Delfinët flasin dhe dëgjojnë me pjekuri

19:31 | 12 Shtator 2016
Arbresh.info

Ka disa dekada që dihet që delfinët kanë një formë të përparuar komunikimi me njëri-tjetrin dhe përdorin tingujt që lëshojnë për të treguar që janë të lumtur, të stresuar, të ndarë nga familja apo të kërcënuar.

Por sërish komunikimi mes mamalëve mbetet një fushë interesante studimore për shkencëtarët dhe nga Rusia mbërrijnë rezultatet e fundit të një hulumtimi disavjeçar; delfinët ‘bisedojnë me pjekuri’.

Në rezervatin natyror Karadag, në Feodosia të Rusisë, një grup studiuesish rusë përdorën  teknologjinë me mikrofonë nën ujë për të dëgjuar ‘bisedën’ mes delfinëve Yasha dhe Yana, që të dy të llojit që rriten në Detin e Zi.

Zbulimi është mjaft interesant, secili prej delfinëve ‘dëgjonte’ tjetrin pa e ndërprerë përpara se të ‘fliste’ vetë.

“Kjo është një karakteristikë që mendonim se vetëm ne njerëzit e kishim”, thotë Vyacheslav Ryabov, udhëheqës i studimit.

Por jo vetëm kaq. Nga studimi i tingujve, spektrit dhe forcës së tyre, shkencëtarët rusë thonë se kemi të bëjmë me fjali të mirëfillta që delfinët flasin në gjuhën e tyre.

“Çdo puls, çdo tingull i prodhuar nga delfinët është i ndryshëm nga tjetri dhe në këtë kendvështrim ne mendojmë se çdo tingull përfaqëson një shkronjë ose një fjalë në gjuhën e delfinëve”, thotë Ryabov.

Shkencëtarët thonë se të gjitha këto shenja tregojnë se delfinët kanë një gjuhë komunikimi me njëri-tjetrin aq të përparuar sa mund të krahasohet me nivelin e gjuhëve njerëzore dhe këtë pretendim e mbështesin me faktin se shkencërisht është vërtetuar që këta mamalë kanë një tru më të madh si masë dhe më kompleks sesa truri ynë./tch

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme