Google ADS

Universiteti i Prishtinës Fut Praktikën si Kriter për Formim Profesional

17:30 | 8 Mars 2015
Arbresh Info

Etnik Rudi i cili vitin e kaluar ka filluar studimet për Fizikë në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore ka ambicie të mëdha për të ecur larg me profesionin e tij, por thotë se mungesa e praktikës po i bënë telashe atij dhe kolegëve.

Ai tregon se deri më tash asnjëherë nuk kanë mbajtur praktikë të mirëfilltë.

“Deri më tash nuk kemi mbajt praktikë, kemi bërë eksperimente të ndryshme ashtu si janë në programin e Departamentit të Fizikës” tha ai.

Etniku thotë se do e mirëpriste praktikën pasi që ajo e përgatit për tregun e punës.

Punët me praktikë në Universitetin e Prishtinës kanë qëndruar keq vite e dekada me radhë.

Elheme Pllana e cila ka bërë katër vjet studime në Drejtimin Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin Filologjik thotë se ka mbajtur praktikë pune vetëm dy javë dhe atë në vitin e fundit të studimeve.

Ajo thotë se po të kthehej prapa do ishte e lumtur të mbante praktikë për çdo vit të studimeve.

“Praktika është një gjë me të cilën ti mund ta shohësh veten edhe më larg, gjatë këtyre katër vjetëve ne nuk kemi pasur mundësi ta praktikojmë punën tonë si profesoreshë nëpër Gjimnaze”, tha ajo .

Për Etnikun, Elhemen dhe mijëra kolegë të tij, Universiteti i Prishtinës ka vendosur ta ndërrojë traditën e të mësuarit mekanik, pa praktikë.

Shumë shpejt, mësimet e tyre teorike do të ndërlidhen me punë praktike në mënyrë që të jenë më të përgatitur për tregun e punës, thotë për KALLXO.com Lindita Tahiri Prorektore për bashkëpunim ndërkombëtar dhe cilësi në Universitetin e Prishtinës.

Mungesa e punës praktike ishte një nga vërejtjet e Komisionit Europian në Raportin e Progresit për çka Universiteti i Prishtinës po merr masa për të përmirësuar gjendjen.

Tahiri tregon se si do të duket koordinimi i studentëve me institucionet dhe kompanitë private.

“Nëse bëhet fjalë për Fakultetin Ekonomik, merret Ministria e Financave, ose nëse bëhet fjalë për Fakultetin e Edukimit, Ministria e Arsimit, apo për Fakultetin e Mjekësisë atëherë është Ministria e Shëndetësisë dhe kompani të tjera relevante në treg” u shpreh ajo.

Ajo thotë se arsyeja e kësaj risie në Universitetin e Prishtinës është që studentët nuk kanë dalur të përgatitur për tregun e punës ndërsa punëdhënësit nuk e ka bërë të qartë se çfarë shkathtësi kërkohen nga studentët.

Ajo konkretizoi se cili është roli i punëdhënësve dhe u dha një porosi atyre.

“Këta punëdhënës do të ofrojnë praktika për studentët dhe këto praktika shpresoj të mos bëhen në mënyrë vullnetare ose në mënyrë individuale por në mënyrë institucionale në mënyrë që studentët ta kenë për obligim që t’i kryejnë për shembull 150 orë pune”, tha Tahiri.

Ajo që veç e njeh këtë praktikë që nga viti 2007  është Mimoza Ibrani, Prodekane për Çështje Akademike në Fakultetin e Inxhenierisë Elektrike dhe Kompjuterike.

Ky fakultet i ka mbi 3 mijë studentë dhe e praktikon ndërlidhjen e mësimit teorik me atë praktik.

Ibrani tregon se që nga ajo kohë, praktika mbetet kriter i formimit profesional në këtë Fakultet.

“Të gjithë studentët e nivelit bachelor obligohen që të kalojnë 150 orë punë në një industri apo kompani pastaj atë përvojë ta reflektojnë para një paneli me përfaqësues nga industria dhe nga komuniteti akademik”, thotë Prodekanja Ibrani.

Ajo tregon se që nga aplikimi i kësaj praktike, Fakulteti i Inxhenierisë Elektrike dhe Kompjuterike ka avancuar shumë.

“Programet e studimit të cilat ne i ofrojmë janë të krahasueshme me programet e niveleve europiane dhe ky nuk është një vetë-vlerësim, ky vlerësim derivon nga ekspertët ndërkombëtarë”, tha Ibrani.

Ky program është në fazën e parë të formimit dhe pritet që të rrisë kualitetin e studentëve të sapodiplomuar në Universitetin e Prishtinës./kallxo.com/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme