Hapet ekspozita e veturave në Prishtinë

19:34 | 28 Tetor 2016
Arbresh.info

Sot për herë të parë në Prishtinë është hapur ekspozita e veturave, ku janë prezantuar 25 brende, ndërsa çmimet e tyre janë promocionale. Ekspozita është hapur nga Shoqata e Importuesve të Automjeteve të Reja (SHIAR).

Kryetari i Shoqatës së Importuesve të Automjeteve të Reja (SHIAR), Bujar Hoxha tha se po bëhet hapja e Auto EXPO dhe është hera e parë që mbahet një ekspozitë e tillë në Kosovë. Ai tha se do mundohen ta bëjnë tradicionale këtë lloj ekspozite, mirëpo një panair në përmasë më të madhe do të bëhet gjatë muajit prill ose maj të vitit të ardhshëm.

Hoxha këtë lloj ekspozite e konsideron si mundësi shumë të mirë, pasi sjellën veturat e reja si dhe pothuajse të gjitha përfaqësitë e veturave kanë ofruar çmime promocionale dhe garancione nga 3, 5 deri në 7 vite.

 

“Sot po hapim një Auto EXPO Marigona, ku do të bëhet prezantimi i 25 markave të auto-veturave të reja, të cilat janë prezentë në Kosovë. Kjo është hera e parë që mbahet një lloj i këtij eventi dhe do të jetë e hapur të shtunën dhe të dielën, prej orës 10:00 deri në ora 20:00 në mbrëmje. Shpresojmë që ta bëjmë tradicional, ta bëjmë edhe në vitin tjetër, ndërkohë mendojmë të bëjmë edhe ndonjë panair nga muaji prill-maj, është një mundësi shumë e mirë ku të gjitha brendet janë mbledhur këtu… Opinioni ka mundësi t’i sheh veturat për së afërmi, është më rëndësi të cekim se të gjitha përfaqësitë e automjeteve janë tani në Kosovë. Në këtë event shumica apo të gjithë, kanë ofruar çmime promocionale dhe gjithashtu bëhet edhe prezantimi i serviseve. Të gjitha këto vetura kanë garancione 3, 5 ka edhe me 7 vite, është mundësi e mirë, ku klienti mund të njoftohet edhe me oferta të ndryshme edhe me mirëmbajtjen e këtyre veturave”, tha ai, njofton KosovaPress.

Ndërsa, Zgjim Mita, i cili është anëtarë i SHIAR-it si dhe përfaqësues i veturave Renault, Nissan dhe Dacia tha se servisi i tij “Auto Mita” në bashkëpunim me SHIAR-in dhe anëtarët e tjerë, kanë organizuar Auto EXPO për të ngritur çështjen e problemeve me veturat e përdorura në vendin tonë, siç janë defektet, konsumimi dhe aksidentet që shpesh herë po përfundojnë me fatalitet.

Sipas Mitës ky është viti i veturave të reja, sepse është hequr dogana, veturat janë liruar në mbi 10 për qind si dhe janë ulur kamatat. Blerjen e veturës Mita e cilëson si partneritet afatgjatë, pasi që mandej pason edhe garancioni dhe servisimi.

 

“Sot këtu përfaqësojmë shoqatën e automobileve të reja në Kosovë, e nën ombrellën e saj kemi organizuar Auto EXPO, me qëllim për të adresuar një problem shumë evident në komitetin tonë. Njerëzit kanë probleme të shumta me veturat e tyre të përdorura, të cilat kanë defekte të mëdhaja, konsumim të madh, aksidente të mëdhaja, të cilat përfundojnë me fatalitet. Është viti i veturave të reja, kur dogana është hjek, veturat janë liruar për mbi 10% edhe kanë një diferencë shumë të vogël me veturat e vjetra. Janë institucionet financiare që i kanë ulë drastikisht kamatat dhe janë kamata në nivel regjional, prandaj si e tillë është koha kur njerëzit duhen me ble veturën e re, njerëzit po udhëtojnë shumë e më shumë. Në shoqatë përfaqësojmë 12 kompani importuese në mbi 25 brende, këtu jemi prezent me diku 23 marka. Blerja e veturës është një partneritet afatgjatë me shtëpinë, ku blihet vetura, aty mandej ë shtë servisimi, garancioni dhe gjithçka tjetër”, tha Mita.

Ekspozita do të jetë e hapur më 28, 29 dhe 30 tetor, nga ora 10:00 deri në ora 20:00, në ambientet e Çarshisë në “Marigona Residence”

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme