor 2016.

Ky panair bashkon të gjithë njerëzit që merren me letrat shqipe: autorët, botuesit, lexuesit, përkthyesit, përfaqësuesit e shtypit dhe të medies e të tjera, me synimin për të krijuar e zhvilluar kontakte tradicionale midis tyre, duke synuar promovimin dhe nxitjen e leximit në masat e gjera, veçanërisht te të rinjtë, në kushtet e mungesës së sistemit të shpërndarjes së librit në vendin tonë.

Ky është panairi i 19-të që zhvillohet radhazi në qytetin e Tiranës nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, e cila organizon Panairin e Librit të Tiranës qysh prej vitit 1998. Panairi ka filluar dje dhe do të vazhdojë deri më datë 13 nëntor. Shoqata e botuesve si çdo vit edhe këtë herë organizon pasqyrimin e veprimtarisë librore që zhvillohet jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por në gjithë hapësirën shqiptare: Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe diasporë. Panairi do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme