Duke promovuar punën e dorës së grave të Kosovës, Maria Pacolli, gruaja e biznesmenit dhe politikanit, Behgjet Pacolli, përmes fondacionit të saj “Ibrahim Kodra” po ndihmon në fuqizimin e tyre.
Ky fondacion në kuadër të projektit “The Lucy Project” po ndërmjetëson mes grave punëtore dhe blerësve të produkteve të tyre, në shumë vende të Evropës, nisur nga Zvicra, Italia, Gjermania, me qëllim për ta zgjeruar tregun deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Masha, si drejtoreshë artistike e fondacionit zviceran “Ibrahim Kodra”, po zhvillon këtë projekt me asociacionin e tyre “Friend of Kosovo” në Lugano.
Duke krijuar lëvizjen “ProKosovo”, në bashkëpunim me Diasporën, mëtojnë të promovojnë projekte të ndryshme për Kosovën, me fokus tek çështjet kulturore, artistike, turistike e arsimore. Kjo punë veçse ka nisur me projektet “Wishes Snowflake” dhe “Lucy Brooch” që po promovohen si simbole të prodhuara në Kosovë.
Pacolli tregon për Gazetën Zëri se ky projekt emancipues i dedikohet Lucena Martinit, gruas së ambasadorit dhe mikut të madh të Kosovës, William Walker, e cila njësoj si ky i fundit, u angazhua për mirëqenien e popullit të ri të Kosovës, me fokus tek arsimi dhe kultura, ndaj ky projekt thekson rëndësinë e artizanaleve dhe trashëgiminë e pasur të popullit shqiptar.
“Këto karfica quhen ‘Lucy’ në kujtim të këtij personi aq të veçantë, e cila fatkeqësisht na la shumë herët. Lucy i donte shumë lulet. Këto karfica janë një dedikim për jetën dhe porositë e saj. Ne shpresojmë se ato do t’i inspirojnë të tjerët të ndjekin rrugën e Lucenas dhe angazhimin e saj ndaj brezave të ardhshëm të Kosovës”, thotë Pacolli.
Masha, së bashku me ambasadoren e Kosovës në Romë, Bukurije Gjonbalaj, kanë takuar Iliriana Gashin, drejtoreshën e qendrës “Women for Women” në Prishtinë dhe grupin e saj të grave me nevoja të veçanta sociale e ekonomike në “Woman Opportunity Center”, të cilat tashmë po punojnë me dorë këto karfica në formën e lules Camellia, me ngjyrë ari, argjendi dhe të kuqe. Këto lule janë parë zakonisht në fustanet e nusërisë, si simbol i një familje të re, një lule që gjeneron një jetë të re. Sipas Maria Pacollit këto karfica janë edhe simbol i jetës së re që ka nisur populli i Kosovës.
“Lucy besonte se arsimi dhe trashëgimia kulturore e një populli janë çelësi i një të ardhme premtuese. Ajo e kuptoi që është jetike të ruhen rrënjët tradicionale shqiptare dhe të përcillen tek brezat përmes edukimit”, thotë Maria Pacolli.
Për herë të parë këto punime të bukura kosovare u prezantuan në saje të Maria Pacollit dhe mikes sw saj, Sabine Rettich, kryetares së klubit “Lions Club of Lugano-Monte Brè”, që i ekspozoi në një ngjarje bamirësie në Lugano.
Tashmë përmes kontakteve të Pacollit këto punime po ekspozohen në kryeqendra të mëdha, por edhe në ambientet e Hotelit “Swiss Diamond” në Prishtinë, që mysafirët të mund t’i shohin dhe t’i blejnë.
“Projekti po shkon mirë. Tanimë ne i kemi hapur vitrinat në Hotelin ‘Swiss Diamond’ në Prishtinë, dhe në shtator do të hapim një vitrinë edhe në ‘Swiss Diamond’ në Lugano, gjithashtu shoqja jonë Blerina Ejupi do t’i promovojë në Gjermani dhe Diasporë, për të vazhduar në Amerikë dhe shtete tjera”, shpjegon Maria Pacolli.
Sipas saj, kjo nismë është një mesazh, një simbolikë e vlerave njerëzore, traditave dhe kulturës për t’i mbajtur së bashku dhe për të rilindur. Por ky projekt nuk do të ndalet këtu sepse qëllimi i fondacionit është që të krijohet edhe një linjë e aksesorëve punëdore nga Kosova.
“Ne jemi duke krijuar një linjë të aksesorëve me gjësende tradicionale të punuara me dorë. Kjo do të na ndihmojnë që gjërat tradicionale të Kosovës të punuara me dorë t’i përdorim për gjëra të reja që do të vlerësohen jashtë vendit për t’i prezantuar prodhimet e Kosovës”, tregon Masha.
Nora Zhilivoda, koordiantorja për fuqizim ekonomik e organizatës “Women for Women”, ku gratë që i punojnë këto punime bëjnë pjesë, tregon për Zërin se “Gratë për Gratë Internacionale” ka një program gjithëpërfshirës 12-mujor, që adreson nevojat ekonomike dhe sociale të grave.
Shehide Fazliu, njëra nga trajneret e programit të punëdores, thotë se gjatë angazhimit të saj 15-vjeçar ka trajnuar shumë grupe grash të cilat janë aftësuar për punën e dorës, e disa prej tyre edhe janë pavarësuar duke hapur edhe lokalet e veta.
“Të gjitha minoritet i përfshijmë me punë dore duke nisur prej shqiptareve, romeve, ashkalikeve, boshnjakeve”, tregon Fazliu.
Në kuadër të kësaj organizate që nga viti 1999 e deri më tani janë trajnuar rreth 32.000 gra.
Pacolli: Mirësia është ajo që i bën njerëzit të dallojnë ndë...
Organizohet pritje për grupin që ka punuar në përgatitjen dh...
Rohde provon shtegun e ri të biçikletave në Pejë: Ua rekoman...
Arne Slot zgjedh “ushtarët” e tij në “betejën” ndaj Real Mad...
Befason trajneri i Lille, lë Zhegrovën në bankë rezervë ndaj...
Dumfires vazhdon me Interin edhe katër vite tjera