Një violinist nga Ukraina, një flautist nga Kosova, të udhëhequr nga një dirigjent nga Japonia, nesër (e martë) do të interpretojnë në një koncert të organizuar nga Orkestra Simfonike e Filharmonisë së Kosovës.
Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë në Prishtinë, nesër nga ora 20:00 do të presë artdashësit me interpretime të veprave koncertale të kompozitorëve të njohur Ludwig Van Beethoven, Rafet Rudi dhe Manuel De Falla, të inskenuara përmes trios së muzikantëve, violinistit nga Ukraina Oleg Kaskiv, flautistit nga Kosova Visar Mehmeti dhe dirigjentit japonez Toshio Yanagisaëa.
Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, tha se edhe ky koncert vjen si bashkëpunim i Filharmonisë me festivalin ‘Kamer Fest’, i cili është një ndër festivalet e para të këtij lloji në Kosovë. Jashari tha se në këtë koncert do të jenë protagonist violinisti nga Ukraina Oleg Kaskiv, flautisti nga Kosova Visar Mehmeti dhe dirigjenti japonez Toshio Yanagisawa.
“Filarmonia e Kosovës është në përgatitje finale të koncertit të radhës i cili do të mbahet nesër, pra me 1 nëntor, ditë e martë nga ora 20:00, këtu në Sallën e Kuqe. Ky koncert është koncert i rregullt, por si zakonisht shumë koncerte të Filharmonisë realizohen edhe në bashkëpunim me festivale të ndryshme që veprojnë në Kosovë, kësaj radhe, pra zakonisht në tetor dhe në nëntor bashkëpunimi vazhdon tradicionalisht me festivalin Kamer Fest… Ky bashkëpunim konsiston me angazhimin e violinistit nga Ukraina, Oleg Kaskiv, i cili do të luaj në violinë…dhe së dyti kemi edhe një kosovar, është Visar Mehmeti, flautist i ri por me mjaft perspektivë, i cili do të luaj veprën ”Impresioni për flaut dhe orkestër” të kompozitorit Rafet Rudi…Në program kemi dy vepra koncertale, pra atë të Bethovenit dhe të Rafet Rudit, dhe do të udhëhiqen nga dirigjenti Toshio Yanagisawa, që vjen ng a Japonia, dirigjent tashmë i njohur për publikun kosovarë që njëkohësisht është edhe dirigjent permanent i Filharmonisë”, tha Jashari.
Ndërsa, violinisti nga Ukraina Oleg Kaskiv, në konferencën e sotme për media, tha se bashkëpunimi me Orkestrën Simfonike të Filharmonisë së Kosovës e ka bërë që të ndjehet shumë rehat, dhe për këtë ai premtoi që nata e nesërme do të jetë me një prezantim të veçantë.
“Ishte një bashkëpunim i bukur me Orkestrën Simfonike dhe me të vërtetë u ndjeva shumë rehat dhe ka shumë njerëz të mrekullueshëm këtu dhe miqësorë. Me maestron patëm një lidhje të mirë bashkë dhe me të vërtetë jam kënaqur që nga fillimi kur kam ardhur këtu. Për nesër në mbrëmje me të vërtetë shpresoj se do të jap më të mirën time nga zemra ime për njerëzit të Kosovës që do të vijnë në koncert, që të mundohen ta shijojnë sa më shumë që është e mundur”, tha Kaskiv.
Visar Mehmeti, flautisti i ri nga Prishtina, tha se është hera e tij e parë që do interpretojë me Filharmoninë e Kosovës dhe për këtë ai ndihej i nderuar që po i epet rasti të luaj veprën premier të kompozitorit të njohur shqiptarë, Rafet Rudi.
“Për mua është hera e parë që do të ekzekutoj, do të thotë do të performojë me Filharmoninë e Kosovës. Ky është një nder shumë i veçantë që të performoj veprën premier të profesorit Rafet Rudi, vepra është mjaft atraktive, besoj që publiku do të ndahet i kënaqur, kemi punuar jashtëzakonisht shumë me orkestrën”, tha Mehmeti
Kurse, dirigjenti nga Japonia Toshio Yanagisawa, tha se veprat që nesër do të interpretohen në Sallën e Kuqe, janë vepra që ia vlen të dëgjohen për të veçantat dhe bukuritë që transmetojnë. Ai tha se me rëndësi është që në skenë do të interpretohet edhe vepra e një kompozitori nga Kosova.
Publiku kosovarë do të ketë rastin që për një orë e njëzetë minuta, sa do të zgjasë koncerti, të përcjellin një program mjaftë të pasur koncertal të përgatitur nga Orkestra Simfonike e Filarmonisë së Kosovës.
28 Nëntori, Konjufca bën homazhe në Prekaz e Boletin
‘Sulme masive’ në sektorin energjetik të Ukrainës, thotë min...
Horoskopi ditor, zbuloni parashikimet e yjeve
Parashikimi i motit për sot
Deti Mesdhe po ngrohet më shpejt se pjesa tjetër e botës, si...
Trump emëron Keith Kellogg si të dërguar special për Ukrainë...