Google ADS

Teknologjia informative e rëndësishme për zhvillimin ekonomik

15:10 | 6 Maj 2015
M. A.

Udhëheqësit e shtetit të Kosovës dhe përfaqësues të institucioneve qeveritare për zhvillim ekonomik vlerësojnë se nuk mund të ketë zhvillim ekonomik pa një përparim të teknologjisë së informacionit. Sipas tyre, duhet të mendohet më shumë për ekonominë kreative dhe atë digjitale. Teknologjia informative, për ta, mbetët faktor themelor për një ekonomi të orientuar nga dijet.

Në forumin për teknologjinë e informacionit dhe inovacionin, që po mban sot Ministria e Zhvillimit Ekonomik, mes tjerash u tha se është koha që në Kosovë të ngritët Universiteti i Teknologjisë së Informacionit. Për këtë, u tha, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të japë përkrahjen e vet si krijues i tij.

Kryeministri Isa Mustafa, i cili mori pjesë në forum, tha se në Kosovë ka numër të madh të të rinjve që kanë ambicie në fushën e teknologjisë informative dhe në inovacion.

“Ne mund të ngremë vetëdije të disa firmave të jenë në hap për zhvillimin e kësaj dhe po ashtu kemi në programin qeverisës që të informatizojmë të gjitha shkollat në mënyrë që nxënësit ta aplikojnë teknologjinë informative në të gjitha fazat e arsimimit të tyre nga arsimi fillor, i mesëm dhe arsimi i lartë dhe mendoj që përveç kësaj ne mendojmë se mund ta krijojmë një kulturë të kësaj teknologjie”, tha ai.

Kryetari i Parlamentit Kadri Veseli tha se nuk mund të pritet zhvillim ekonomik pa një përmirësim dhe pa një përparim të teknologjisë së informacionit.

Kryeparlamentari premtoi se në fushën e legjislacionit do të ketë përkrahje të fuqishme në këtë drejtim, por theksoi se gjithashtu shumë mund të bëhet me një bashkëpunim me sektorin privat, me donatorë dhe institucionet.

Është biseduar me Qeverinë, përkatësisht Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe ekziston një iniciativë, tha Veseli, duke shtuar se beson se “është koha ta ngremë Universitetin e Teknologjisë së Informacionit”. Ai siguroi se Kuvendi i Republikës së Kosovës do të japë përkrahjen e vet si krijuesi i këtij Universiteti. Ne presim që të ndërmarrim hapa.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci, mendon se shoqëria kosovare duhet të nisë të mendojë më shumë për ekonominë kreative dhe për ekonominë digjitale

Stavileci u angazhua për atë që edhe sistemin e edukimit të fillojmë t’ia përshtatim kërkesave të tregut të punës.

Forumi për Teknologjinë e Informacionit dhe Inovacion, është një nismë e ndërmarrë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, që ka për qëllim mbledhjen e aktorëve kryesorë vendimmarrës të fushës së TI-së, për të diskutuar çështje të cilat ndërlidhën me zhvillimin dhe avancimin e këtij sektori në Kosovë.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik vlerëson teknologjinë informative si faktor themelorë për një ekonomi të orientuar nga dijet. Sipas MZHE-së, përfaqësimi gjithëpërfshirës në panele, kryesuar nga ekspertë ekonomikë, akademikë, institucione qeveritare dhe donatorë potencialë, do të kontribuojë në krijimin e mundësive për një dimension dhe realitet të ri të strategjisë ekonomike.

Me ekspertë të teknologjisë informative gjatë forumit do të ndahen ide e përvoja, në mënyrë që të krijohen mundësi për një realitet të ri të strategjisë ekonomike./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme