Google ADS

Interesim i madh për studimet e doktoratës në UP

11:14 | 11 Shtator 2016
Arbresh.info

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, e ka shpallur konkursin plotësues apo siç njihet si afati i dytë i regjistrimeve për studentë në vitin e parë të studimeve, si dhe atë të studimeve të doktoratës.

Në mbi 2 mijë vendet e lira sa kanë mbetur nga afati i parë i regjistrimit, kandidatët e interesuar mund të aplikojnë për studime themelore në UP, derisa 94 vende të lira janë shpallur në nivelin e doktoratës në nivel universiteti.

Prorektori për marrëdhënie me jashtë si dhe zëdhënësi i UP-së, Afrim Hoti, ka thënë për KosovaPress se deri më tani në studime themelore, vendet e lira janë shpallur në programet ku nuk kanë arritur të plotësohen në afatin e parë.

 

“Ju tashmë e keni konkursin të shpallur edhe publik në ueb-faqen e universitetit, siç e dini më datën 5 është shpallur konkursi dhe mbetet i hapur në ditët në vijim, konkursi është shpallur për nivelin bachelor dhe për nivelin e studimeve të doktoratës, kjo pas një kohe relativisht të gjatë për Universitetin e Prishtinës dhe në këtë drejtim i kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura, tashmë jemi duke pranuar aplikacione e kandidatëve në të dyja nivelet, qoftë në bachelor, qoftë në studime e doktoratës për ato programe të cilat janë akredituar. Siç dihet për nivelin bachelor është hap konkursi për vendet ku kanë mbetur ose për programet ku kanë mbetur vende të lira sepse siç e dini në afatin e parë ka pasur një interesim të jashtëzakonshëm dhe shumica e programeve të studimeve e kanë marrë numrin e duhur, numrin e caktuar apo të kufizuar të kandidatëve prandaj për të tilla programe nuk do të ketë konkurs d he afat shtesë, do me thënë për bachelor kemi afat shtesë vetëm për programet ku ka vende të lira”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, sa i përket studimeve të doktoraturës, Hoti ka thënë se vende të lira ka në drejtime të caktuara të cilat kanë marrë akreditim, derisa ka shtuar se interesimi i kandidatëve për to është shumë i madh.

 

“Për studimet e doktoraturës në të njëjtën kohë është hap konkursi po ashtu më datën 5 dhe do të mbetet i hapur në ditët në vijim, konkursi për studimet e doktoraturës është hapur për disa fakultete por jo për të gjitha programet në kuadër të fakulteteve, po e zëmë tek Juridiku atje e kemi në katër programe të ndryshme duke filluar nga Katedra Ndërkombëtare, Katedra Civile, Penale dhe katedra tjera ku e kemi të miratuar një numër prej 5 kandidatëve për secilin program, në filozofik kemi tek Departamenti i Historisë dhe Departamenti i Sociologjisë, po ashtu edhe në fakultete tjera siç e thash jo nëpër të gjithë fakultetin por se për një numër të programeve. Ajo që bie në sy deri më tani është se ka një interesim të jashtëzakonshëm të kandidatëve po flas për të dyja programet edhe për bachelor edhe për nivelin e doktoratës dhe në veçanti për nivelin e studimeve të doktoratës për faktin që Universiteti i Prishtinës për shkak të zhvillimeve nëpër të cilat ka kaluar tash e disa vite nuk ka pasur mundësi që të filloj ose të ofroj studime në nivel të doktoratës”, është shprehur Hoti.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” më 5 shtator ka shpallur konkurs në nivelin bachelor dhe atë të doktoratës i cili zgjat deri më 13 shtator 2016.

Në nivelin bachelor, UP ka hapur 2 mijë e 617 vende të lira prej të cilave 1 mijë e 925 të rregullt dhe 692 me korrespodencë. Ndërsa, në nivelin e doktoratës 94 vende të lira prej të cilave 12 përqind të vendeve të lira janë të rezervuara për komunitetin joshumicë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme