Google ADS

Ibrahim Rugova: Kokën mund të ma ndërrojnë, por mendimet kurrë

10:04 | 3 Tetor 2016
Arbresh.info

Deklaratat dhe mendimet më të famshme të Ibrahim Rugovës para se të bëhej politikan

Mbi pavarësinë kombëtare («Bota e r», Prishtinë, 28 nëntor 1968)

«Mirë që u mashtruan të gjithë. Mirë që kujtuan se nuk kemi asgjë, se kuçedra e Anadollit na gëlltiti ç’patëm. Po ajo mori shumëçka, gati na zhbiu, por s’mund të na marrë atë më të vlefshmen, më madhështoren – fuqinë, trimërinë që i çoi në këmbë prore shpirtrat tanë të djegur për tokën e stërgjyshërve. S’u harrua porosia e stërgjyshërve. E shpurëm më tej dhe do ta shpiem gjersa të gjallërojmë mbi këtë tokë të dashur».

Mbi poetët dembelë («Rilindja», 9 shtator 1978)

«Në përgjithësi, shumë poetë te ne punojnë pak në shkrimet e tyre dhe, si duket, e lexojnë vetëm poezinë tonë, madje regjistrin inspirativ dhe poetik e kanë mjaft të ngushtë si dhe element kryesor – gjuhën. Duhet të lëshohen, me vetëdije, në aventura krijuese, e të mos rrudhen para çështjeve reale artistike, pra t’ia çelin vetes frymën».

Për Pjetër Bogdanin («Rilindja», 11 shtator 1982)

«Pjetër Bogdani u lind më 1630 në Guri i Hasit, rrethina e Prizrenit. Doktoroi në Teologji dhe në Filozofi në Romë. Ishte ipeshkëv i Shkodrës dhe arqipeshkëv i Shkupit. Veprën Cuneus Prophetarum (Çeta e profetëve) e shkroi më 1675, e botoi më 1685 në Padovë te një i njohur i tij, sepse Vatikani i urdhëroi ta përkthejë në italisht për arsye censurimi dhe arsye të tjera. Kështu vepra u botua në dy shtylla: italisht dhe shqip në format të madh, që përfshin rreth 450 faqe. Bogdani rridhte nga një familje e njohur shqiptare e viteve 1300, siç e dëshmon në veprën e vet. (…) Kështu Bogdanin e kemi nxjerrë si racionalist, panteist e humanist, sepse nuk ka mbetur në rrafsh të predikatorit, po është ngritur në rrafsh të filozofit e të mendimtarit, do të thotë se çështjet e ndryshme i ka vështruar në formë më të çliruar brenda ideve të veta. (…) Kështu, nuk e kemi ditur se Bogdani ka folur për çështje të teorisë letrare, për probleme fundamentale filozofike, të filozofisë së historisë, se ishte përkthyes i parë i Virgjilit, Juvenalit etj., të cilat çështje i kemi kërkuar dhe vendosur vetëm në letërsinë dhe kulturën e Rilindjes, disa shekuj më vonë. Traditën filozofike e shkencore e kemi të zhvilluar te humanistët tanë në latinisht në shekullin XV-XVI te Maruli, Biçikemi, Barleti apo Lenik Tomeu, që e përkthen dhe komenton Aristotelin në latinisht e çmohej nga Erozmo Roterdami, po Bogdani në vazhdën e traditës së Buzukut, Budit e Bardhit, të gjitha këto i bën në shqip, që janë të një rëndësie tjetër të drejtpërdrejtë. (…) …do të ishte mirë që në ardhmen të mbante emrin e tij ndonjë institucion arsimor apo kulturor, të bëhej ndonjë pllakë përkujtimi, apo bust, sepse është i vetmi shkrimtari yni i vjetër që na ka lënë portretin e vet».

Kundër fushatave antishqiptare të Beogradit (Diskutim në Kongresin e Shkrimtarëve të Jugosllavisë në Novi Sad, 10-20 prill 1985)

«Ka vepra të atilla, të cilat nuk do t’i quaja letërsi, po që duke i fyer kombet e kombësitë, e në rend të parë shqiptarët, krijojnë njëfarë opinioni publik. (…) Si mund ta përjetoj lirinë unë, si intelektual shqiptar, në kohën kur nga forcat e ndryshme me pikëpamje dogmatike për çështjen nacionale, më imponohet asimilimi apo dysia. Dhe si mund ta përjetojë lirinë, kur sot, tashmë që 3-4 vjet nga publicistika e verbër dhe pseudoshkenca e pseudoletërsia kërkohet të zhduket historia ime kombëtare, realiteti historik dhe realiteti shoqëror, me pretekst të cungimit: hiq këtë e hiq atë, madje edhe në pikëpamje kushtetuese».

Mësimi historik («Bota e re», 25 maj 1987)

«Mësim historik është ky: se pushteti i mirë i dëgjon intelektualët e vërtetë, të cilët udhëhiqen nga ideja universale e progresit njerëzor. Te ne në Kosovë, ku një kohë të gjatë intelektuali është konsideruar, bashkë me kombësinë, si ‹agjent› i shtetit amë, prej të cilit koncept u liruam pak në vitet 1966-1981, roli i tij ishte i reduktuar, vetëm sa për ekzistencë. Në kohë të fundit sërish po shfaqen tendenca nga qarqet reaksionare e shoviniste janë Kosovës që intelektuali shqiptar të etiketohet si element ‹antishtetëror›, duke ia mohuar legjitimitetin kombëtar e kulturor dhe të drejtën e mendimit, në emër të një ‹rrezikimi› dhe të një ‹kozmopolitizmi etatist›, të një ortodoksizmi dhe bizantinizmi primitivist mesjetar të pashembullt në botën bashkëkohore».

Mbi strategjinë e përpunuar antishqiptare (Diskutim në bisedat mes shkrimtarëve serbë dhe shqiptarë në Beograd, që u mbajtën më 26 dhe 27 prill 1988 në Beograd)

«Fatkeqësisht, sot nocioni për Kosovën në Jugosllavi, e sidomos në Serbi, po vdes dita ditës. Kjo do të thotë se për Kosovën nuk ka më kuptim njerëzor, ndaj ka rënë në shkallën më të ulët të mundshme. (…) Nëse vetëm pak më kujdesshëm e shohim këtë sistem të etiketave, do të kuptojmë se kemi të bëjmë me një çështje krejtësisht të njëjtë, me një strategji antishqiptare, të cilës tash shtatë vjet po i prin një pjesë e shtypit të Beogradit, pastaj një pjesë e institucioneve kulturore e shkencore dhe asociacione të tjera. (…) Thënë më qartë, e tërë kjo strategji e ka fillin të strategjinë e përpunuar antishqiptare nga ana e borgjezisë serbe nga fundi i shekullit të kaluar dhe nga fillimi i këtij shekulli, e cila si e tillë për të gjithë ne është e mirënjohur. (…) Kjo do të thotë se këtu kemi të bëjmë me ngjalljen e logjikës udbashe të viteve ’50 dhe ’60 ndaj shqiptarëve. (…) Ajo strategji ka për qëllim që shqiptarët t’i bëjë të gjunjëzohen përpara masave të reja, që elementi shqiptar të zvogëlohet, të bëhet i ‹durueshëm› dhe simbolik».

«Kokën mund të ma ndërrojnë, por mendimin kurrë» («Veçer» Maribor, 22 prill 1989)

«Njerëzit nuk dëshirojnë të vdesin pa lidhje. Edhe ne jemi njerëz. (…) Nuk mund të merrem me letërsi kur shoh se nëpër rrugë vdesin njerëzit e mi. (…) Nëse vazhdon kjo politikë e ashpër, represive, e ardhmja do të jetë e rëndë, e tmerrshme, e zezë. Si për shqiptarë ashtu dhe për serbë».

«Është rrezik kur cilido religjion fillon të bëhet politikë» (Telex, Lubjanë, 25 maj 1989)

«Në Kosovë nuk ekziston vetëm represioni shtetëror (burgjet, izolimet, dënimet etj.), por edhe ai politik (Partia, LSPP), ku për t’i leqitur disa njerëz keqpërdor edhe Kanunin e Lekë Dukagjinit. (…) Është rrezik i madh kur cilido religjion fillon të bëhet politikë. Propaganda e shtypit serb përdor metoda të vjetruara dhe fatkeqësisht shërbehet me cakun e moçëm. Dikur u shkonte kungulli mbi ujë, sepse ne shqiptarët nuk kemi pasur ndonjë shtyp me ndikim apo diplomaci. Mirëpo sot, në kohën e informatikës, diçka e tillë nuk pi ujë më».

«Identiteti nacional serb si konservë e mbyllur» (Mladina, Lubjanë, 7 korrik 1989)

«Shqiptarët nuk i bashkon vetëm feja apo ideologjia. Qysh në shekullin e nëntëmbëdhjetë, në kohën e Rilindjes kombëtare, gjuha, kultura dhe tradita ishin elemente lidhëse kombëtare, kurse feja nuk ishte forca absolute e bashkimit. (…) Mendoj se serbët identitetin nacional e konsiderojnë si një konservë të mbyllur dhe çdo ndryshim atyre u shkakton panik. Edhe më tej mendojnë se ne jemi i njëjti popull rural që ishim në vitet 1945, me 90 për qind të analfabetëve. Kjo qysh moti nuk është e vërtetë. Sipas tyre shqiptar i ndershëm është shqiptari i cili nuk di asgjë, as për vete as për të tjerët. (…) Shqiptari i ndershëm është analfabet, i pakualifikuar, punëtor apo fshatar pa tokë, pastrues, e para së gjithash, servil dhe i dëgjueshëm. Nëse rastësisht di të shkruajë dhe të lexojë, ndershmëria e tij pra mbetet me të, aq sa e shan popullin e vet».

Më 1912 Kosovën e çliruam vetë («Start», Zagreb, 5 gusht 1989)

«Nuk e kam zakon të merrem me ata njerëz që merren me mua dhe me punën time. (…) Ne nuk jemi një grup i vogël, as nuk jemi emigrantë të ardhur. Ne jemi autoktonë në Jugosllavi. Ne jemi më tepër se dy milionë. Ne shqiptarët jemi një komb i ri, por kemi potencialin tonë – punëtorë, fshatarë, kemi krijuar edhe intelegjencën tonë. Shqiptarët dëshirojnë të funksionojnë si shoqëri, ashtu si gjithë popujt në Jugosllavi. Megjithatë, politika e tanishme serbe dëshiron që të mbetemi një etnikum i mbyllur, në një kuptim më tepër fisnor. (…) Falja e gjaqeve, nga ana tjetër, është një gjë e mirë, sepse kjo plagë jona na ka mbetur nga e kaluara. Kanuni i Lekë Dukagjinit, që ka funksionuar më parë, nuk mund të ekzistojë në botën bashkëkohore. Ky është një relikt që bart mjaft të këqija. (…) Shqiptarja, megjithatë, po emancipohet. Kemi gra që janë specialiste shumë të mira dhe me arsim të lartë. Në brezat e pasluftës pothuajse nuk ka analfabete. Ato janë një potencial që ende presin fatin e tyre, po ky fat duhet t’u ofrohet. Kohët e fundit, për shkak të papunësisë së madhe midis grave, disa edhe kanë hequr dorë nga shkollimi i mëtejshëm. (…) Në vitin 1912 Kosovën e çliruan vetë shqiptarët dhe atëherë erdhi ushtria e rregullt serbe dhe vendosi pushtetin. Për ne ato, megjithatë, kanë qenë luftëra pushtuese. (…) Vetëm një shembull: pak kohë më parë në Institutin Albanologjik zhvilluam një konferencë me rastin e 200-vjetorit të Revolucionit francez. Në gazetën ‹Rilindja› u botua lajmi për zhvillimin e konferencës, por nuk përmendej asnjë emër. Në të folën kolegu Qosja, unë dhe disa të tjerë, po kështu intelektualë të kritikuar e të etiketuar. Emri im në ‹Rilindje› mund të gjendet vetëm në kontekstin e sulmeve dhe sharjeve kundër meje. (…) Tani organet e Beogradit flasin për udhëtimet e mia nëpër botë, ndërsa unë vitet e fundit, për fat të keq, nuk kam qenë askund. Rroga ime nuk mbulon as shpenzimet për të shkuar deri në Paris».

«E di se më ndjekin, më përgjojnë…» («Slobodna Dalmacija», Split, 8 tetor 1989)

«Në gazetat e këtushme artikujt e mi nuk botohen më. Vepron një censurë e fshehtë. E di se më ndjekin, më përgjojnë telefonin dhe bëjnë çdo gjë. E kam vështirë të lëviz nëpër Prishtinë. Disa shqiptarë çuditen si jam ende këtu. Te ne ka ardhur një kohë saqë nuk mund të bësh madje asnjë bisedë të zakonshme për jetën, sepse njerëzit ngurrojnë. Tashmë është gjallëruar tamam psikoza e logjikës policore. Kjo më hidhëron, pasi të gjithë këtë, si i ri, e kam provuar para Plenumit të Brioneve». / -lli

(Nga libri: «Pavarësia dhe demokraci», botoi «Fjala», Prishtinë, 1991)

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme