Google ADS

S’ka rritje të pagave në tri vitet e ardhshme

14:51 | 5 Maj 2015
Arbresh.info

Punonjësit e sektorit publik nuk do të kenë rritje të pagave për tri vitet e ardhshme. Kështu ka planifikuar Qeveria e Kosovës përmes Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve (KASH).

Sipas këtij dokumenti qeveritar, shpenzimet për paga dhe mëditje do të kenë një rritje vjetore prej jo më të lartë se 0.4 për qind përgjatë periudhës afat-mesme, gjë që i bie që kjo rritje do të bëhet për të mbuluar pagesën për përvojën e punës dhe mëditjet tjera, por jo edhe rritje të pagës, raporton ORAinfo.

“Si rezultat i kufizimeve të larta buxhetore dhe ruajtjes së nivelit të shpenzimeve për kategoritë tjera ekonomike dhe projekteve zhvillimore që bartin në vete një kthim më lartë ekonomik, shpenzimet për këtë kategori janë planifikuar të kenë një ngritje vjetore prej jo më të lartë se 0.4% përgjatë periudhës afat-mesme. Qeveria është e përkushtuar të përcaktojë një kornizë ligjore (ligji për paga) e cila do të rregullojë nivelin e pagave, mëditjeve dhe shtesave për të gjithë të punësuarit në sektorin publik. Si rezultat, shpenzimet buxhetore për këtë kategori planifikohen të jenë në rreth 562.3 milionë euro në vitin 2016”, thuhet në KASH.

Sipas dokumentit qeveritar, vitin që lëmë pas, kategoria e shpenzimeve për paga dhe mëditje përfaqëson pjesën më të madhe të shpenzimeve rrjedhëse përgjatë periudhës planifikuese.

“Ngritja e theksuar në këtë kategori ka ndodhur në vitin 2014, si rezultat i vendimit të Qeverisë për ngritjen e pagave për shërbyesit civil në nivel prej 25%. Për më shumë, alokimi i mjeteve për implementimin e skemës së sigurimeve shëndetësore, si dhe implementimi i pjesës së kontratës kolektive që ndërlidhet me përvojën e punës ka shkaktuar që kjo kategori e shpenzimeve të ngritët për rreth 15% në vitin 2015 në raport me shpenzimet në këtë kategori gjatë vitit 2014”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme