Google ADS

Sonte shfaqet në Prishtinë komedia “Kosovo for Dummies”

08:10 | 8 Tetor 2016
Arbresh.info

Komedia zvicerane “Kosovo for dummies“ do të shfaqet edhe në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.

E shkruar nga autori kosovar Jeton Neziraj, shfaqja është vënë në skenë nga regjisori i mirënjohur zviceran Johannes Mager, kurse luajnë aktorët: Albana Agaj, Gunther Kaindl, Ursula Stäubli, Robert Baranowski, Nadim Jarrar.

Terminet e shfaqjes:

PRISHTINË: 8 tetor, 20:00 h, Teatri Kombëtar i Kosovës

TIRANË: 12 tetor, 20:00h, Teatri Kombëtar Eksperimental

FERIZAJ: 14 tetor, 20:00h, Teatri i Qytetit

TETOVË: 15 tetor, 20:00h, I.N, Teatri i Tetovës

„Kosovo for dummies” është një komedi e realizmit magjik, që në mënyrë groteske e sureale shtjellon një histori të vogël të një vajze me emrin Antigona, e cila dëshiron të fluturoj bashkë me ëndërrat e saja.

Në njoftimin për këtë shfaqje thuhet se në këtë komedi, nuk derdhet as një pikë gjaku, sado që ngjarjet që ajo i shtjellon janë mjaft dramatike. Madje-madje, nuk do të eksplodojë as edhe ndonjë bombë, pavarësisht se njëri nga personazhet e shfaqjes është mysliman.

“E di, ju duket e pabesueshme. Drama ka fund të lumtur. Dhe ne e dimë që kjo gjë mund t’ju irritojë, por duhet t’ju tregojmë megjithatë: në fund të komedisë, Antigonës i lejohet qëndrimi në Zvicër. Ia lejon Hartmann zemërziu e zemërmiri. Autori ju falënderon për vëmendjen dhe në të njëjtën kohë, ju bën me dije se, nëse shfaqja nuk ju pëlqen (nëse e urreni), ai është i gatshëm ta rishkruaj nga fillimi”, thuhet në njoftim.

„Kosovo for dummies“ është bashkëprodhim teatror i „forever productions“ (Zürich), „Schlachthaus Theater“ (Bern), Theater Winkelwiese (Zürich) dhe Kleintheater (Luzern). Muzikën e shfaqjes e ka komponuar Maurice Könz, koreografinë Emilia Giudicelli, video Hugo Ryser e Manuel Schüpfer, këshilltar artistic; Steph Lichtensteiger, kurse producente ekzekutive: Annette von Goumowns.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme