Google ADS

Kryeministri Mustafa vizitoi BERZH-in

19:15 | 2 Nëntor 2016
Arbresh.info

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa vizitoi sot Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Londër, ku pati një takim me Presidentin e Bankës, Sir Suma Chakrabarti.

Kosova është bërë pjesëtare e BERZH si dhe vend i operacioneve në dhjetor të vitit 2012. Deri më tani, BERZH ka investuar në 50 projekte në Kosovë, që arrijnë një shumë prej më tepër se 200 milionë €. Në tetor të vitit 2016, Bordi i Drejtorëve të BERZH ka miratuar strategjinë e re të vendit për punën e kësaj Banke në Kosovë me tri prioritete që mbështesin zhvillimin e konkurrueshmërisë në sektorin privat, përmirësimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së furnizimit me energji dhe mbështetjen e konektivitetit dhe integrimit rajonal.

Para miratimit të strategjisë së re për vendin, Presidenti i BERZH, Chakrabarti vizitoi Kosovën në qershor të vitit 2016, në vazhdën e një turneu më të gjerë në Ballkanin Perëndimor. Në muajin shkurt të këtij viti, kryeministri Mustafa përcolli Samitin e Investimeve të Ballkanit Perëndimor në BERZH.

Siç njofton Zyra e kryeministrit, Presidenti Chakrabarti e mirëpriti mundësinë që të takohet me kryeministrin dhe delegacionin e lartë qeveritar nga Kosova, ku tha se jemi të gatshëm që të thellojmë dhe zgjerojmë bashkëpunimin me Kosovën. “Jemi fuqimisht të përkushtuar që ta mbështesim zhvillimin e sektorit privat në një bazë të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, si dhe integrimin rajonal të vendit. Vetëm gjatë këtij viti unë e kam vizituar Ballkanin Perëndimor dy herë dhe ajo çfarë pashë ishte inkurajuese. Tani kemi një përpjekje të vërtetë reformuese dhe BERZH është e gatshme të ofrojë ndihmën e saj me investime dhe dialog politik”, tha ai, transmeton KosovaPress.

Kurse kryeministri Mustafa shtoi se BERZH-i është duke mbështetur zhvillimin ekonomik të Kosovës, si dhe zbatimin e shumë projekteve. “Sot, ne kemi marrë mbështetje konkrete nga Presidenti Chakrabarti për projekte të cilat janë të parapara në prioritetet e Qeverisë së Kosovës dhe do të kenë ndikim në përmirësimin e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik dhe avancimin e cilësisë së jetës së njerëzve. Qeveria e Kosovës mirëpret strategjinë e re të BERZH-it për Kosovën dhe pret përfshirje më të madhe të BERZH-it në mbështetjen e sektorit privat, sidomos tani pas vlerësimit pozitiv nga ana e Bankës Botërore për kushtet e të bërit biznes në Kosovë”.

Delegacioni i Kosovës do të shfrytëzojë vizitën në Londër për diskutim të detajuar me përfaqësuesit e menaxhmentit të BERZH-it dhe për të diskutuar për projekte konkrete.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme