Lojë e madhe në shëndetësinë e Kosovës

19:11 | 10 Tetor 2016
Arbresh.info

Nga: Zejnepe Bekteshi

Për të pasur një jetë të mirë, primare është shëndeti, por si paraqiten shërbimet në vendin tonë, me një kapacitet të dobët në shërbimin spitalor, kjo do ende kohë dhe shumë përkushtim, siç është duke vazhduar në shëndetësinë e Kosovës e keqja po vjen duke u “trashur”.

E mos të flasim për higjienën që është në nivelin më të dobët që mund të thuhet dhe të shihet.

Në një emision që dëgjova, ish-këshilltarin e ish-ministrit të Shëndetësisë Ferid Aganit, i cili akuzonte ish-ministrinë se ka sabotuar mbi 10 iniciativa multimilionëshe, me të cilat siç thoshte ai në këtë emision bashkë me kolegët e tij synonin reforma specifike në shëndetësi sa i përket teknologjisë mjekësore dhe furnizimin me barna.

Ndër të tjera u tha se shpeshherë janë përdorur edhe barna të lira dhe jo adekuate për sëmundjen që ka pasur pacienti.

“Barna e cila është blerë 2 apo 3 euro jashtë vendit pacientit iu është shitur 500 euro në Kosovë”, u tha nga ish-këshilltari i ministrit Agani.

Po ashtu shumë pacientë që janë diagnostikuar me kancer, kur kanë dalë jashtë Kosovës, ka dalë se kanë marrë terapi të gabuar dhe nuk e kanë atë sëmundje.

E kemi parasysh gjendjen në QKUK që është e rëndë në të gjitha segmentet, mungesa e referimit adekuat, mungesa e aparaturave të mjaftueshme, mungesa e barnave esenciale, por ama pacientët që vijnë të shërohen të paktën duhet ta kenë një trajtim më të mirë nga stafi punues, këta punonjës po harrojnë që kanë te veshur mantelin e bardhë .

Përderisa ka ndodhur kjo nga ish-ministri i Shëndetësisë Agani duke anuluar gjithë këtë ndihmë nga vendet tjera, që nga aparaturat mjekësore e deri te barnat esenciale, tash kur shohim drejt QKUK-së, çfarë të presim nga kjo ministri kur është bërë një “lojë e madhe” në shëndetësinë kosovare në përgjithësi tash e 16 vjet.

Duke filluar nga barnat esenciale që gjenden në listën e lëshuar nga kjo ministri dhe po këto barna që duhet të jenë në çdo klinikë e qendër familjare pacienti detyrohet të jap nga “xhepi” i tij , deri tek aparatura e pashfrytëzuar në objektin e QKUK-së. Duke i dërguar në ordinanca private, dhe këtë përgjigje kërkojmë tash e 16 vjet mirëpo nga ministria të dërgojnë në QKUK dhe anasjelltas, shkurt shqip “luajnë ping pong” me pacient .

Kjo që e dëgjova në këtë emision nuk është diçka e pazakontë për ata që të paktën një herë kanë qenë në repartet e kësaj klinike, aty është çdo gjë“mbrapsht”.

Më kujtohet një herë vetëm për një “gjilpërë” pas mesnate, është dashtë me dalë me e ble se nuk ka qenë e furnizuar komplet klinika, ose pacienti të lihet të përballet me dhimbje deri në mëngjes.

Si nuk i bëhet vonë askujt se sa pacientë ankohen në QKUK tash e sa vite, në mungesë të barnave esenciale.

Është për të ardhur turp, në një shtet të pavarur tash e sa vite, të mos ketë ende barna esenciale e më e keqja e gjithë kësaj është ajo e dhënies gabim të terapisë shumë pacientëve.

Flitet shumë nëpër medie për shëndetësinë mirëpo asgjë e re deri tash.

Pasi që në shëndetësi është bërë një “xhungël” në të cilën tash e sa kohë nuk kemi dalë, e do të shkojë edhe një kohë e gjatë për të dalë nga ky “kaos” shëndetësor që ka Kosova dhe qytetarët e saj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme