Nga: Dalip Greca
Për një kohë të gjatë vështirësitë që gjente teoria Darwianiane e evolucionit gradual të llojeve i ka ndjerë edhe Profesor Nelson Çabej dhe, duke u marrë me to, ka zhvilluar teorinë e vet të evolucionit.Ai arriti në idenë themelore mbi rolin qëndror të informacionit epigjenetik në zhvillimin dhe evolucionin e botës së gjallë rreth 12 vjet më parë.Tashmë ka një teori, që mban emrin e tij.
Profesor Nelson R Çabej, që jeton në New Jersey, ka një jetë që merret me shkencë, por, përveç revistave të huaja, media shqiptare nuk ka pasë kohë të merret me të.Ndoshta nga që ai është tepër modest dhe nuk mund të dalë para gazetarëve dhe të rrahë gjoksin”Ej , unë jam ai që kam tronditur botën akademike me teorinë time, që i kundërvihet evolucionit gradual të Darvinit”. Ai ka tashmë “patentën” e teorisë së vetë, por nuk është kujtuar askush që t’i akordojë atij qoftë edhe një titull të thjeshtë merite,megjithëse kemi krijuar një ushtri me “Mjeshtra të Mëdhenj” e me “Nder i Kombit”, edhe pse profesori është aq i njohur në rrethet shkencore, jo vetëm në Amerikë.
Është edhe përgjegjësia e ne, gazetarëve, që në median shqiptaro-amerikane, përcjellim si sensacione ndodhi të rëndomta, shpesh folklorike, apo tjerrim lajme se aksh president amerikan, apo zv/president, për senatorë apo kongresistë, që drekojnë apo darkojnë në pizzeritë a restorantet e shqiptarëve, por nuk shkruajmë dy radhë për profesorin, librat e të cilit kanë hyrë në rreth një mijë biblioteka universitare amerikane, dhe ka arritur që të renditet në top-listën e librave shkencorë më të lexuar. Nuk e di nëse profesorët e fakulteteve të Shkencave të Natyrës, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, kur spjegojnë teorinë e Darvinit, a u përcjellin studentëve informacionin se ka një shkencëtar në Amerikë, teoria e të cilit,është kundrvënse e asaj të Darvinit për evolucionin gradual, që tashmë studiohet në universitetet amerikane, kanadeze, izraelite etj?! Një teori antirrymë.
Nelson R Çabej është autori i shumë librave në fusha të ndryshme të biologjisë (gjenetike, biologjia teorike, filozofia e evolucionit, biologjisë dhe zhvillimit etj). Ai jeton me gruan, Nikoletën dhe djalin, Redonin, në pjesën veriore të New Jersey, USA. Ndërmejtës i takimit tim dhe intervista me Profesor Çabejn, është dr. Hasan Ademaj, nga Kosova. Ai e kishte lexuar librin e profesorit dhe kishte ndjekur ecurinë e tij. Më kishet folë plot entuziazëm për pritjen që i kanë bërë studimeve të profesorit qarqet shkencore në Amerikë dhe shtete të tjera. Rasti është mbret, thotë një shprehje popullore. Gjatë vizitës së tij në Paris, Prof. Çabej kishte takuar Doktorin e Shkencave Arsim Spahiu, i cili i kishte kërkuar që pesë librat e tij t’i sillte në bibliotekën e Vatrës. Korrekt si gjatë të gjithë jetës së tij, Profesor Çabej, i kërkoi dr. Hasanit që të ndërmjetësonte për plotësimin e kësaj porosie. Kështu u takuam tek Vatra. Më pas një kafe dhe intervista.
SI LINDI TEORIA E EVOLUCIONIT E PROFESOR ÇABEJT?
Profesor Nelson Çabej mendon se Darwini ka qënë dhe mbetet një kolos i shkencës botërore, por shkenca nuk është dogmë e pandryshueshme. Teoritë shkencore krijohen mbi bazën e atyre që dihen në kohën e krijimit të tyre, por vjen një kohë që çdo teori duhet të modifikohet ose dhe të zëvëndësohet për të shpjeguar dukuritë e reja që zbulohen. Në një kuptim të ngushtë teoria e seleksionit natyror është po aq e vërtetë sot sa edhe një shekull e gjysëm më pare, kur Darwini e parashtroi atë. Por ndërsa gjeniu me seleksionin natyror shpjegoi se si në brezat e njëpasnjëshme mbijetojnë e lënë më shumë pasardhës ata individë që pësojnë ndryshime të vogla të favorshme, njohuritë e kufizuara të kohës nuk e lejuan atë të kuptonte se si lindin ato ndryshime që sjellin evolucionin. Me zhvillimin e gjenetikës dhe zbulimin e genit, biologët menduan se ndryshimet e vogla Darwiniane ishin ndryshimet në genet (mutacionet genike) të cilat sjellin evolucionin. Por shumë fakte të zbuluara në këtë gjysmë shekullin e fundit bien në kundërshtim me këtë shpjegim gjenetik.
Mbi të gjithë këta fakte është dukuria që sot njihet si ”eksplozioni Kambrian”, që ndodhi rreth 542 milion vjet më parë, kur dolën në mënyrë jo graduale darwiniane, por në mënyrë “eksplozive” të menjëherëshme, të gjitha grupet e mëdha të kafshëve që ekzistojne sot. Janë paraqitur një numër teorish të reja për ta shpjeguar këtë dukuri enigmatike, por asnjera prej tyre nuk jep një mekanizëm bindës të eksplozionit Kambrian dhe dukurive të tjera. Biologët anembanë botës sot janë në “garë” për të gjetur shpjegimin e këtij fenomeni. Për një kohë të gjatë veshtirësite që gjente teoria Darwianiane e evolucionit gradual të llojeve i ka ndjerë edhe Profesor Çabej dhe, duke u marrë me to, ka zhvilluar teorinë e vet të evolucionit.Ai arriti në idenë themelore mbi rolin qëndror të informacionit epigjenetik në zhvillimin dhe evolucionin e botës së gjallë rreth 12 vjet më parë.
TEORIA “ÇABEJ” TREGON SE NGA I MARRIN GJENET “INSTRUKSIONET”
Cili është thelbi i kësaj kundërvënie, që përcjell teoria “Çabej”? Sa janë përkrahësit dhe kundërshtarët? Me pak fjalë, ju jeni kundër rrymës, si do të formulohej kjo antirrymë?-kjo ishte njëra nga pyetjet që i drejtova profesor Çabejt. Përgjigja e tij: Megjithë të çarat e pariparueshme që ka marrë teoria gjenetike e evolucionit, për arsye të njohura, shumica e autorëve akoma mbeten besnikë të saj, edhe për shkak të inercisë. Por numri i atyre që vënë në dyshim dhe kundërshtojnë shpjegimin gjenetik të evolucionit vjen duke u rritur.
“Rryma e re” nuk është homogjene dhe brenda ka disa variante të ndryshme. Profesori më spjegon se Teoria e tij mbështetet në mekanizma epigjenetike (pas- ose mbigjenetike), të cilat kontrollojnë dhe regullojnë funksionin e geneve. Në mënyrë të thjeshtë teoria pohon se çdo gen “di” vetëm një gjë: të prodhojë një ose disa proteina. Por genet nuk dinë atë që është kritike për funksionin e tyre: kur, ku dhe për sa kohë duhet të prodhojnë proteinat. Teoria”Çabej” tregon se nga i marrin genet “instruksionet” për t’u “ndezur” ose “shuar”. Veç kësaj, organizmat e gjallë nuk jane “thasë” proteinash. Ato janë struktura marramëndësisht komplekse ku miliarda/triliona qeliza të qindra llojeve të ndryshme vendosen në vende të caktuara saktë për të formuar organizmin e kafshës, duke përfshirë edhe njeriun.
Teoria”Çabej” e shpjegon zhvillimin e organizmit nga veza deri në pjekuri, jo me informacionin gjenetik në ADN, por fillimisht me informacionin epigjenetik që prindët vendosin në qelizat seksuale (vezë e qelizë spermatike) e, më vonë, gjatë zhvillimit embrional deri në pjekuri, “instruksionet” për zhvillimin e organeve dhe formimin e organizmit vinë nga sistemi nervor në formën e sinjaleve kimike.
10 VJETË PËR TA SHKRUAR LIBRIN E “TEORISË ÇABEJ”
Teoria”Çabej” është konkretizuar në një libër voluminoz. Ky libër erdhi si kurorëzim i një pune 10-vjeçare. Pas provave të para që bëri duke hedhur për diskutim për disa vite idetë e veta me biologë nga shumë vënde të botës në newsgrupe të biologjisë ne internet, në vitin 2001 ai arriti të botoi një libër me titull “Quantic Evolution” (Evolucioni Kuantik), ndërsa në vitin 2004 – librin Neural Control of Development (Kontrolli Nervor i Zhvillimit Embrional) dhe pas tre vjetëve pune intensive,të lodhshme, por pasionante, në vitin 2008 arriti që të botoi teorinë “Çabej” në formë të plotë në një vëllim prej 900 faqesh, që mbante titullin “Epigenetic Principles of Evolution” (Parimet Epigjenetike te Evolucionit). Ai shprehet se “kam arsye të them se ky libër është vepra e jetës sime.” Në vitin 2012 ky libër u botua me të njëjtin titull, por tani jo më nga vetë autori, por nga Shtëpia Botuese amerikane “Elsevier”.
Vlerësimi pozitiv i librit të tij në dy recensione që dolën në dy revista serioze shkencore (Quarterly Review of Biology dhe BioEssays) nga dy specialistë të evolucionit në Kanada dhe Izrael ishte një rekomandim i mjaftueshëm për ta futur në planin e botimeve të Elsevier-it, Shtëpisë më të madhe të botimeve akademike në botë.
Rriten me 20 për qind rastet e fruthit në botë
Sot fillon Fushata Globale ” 16 Ditët e Aktivizmit Kun...
Sot mblidhet Kryesia e Kuvendit, mbi 50 pika në rend dite
Pochettino e injoroi dhe bëri sikur nuk e njeh, ish-ylli i C...
Autobusi del nga rruga dhe përfundon në humnerë, 17 viktima ...
Parashikimi i motit për sot në Shqipëri