Buxheti i 2017, më shumë shpenzime se të hyra

16:46 | 1 Nëntor 2016
Arbresh.info

Kosova vitin e ardhshme do të ketë buxhetin më të lartë që nga paslufta me mbi 2 miliardë euro. Nëse krahasohet me buxhetin e këtij viti ka rritje për 6 përqind apo rreth 400 milionë euro më shumë se buxheti i këtij viti që është 1 miliard e 598 milionë euro. Me rritjen e buxhetit për vitin e ardhshme, Qeveria synon të arrijë rritjen ekonomike për 4.4 përqind, ndërsa, këtë vit pret të përmbyll vitin me normën e rritjes ekonomike 4 përqind.

Në projekt buxhetin që Qeveria do ta dërgojë në Kuvend, kjo rritje bazohet nga të hyrat e përgjithshme tatimore që janë 1 miliardë e 725 milionë euro. Ndërsa, shpenzimet e përgjithshme do të jenë mbi 2 miliardë euro. Shpresë në rritje të buxhetit për 2017, mbeten projektet në fushën e energjisë, si ai i Kosovës së Re dhe ligjin për investime strategjike.

Qeveria për vitin e ardhshme parasheh rritje të investimeve kapitale për rreth 45 përqind më shumë se këtë vit. Në vitin 2017, ka paraparë investime kapitale në vlerë prej 723 milionë euro, këtë viti ishin 500 milionë euro.

Rritje të shpenzimeve parashihet të ketë edhe tek pagat mëditjet, mallrat dhe shërbimet. Pagat janë rritur për 3.8 përqind apo shprehur në milionë, 570 milionë euro, derisa këtë vit për këtë kategori janë shpenzuar 549 milionë euro.

Tek kategoria e mallrat dhe shërbimeve ka rritje me 8.2 përqind, nga 204 milionë sa janë këtë vit, vitin që vjen janë paraparë të shpenzohen rreth 224 milionë euro.

Në infrastrukturë, do të vazhdohet ndërtimi i autostradë Prishtinë-Hani i Elezit në nivel më të larat, planifikohet ndërtimi i autostradës për Gjilan. Kurse, për ndërtimin e rrugëve të reja janë ndarë 16 milionë euro. Për këtë kategori, Qeveria i ka paraparë të ndaj Ministrisë së Infrastrukturës 257,749,108 euro.

Qeveria në buxhetin e vitit të ardhshëm adreson projekte zhvillimore dhe të rëndësisë nacionale, duke u fokusuar edhe tek fusha e shëndetësisë. Investimet në sigurimin shëndetësore janë paraparë të ndahen rreth 17 milion euro. Po ashtu, parashihen edhe ndërtimi dhe renovimi i objekteve të mjekësisë. Në fushën e arsimit të lartë parashihet ndërtimi i disa objekteve të universiteteve në vlerë prej 4 .8 milionë, në veçanti ndërtesën e Fakultetit Ekonomik-Juridik në Prishtinë. Po ashtu, Qeveria ka paraparë ndarje buxhetore për pajisje për ristrukturimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në shumën prej 18.5 milionë euro.

Shpenzimet rrjedhëse në vitin 2017, si përqindje e Bruto Produktit Vendor (BPV) do të bie nga 20.3 përqind në 19.8 përqind e BVP. Ndërsa me buxhetin e 2017, parashihen të financohen edhe pensionet për veteranët e luftës dhe kategoritë të tjera të luftës në një vlerë prej 50 milionë euro. Në bujqësi parashihen projekte kapitale që kanë për qëllim përmirësimin e produktivitetit dhe rritjen e produktivitetit në këtë sektor, siç janë sistemi i ujitjes dhe disa projekte të tjera në vlerë prej 4,972,668 euro. Për rastet emergjente, Qeveria i ka të ndara 46 milionë euro. Ndërsa 25 përqind e të hyrave të përgjithshme janë të dedikuara për komunat, buxheti total i komunave do të jetë 440 milionë euro që është 15 milionë euro më i lartë se në vitin 2016.

Deficitit buxhetor për vitin 2017 përllogaritet të jetë 1.5 përqind, ky deficit sipas parashikimeve të Qeverisë do të financohet nga huamarrja emetimi i letrave me vlerë.

Kurse, për vitin e ardhshëm, Qeveria do të marrë hua 105 milionë euro mjete të cilat do të shkojnë në investime kapitale./

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme