Edicioni i gjashtë i Festivalit ndërkombëtar të Letërsisë në Orllan (FLO) do të tubojë këtë fundjavë poetë, shkrimtarë, muzikantë, artistë dhe adhurues të kulturës te Liqeni i Batllavës.
Nga sot deri me 18 shtator, autorë e muzikantë vendas e ndërkombëtarë do të ndajnë krijimet e tyre me adhuruesit e kulturës në një mjedis pitoresk por pak të shfrytëzuar për tubime të këtij lloji.
Edhe ky edicion i FLO-së vazhdon traditën duke sjellë përsëri një listë mbresëlënëse të autorëve e artistëve nga Kosova, Shqipëria, Bosnjë Hercegovina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të ftuar janë Faruk ŠEHIĆ (Bosnje dhe Hercegovinë), Brian Sneeden (SHBA), Ledia Dudhi, Bardhyl Londo, Lisandri Kola, Donika Dabishevci, Robert Wilton, Imer Topanica, Gëzim Aliu, Genc Salihu, Gypsee Yo, Shpëtim Selmani, Shpat Deda, Gipsy Groove, Oborri.
Përveç paraqitjes së autorëve me veprat e tyre, këtë vit FLO do t’i bëj homazh poetit të famshëm Federico Garcia LORCA në 80 vjetorin e vrasjes së tij edhe Millosh Gjergj Nikolla MIGJENIT në 80 vjetorin e botimit të përmbledhjes së tij “Vargjet e lira” me kolazhe të poezive të tyre në shqip dhe anglisht. Do të ketë takime me autorë me pyetje e përgjigje nga audienca si dhe një debat rreth përkthimeve letrare.
Si edhe vitet e kaluara, FLO do të transmetohet direkt në internet (live streaming).
Të gjitha aktivitetet mbahen në restorantin “Liqeni” në Orllan. Për të gjithë ata që janë të interesuar të jenë në audiencë, do të ketë autobus të organizuar (gratis) që niset nga libraria Dit’ e Nat’ (Rr Fazli Grajçevci, 5, Prishtinë), çdo ditë në ora 1730, dhe autobusë të linjes së rregulltë Prishtinë-Orllan (para shkollës fillore Emin Duraku, te Xhamia e Llapit).
Ky edicion është i mbështetur nga Culture for All – InterArts, Ambasada e SHBA-së në Kosovë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Diasporës, FORMA, Dit’ e Nat’, Exiled Writers Ink, 4M, New Perspektiva dhe Rrokum TV.
FLO tubon shkrimtarë, poetë, autorë, muzikantë dhe artistë ndërkombëtarë dhe vendor për t’i ofruar publikut kosovar, në rend të parë, një rast të rrallë për të shijuar të integruar kulturën kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare për disa ditë në një ambient me bukuri të rralla dhe frymëzuese.
Vitet e kaluara kemi pasur autorë dhe muzikantë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Bosnja, Britania e Madhe, Qipro, Siria, Afganistani, Greqia, Suedia, Japonia, Italia mes tyre Ramiz Kelmendin, Michael Horovitz, Jazra Khaleed, Zarghuna Kargar, Jennifer Langer, Xhevahir Spahiu, Luan Starova, Primo Shllaku, Visar Zhiti, Tina Persson, Luljeta Lleshanaku, Agron Tufa, Vanessa Vie, Adem Gashi, Lulzim Haziri, Naime Beqiraj, Alban Bala, Ilire Zajmi, Public Service Broadcasting, Russell Swallow, John Drain&Marco Farris, Jazz Trio Ilir Bajri, Gillespie, Genc Salihu, Jericho, Pinkmetal, Alban Nimani, Shpat Deda, Bloody Foreigners…
Në njërin prej edicioneve, si kulminacion ishte homazhi që ju bë poetëve të gjenerates Beat me një performansë nga mysafiri special, poeti beat nga Britania e Madhe, Michael Horovitz, i shoqëruar nga poetja dhe kantautorja Vanesa Vie.
Horovitz konsiderohet si një ndër poetët e fundit të gjeneratës së artë të rrymës Beat, të cilës i takuan edhe shkrimtarët e jashtëzakonshëm si Jack Kerouac e Allen Ginsberg.
Me ndihmën dhe mirëkuptimin e British Library në Londër në vitin 2012 siguruam materiale ekskluzive audio – ndër të parat të gjuhës shqipe – të regjistruara në vitin 1904 nga udhëpërshkruesja angleze Edith Durham dhe organizuam ekspozitën e librave të rrallë mbi Skënderbeun (shekulli 17-19) nga koleksioni i britanikes Patricia Nugee, bashkë me botimin origjinal të vitit 1635 të fjalorit latinisht-shqip të Frang Bardhit, të ekspozuar për herë të parë në Kosovë.
Dumfires vazhdon me Interin edhe katër vite tjera
Mes shumë mungesash, Ancelotti ka zgjedhur 11-shen për ndesh...
Ambasada e Shqipërisë uron 28 Nëntorin
Vrasja e Martin Canit, nxënës, mësues dhe prindër me marshim...
Tubim në Gjirokastër, Kumbaro: Kënaqësi të bisedosh me gjiro...
Joe Biden kërkon 24 miliardë dollarë të tjera për Ukrainën