Festivali DAM nga nesër shfaq 20 koncerte

16:56 | 19 Shtator 2016
Arbresh.info

Nesër fillon edicioni i njëmbëdhjetë i festivalit ndërkombëtar të muzikës DAM, hapja e tij do të bëhet nga ora 19:30 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, i cili do të vazhdojë deri me 26 shtator.

Ky festival bashkon muzikantët nga shumë vende, posaçërisht nga Evropa, ku këtë radhë do të jenë të pranishëm interpretues nga Manheim, në Gjermani, por nuk do të mungojnë as muzikantët vendorë të cilët janë të shumtë.

Drejtoresha e festivalit DAM, Rreze Kryeziu-Breznica, në një konferencë për shtyp tha se në festival do të ketë më shumë se 100 interpretues dhe instrumentistë, dhe festivali do të përmbajë 20 koncerte dhe 9 punëtori. Si të ftuar të veçantë ajo përmendi trio-në nga solistët e Manheim-it të cilët konsiderohet të kenë performancën më të veçantë gjatë këtij festivali, mirëpo ajo nuk përjashtoi edhe mundësinë që gjatë festivalit do të ketë edhe muzikë xhaz edhe pse ky është festival i muzikës klasike.

“Të gjitha koncertet do fillojnë prej orës 19:30 në sallën e kuqe te Pallati i Rinisë, përveç një koncerti, është koncerti i kitaristit tonë Agron Peni i cili do të mbahet në teatrin Oda. Në festival do të parakalojnë mbi 100 performues – instrumentist dhe do të ketë diku gati 20 koncerte dhe 9 master klase ose ëorkshop-e. Nesër në hapje të festivalit do të kemi dy artistë të rinj Dardan Zhegrovën dhe Lola Sylën me një performancë të tyren. Tutje do të vazhdoj kori i flautistëve nën drejtimin e profesorë Ljubishës…do të vazhdojmë me një trio me solistët e Manheimit të cilët do të kenë një performancë ndër më të veçantën në kuadër të festivalit. Festivali DAM ka edhe një diversitet stilesh ne nuk jemi fokusuar vetëm në klasikë edhe pse ky ka qenë misioni ynë por nga klasiku deri në xhaz muzikë bashkëkohore do të keni mundësi të ndiqni edhe në edicionin e 11-të të këtij festivali”, tha Kryeziu-Breznica.

breznica-190916

 

Ndërkohë udhëheqësi artistik njëkohësisht edhe flautist, Ljubisa Jovanovic, tha që me përfaqësuesit e këtij festivali është takuar për herë të parë gjatë akademisë muzikore evropiane ndërsa takimin me flautistët nga Kosova e cilëson si ‘dashuri në shikim të parë’.

“Ne jemi takuar gjatë akademisë muzikore evropiane, unë kam takuar flautist të rinj nga Kosova dhe mund të them që ishte dashuri në shikim të parë, ne filluam spontanisht të përgatisim disa pjesë për flaut…unë jam shumë i lumtur dhe ambicioz gjithashtu sepse unë me të vërtet shpresoj se me këtë koncert nesër ne do të bëjmë një markë kulture të flautistëve kosovarë. Mendoj se e nesërmja do të jetë pjesë e historisë muzikore në Kosovë”, tha Jovanovic.

jovanovic-190916

 

Violinisti Robert Kowalski, emër i njohur për skenën muzikore të këtij lloji në botë ka ardh në Prishtinë enkas për Festivalin DAM. Në konferencë për media ai tha se e sheh si mahnitëse pjesëmarrjen e tij në DAM, duke ia shtuar edhe përvojën e njohjes së një vendi të ri, njerëzve dhe kulturës së saj.

“Unë kam marrë ftesë për të qenë pjesë e DAM festivalit dhe të performojë këtu, personalisht më ka pëlqyer ideja menjëherë, para së gjithash sepse nuk kam qenë asnjëherë këtu dhe njohja e një vendi të ri, njerëzve të ri dhe kulturës së re është mahnitëse, si dhe të ndaj muzikën dhe artin tim këtu, unë menjëherë isha i rrëmbyer nga kjo ide”, tha Kowalski.

kowalski-190916

 

Ndërkohë pianistja Olga Zado, tregoi që kjo është hera e dytë që vjen në Kosovë dhe atë për arsye se vitin e kaluar i kishin pëlqyer shumë shfaqjet dhe njerëzit këtu, andaj ishte me të vërtetë kënaqësi të kthehej përsëri në DAM.

“Para një viti kisha ardhur rastësisht dhe më ka pëlqyer shumë këtu dhe tash është e gjithë ideja që të bëjmë shumë koncerte së bashku në sete të ndryshme nga Moxarti deri te Stravinsky. Ne do të kemi mundësinë të luajmë së bashku shumë herë përgjatë këtij festivali. Më kanë pëlqyer shumë shfaqjet dhe njerëzit këtu vitin e kaluar dhe nuk e vija në pyetje se a doja të kthehesha prapë këtu apo jo”, tha Zado

zado-190916

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme