Dëshmorët

09:17 | 21 Tetor 2016
Arbresh.info

Nga: Burim Etemaj

Rënia dëshmor është akti më madhor qytetar dhe patriotik që bëhet në shërbim të atdheut. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, falë rrugëtimit të gjatë të shumë gjeneratave, përpjekjeve dhe sakrificave të tyre, që kulmuan me luftën çlirimtare të UÇK-së. Gjatë këtij rrugëtimi, aspak të lehtë e më shumë peripeci, në mënyra e në rrethana të ndryshme; në rrugë e në sheshe, duke demonstruar për liri, për të drejta të barabarta e për Republikë; në burgje për shkak të bindjeve, angazhimeve dhe veprimtarisë politike kombëtare; gjatë qëndrimit në shërbim ushtarak dhe qëndresës në vijë të frontit ballë për ballë me forcat e armikut, ranë shumë dëshmorë.

Çdonjëri nga ne, kush më shumë e kush më pak, përveç nderimit meritor, të ndjerë si detyrë njerëzore dhe kombëtare, nganjëherë dimë që, varësisht nga rrethanat që na konvenojnë, të mburremi me ta, t’u thurim lavde, vargje poezi dhe t’u këndojmë këngë. Madje, subjektet politike shkojnë edhe më larg; dëshmorët i vlerësojnë dhe i nderojnë zakonisht në kohë të fushatave zgjedhore, duke tentuar që t’i politizojnë për së vdekuri dhe t’i përvetësojnë për interesa të ngushta politike partiake. Si rezultat i relacioneve tona të tilla me dëshmorët, si qytetarë, shoqëri, parti politike e institucione shtetërore, aktualisht jetojmë kohën kur jo të gjithë ata që bënë sakrificën sublime për Kosovën, çlirimin, lirinë dhe shtetin e saj, e kanë të njohur zyrtarisht statusin e merituar të dëshmorit. Sipas Ligjit për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave të Dhunës Seksuale të Luftës, Viktimave Civile dhe Familjarëve të tyre, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, dëshmorë janë: “1.6. Dëshmor i Kombit – Luftëtar i UÇK-së që: 1.6.1. ka rënë në luftë për lirinë e vendit; 1.6.2. është plagosur në luftë për lirinë e vendit dhe ka vdekur si pasojë e plagëve të marra brenda tri (3) viteve pas përfundimit të luftës”. Përmes këtij ligji, statusi i dëshmorëve u mohet mbi 135 dëshmorëve.

Po i përmend vetëm disa nga ta: Fazli Grajçevci, i vrarë në burg në vitin 1964; Murat Mehmeti, i vrarë në demonstratat e vitin 1968 në Prishtinë; Naser Hajrizi, i vrarë në demonstratë në vitin 1981; Tahir e Nebih Meha, të vrarë duke luftuar në Prekaz të Ulët në vitin 1981; Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, të vrarë në një atentat në Shtutgart në vitin 1982; Rexhep Mala, Nuhi Berisha e Bajram Bahtiri, të vrarë me armë në dorë në vitin 1984: Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, të vrarë duke luftuar në vitin 1989 në Prishtinë; Zija Shemsiu, i mbytur në burgun e Beogradit në vitin 1985; Xhemajl Blakaj, i mbytur në torturë në vitin 1984 në burgun e Pejës; Ali Ajeti, i vrarë duke luftuar në Besianë në vitin 1989; Ylfete Humolli, e vrarë në demonstratë në vitin 1990 në Besianë; Enver Hadri, i vrarë në vitin 1990 në Bruksel; Tahir Lush Berisha, i vrarë duke luftuar në Leshan të Pejës, në vitin 1992.

Natyrshëm, këta dhe shumë të tjerë meritojnë t’u njihet edhe zyrtarisht statusi i dëshmorit. Sepse rënia e tyre ishte rezultat i vetëdijes, punës, përcaktimit e angazhimit politik kombëtar dhe nuk ishte rënie aksidentale. Për ta përmirësuar këtë padrejtësi, si ndaj këtyre dëshmorëve ashtu dhe ndaj familjarëve të tyre, të kaluarës dhe të ardhmes sonë si shoqëri dhe vend, deputetët e Kuvendit të Kosovës, do të duhej që sa më parë, pse jo gjatë sesionit vjeshtor të këtij viti, ta amendamentonin Ligjin për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave të Dhunës Seksuale të Luftës, Viktimave Civile dhe Familjarëve të tyre, në mënyrë që t’u njihet statusi i dëshmorit të gjithë atyre që kanë rënë në veprimtari për çlirimin dhe pavarësimin e vendit; në demonstrata; në përballje të armatosur me armikun; në burgje dhe gjatë shërbimit ushtarak.

Dëshmorët, çdonjëri prej tyre, më shumë sesa jetën s’kishin se çka të jepnin tjetër për lirinë e Kosovës. Që të gjithë meritojnë pa përjashtim respektin dhe përkushtimin institucional e shoqëror. Sakrifica e tyre sublime bëri që ta jetojmë jetën të lirë e të pavarur. Këtë s’duhet harruar kurrë!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme