Google ADS

Mustafa: “Borea”, projekt i madh për zhvillimin e Pejës dhe të Kosovës

19:17 | 29 Gusht 2016
M. A.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në Konferencën e Investitorëve për Projektin “Borea”, të organizuar nga kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ministri i Financave, Avdullah Hoti, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, përfaqësues diplomatikë si dhe afaristë të shumtë nga Peja, Kosova dhe më gjerë.

Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa tha se qendra rekreative turistike “Borea” është një projekt i mrekullueshëm, një iniciativë tepër e dobishme e Komunës së Pejës.

“Është një projekt që kapërcen kufijtë e Pejës dhe të regjionit, por që bëhet projekt i gjithë vendit dhe mbarëkombëtar, një projekt i cili mund të jap impulse të mëdha të zhvillimit ekonomik të Pejës dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës. Ky, po ashtu, është një projekt me të cilin ne do të mburremi nesër për bukuritë natyrore që posedon Peja dhe Kosova dhe për ofertën turistike që do ta kenë gjithë ata që do t’i shfrytëzojnë këto bukuri natyrore”, tha kryeministri.

Me këtë rast, kryeministri Mustafa, shprehu besimin e plotë te afaristët vendorë që ata të investojnë në këtë projekt dhe që ata të jenë zotërues dhe bartës të këtij projekti.

“Ju garantoj se Qeveria e Republikës së Kosovës për çdo gjë do të mbetet përgjegjëse që të ju ndihmojë maksimalisht në mënyrë të drejtpërdrejt përmes ministrive përkatëse dhe përmes të gjitha organeve që përkrahin zhvillimin ekonomik”, tha kryeministri.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se kjo ngjarje është rezultat i vizionit dhe kontributit që nga vitet 70-ta të intelektualëve dhe elitës së këtij qyteti të cilët mendonin për zhvillimin dhe për perspektivën e tij.

Kryetari Muhaxheri bëri të ditur se tashmë janë në fazën përfundimtare ku ky projekt del në suaza ndërkombëtare dhe hyn në një garë që në partneritet publiko privat të gjenden investitorët të cilët duke parë leverdinë e investimit, do të investojnë në këtë projekt dhe ky projekt të bëhet realitet.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme