Google ADS

Filmi “Babai” shfaqet në Festivalin Evropian të Filmit në Calgary të Kanadasë

10:37 | 31 Tetor 2016
Arbresh Info

Pas shumë paraqitjeve në festivale ndërkombëtare, filmi Babai, i regjisorit Visar Morina, do të shfaqet më 11 nëntor në Festivalin Evropian të Filmit në Calgary të Kanadasë. Në edicionin e pestë të këtij festivali do të shfaqen filma nga 16 shtete evropiane.

Ky film, i regjisorit prishtinas që jeton në Gjermani, Visar Morina, paraqet njërin nga filmat më ambicioz që janë bërë pas luftës në Kosovë.

Filmi Babai ishte nominuar vitin e kaluar për film më të mirë në kategorinë e Filmit më të mirë të huaj në Oscar.

Po ashtu ka marrë pjesë këtë vit edhe në festivalin prestigjioz Berlinale, ndërsa pjesëmarrja e filmit në këtë festival është mundësuar falë angazhimit të Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze në Calgary.

Filmi sjell rrëfimin për ngjarjet në Kosovë gjatë viteve të 90-ta të shekullit të kaluar kur shqiptarët luftonin për mbijetesë pas okupimit serb dhe shpëtimin e shihnin duke emigruan në Evropë.

Gëzimi, (AstritKabashi), i cili bashkë me djalin e tij Nori (Val Maloku) shisnin cigare rrugëve të Prishtinës, gjen mënyrën për të emigruar ilegalisht në Gjermani.

Ndërkohë pas tij niset edhe Nori, duke kaluar nëpër peripeci nga më të ndryshme vetëm për t’u bashkuar me babanë.

Drama e vërtetë zhvillohet pas bashkimit në Gjermani, ku ngërthehen momentet psikologjike për të qenë së bashku babë e bir.

Ballafaqimi me vështirësi të natyrave të ndryshme, marrëdhëniet midis tyre zbërthehen në pikën ku asgjë nuk ishte si më parë.

Përpos aktorit kryesor Astrit Kabashi, në film luajnë Enver Petrovci, Adriana Matoshi, Aurita Agushi, Armond Morina, ndërsa ky është film debutues për djaloshin Val Maloku.

Filmi është koproduksion ndërmjet Niko Film nga Gjermania, produksionit Krusha nga Kosova dhe Skopje Film Studio nga Maqedonia, ndërsa është mbështetur edhe nga Qendra Kinematografike e Kosovës, nga fondacionet gjermane të filmit Film und Medien Stiftung NRW, fondacioni FFA, si dhe nga Fondi Maqedonas i Filmit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme