Google ADS

Zjarrfikësit ende të pa definuar!

08:03 | 4 Maj 2015
Arbresh.info

Shkruan: Abdusamed Shkodra

4 Maji, ndryshe njihet si Dita Internacionale e Zjarrfikësve. Kjo ditë në shumë vende të ndryshme të botës festohet në mënyra të ndryshme dhe me laramani të aktiviteteve nga më të ndryshme.

Zjarrfikësit ndryshe konsiderohen si njësiti më i rrezikuar dhe njëkohësisht më i respektuar në mbarë globin.

Por e njëjta gjë a është edhe tek ne?

Zjarrfikësit në mbarë Kosovën ballafaqohen me probleme të shumta të natyrave më të ndryshme tash e sa kohë.

Unë në veçanti do të shkruaj për brigadën të cilës i takoi, asaj të Prishtinës.

Problemet e brigadës zjarrfikëse janë të shumta me numra dhe ato datojnë nga që nga pas lufta. Problemi më esencial është statusi i pa definuar i zjarrfikësve . Po ashtu problem është edhe konflikti negativ për kompetencë. Si pasojë e mosdefinimit të kompetencave në mes të komunave dhe agjencisë për menaxhimin e emergjencave (AME). Zjarrfikësit janë në një gjendje të rendë pa kushte pune , pa pajisje e mjete pune, pa pagese të orëve shtesë , si dhe atyre të natës, festive etj.
Problemi më madhor në këto momente është konflikti negativ për kompetence në mes të komunave dhe AME-së. Ky konflikt ka bërë që zjarrfikësit të pësojnë në masë te madhe. Ata nuk munden t’i gëzojnë të drejtat e tyre të parapara me ligj.

Tjetër problem është edhe mungesa e ligjit adekuat për zjarrfikje dhe shpëtim. Sot zjarrfikësit nuk kanë një ligj i cili e rregullon materien e profesionit të tyre në mënyrë të duhur. Qeveria me datën 24.12.2014 ka miratuar koncept dokumentin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për zjarrfikje dhe shpëtim, dokument ky që parasheh që shërbimet e zjarrfikjes dhe shpëtimit të kthehen në menaxhimin e komunave.

Po ashtu edhe ligji i miratuar me 14.02.2014 për agjencinë e menaxhimit të emergjencave në nenin 14 pika 4, parasheh që kjo agjenci do të ketë kompetencë vetëm për koordinimin e veprimeve të shërbimeve të zjarrfikjes vetëm në rast të intervenimeve jashtë territorit të komunës ku ata operojnë. Rregullorja për sistemimin e vendeve të punës për AME-në parasheh që në drejtoratin për zjarrfikje dhe shpëtim janë të punësuar vetëm 7 persona. Prandaj mund të konkludojmë se shërbimet e zjarrfikjes dhe shpëtimit duhet të menaxhohen nga komunat.

Shërbimi i zjarrfikjes dhe shpëtimit në komunën e Prishtinës në këtë rast, ballafaqohet me shumë probleme. Problemet me të cilat ballafaqohet ky shërbim sot janë të shumta, duke filluar nga mungesa e investimeve , mostrajtimi në mënyrë të duhur i problemeve duke filluar nga ai i mungesës së mjeteve të punës (edhe ato mjete që janë shumica e tyre janë jo funksionale e si pasoj zjarrfikësit hasin në vështirësi në kryerjen e aktivitetit të tyre. Është shumë me rëndësi të ceket se janë sjell automjete fallco, dhe për to janë paguar shuma të mëdha parash. Gjithashtu, mos plotësimi i vendeve të lira të punës (ekzistojnë vendet e lira për zv/komandant, inspektor të preventivës por edhe zjarrfikës.

Njëkohësisht me një sy kritik duhet të shikohet edhe puna e drejtorisë të shërbimeve publike në komunën e Prishtinës, e cila nuk ka bërë pothuajse asgjë për shërbimin e zjarrfikësve. Problem tjetër është mospagesa e orëve shtesë, orëve të natës, orëve të festave, orë këto që parashihen me ligjin e punës i cili tani e rregullon tematikën e këtij shërbimi deri në plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për zjarrfikje dhe shpëtim.

Edhe gjate kohës kur komuna e Prishtinës është udhëheq nga partitë tjera zjarrfikësit kanë ngre zërin e tyre kundër parregullsive qe u janë bërë. Vlen të theksohet protesta e vitit 2012 që kulmuan me grevë. Për fat të keq të zjarrfikësve edhe udhëheqja e sotme është duke e vazhduar qasjen ndaj zjarrfikësve po thuajse të ngjashme, duke ikur nga përgjegjësia dhe duke toleruar ketë situatë kaosi në brigadën e zjarrfikësve – Prishtinë.

E rëndësishme është të potencohet se si nga Asambleja Komunale e Prishtinës me datë 27.12.2012 merret vendimi të cilin ne e quajmë si vendim arbitrar, ku objekti nr.2 i dedikuar për shërbimin e zjarrfikësve i jepet në shërbim NPK-së “Hortikultura”, veprim ky i cili paralizon shumë forcën vepruese të këtij shërbimi.

P.S. Në këtë rast e kam përfshirë situatën e zjarrfikësve në Prishtinë, pasi që jam pjesë e saj, por edhe që situata e zjarrfikësve në përgjithësi në Kosovë është tejet e rëndë dhe kaotike fatkeqësisht.

( Autori është kryetar i sindikatës së zjarrfikësve – Prishtinë)

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme