Google ADS

Aktakuzë ndaj 10 zyrtarëve të SHKK-së për arratisjen e Sami Lushtakut

16:20 | 19 Tetor 2016
Arbresh.info

Arratisja e kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku në shtator të vitit 2015 nga QKUK-ja, u ka kushtuar me aktakuzë 10 zyrtarëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Burime të “Arbresh.info” bëjnë të ditur se po këta zyrtarë ka kohë që janë hetuar nga një prokuror ndërkombëtar i Prokurorisë Themelore.

Të njëjtit pas ngritjes së aktakuzës janë suspenduar nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Sokol Zogaj. Ky i fundit për portalin “Arbresh.info” ka pranuar se ka qenë i thirrur nga Prokuroria si dëshmitar për këtë rast.

Ndërkohë “Arbresh.info” ka mësuar se si dëshmitar në këtë rast ishte edhe zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuqi.

Në mesin e të pezulluarve nga puna janë Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Administratës në Shërbimin Korrektues, Shemsi Hajrizi, Drejtori i Qendrës Korrektuese në Dubravë, Ismail Dibrani dhe Koordinatori i transportit për të burgosur në Qendrën Korrektuese të Dubravës.

Lajmin për “Arbresh.info” e ka konfirmuar vet Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Administratës në Shërbimin Korrektues, Shemsi Hajrizi.

“Po është e vërtetë para gjysmë ore e mora vendimin dhe jam shumë i habitur për këtë. Kjo çështje ka të bëj me rastin e arratisjes së Lushtakut nga spitali, jemi nën hetim përndryshe unë ende nuk kam marr as aktakuzë as asgjë. Prokuroria i ka kryer hetimet, por unë nuk kam ditur që sot e marr vendimin për pezullim”, është shprehur Hajrizi./Gita Lushi/Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme