Poeti taivanez fiton çmimin “Naim Frashëri”

07:43 | 22 Shtator 2016
Arbresh.info

Fitues i çmimit “Naim Frashëri” të edicionit jubilar, të 20-in me radhë, të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” është poeti i famshëm taivanez, Lee Kuei-Shien, kandidatë për disa vite për çmimin Nobël.

Ky është vendim i jurisë së festivalit i përbërë nga studuesi, Ymer Çiraku (Shqipëri), Ndue Ukaj (Kosovë) dhe Xhelal Zejneli (Maqedoni). Drejtoria e Festivalit, gjithashtu ka shpallur anëtar nderi të festivalit, shkrimtarin dhe studiuesin e njohur shqiptar, akademik Rexhep Qosja.

Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” do të mbahet prej 20 – 24 tetor 2016.

Kjo u bë e njohur në një konferencë shtypi të mbajtur në Qendrën kulturore në Tetovë, nga drejtori i FNP “Ditët e Naimit”, Shaip Emërllahu, si dhe anëtarët e jurisë së festivalit, Ndue Ukaj dhe Xhelal Zejneli. Laureatë të mëhershëm të këtij festivali janë emrat e njohur, si: Ismail Kadare (Shqipëri), Desmond Egan (Irlandë), Thomas Tidholm (Suedi), Manlio Argueta (Salvador), Ali Podrimja (Kosovë), Fatos Arapi (Shqipëri), Athanase de Thracy (Bullgari), Lionel Ray(Francë), Abdelatif Laabi (Marok), Eva Lipska (Poloni), Tua Forstrom (Finlandë), Craig Czury (SHBA) Sebastiano Grasso (Itali) etj.

Në edicionin e sivjetëm, i cili përkon me 20 vjetorin e Festivalit dhe 170 vjetorit të lindjes së poetit kombëtar, Naim Frashëri, janë ftuar 40 poetë nga vende të ndryshme të botës, si: SHBA, Argjentinë, Meksikë, Taivan, Japoni, Danimarkë, Norvegji, Gjermani, Francë, Avganistan, Itali, Poloni, Lituani, Izrael, Rusi, Turqi, Kroaci, Slloveni, Bullgari, Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe poete nga mbarë hapsira shqiptare e nga diaspora.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme