Google ADS

Bulliqi: Më mirë të shtyhet liberalizimi, askush nuk më përjashton nga LDK

18:11 | 23 Gusht 2016
M. A.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Shpejtim Bulliqi deklaroi për Gazetën Express se edhe pse është kundër Kryesisë së Partisë për çështjen e Demarkacionit, do të vazhdojë të jetë gjithmonë pjesë e këtij subjekti. Bulliqi theksoi se askush nuk mund ta përjashtojë atë nga LDK, pse nuk ka qëndrime të njëjta me kryesinë e LDK’së.

Gjithashtu Bulliqi tha se më mirë të shtyhet liberalizimi i vizave për Kosovën, sesa të humbim territor nga marrëveshja kufitare me Malin e Zi.

Ai në një intervistë rikonfirmoi votën kundër Demarkacionit duke mbrojtur qëndrimin e tij se Komisioni Shtetëror nuk ka bërë një punë të plotë në lidhje me marrëveshjen kufitare me Malin e Zi.

Bulliqi pretendoi se faktori ndërkombëtar u fut në çështjen e demarkacionit nga qeverisja e Kosovës dhe njoftoi se Komisioni Ndërkombëtar që u themelua nga ish-Presidentja Atifete jahjaga nuk ishte për hetimin e marrëveshjes, por vetëm për rishikimin e proçedurave.

Protestën e Lëvizjes Vetëvendosje më 1 shtator, deputeti i LDK’së e sheh si një veprim të dëmshëm për proçesin dhe konsideron që në këtë rast VV duhet të ulet për bisedime në institucionet shtetërore.

“Unë mendoj që proçesin duhet me lënë më vazhdu normalisht. Unë besoj që qëllimi i VV duhet të jetë i mirë por nganjëherë është më mirë me mat a po bën më shumë dëm apo dobi.në këtë rast është mirë që VV me u ul në instutucione, me ofru fakte,me i bind deputetët mos me i votu.gazilosjellës, format e dhunës, dalja në rrugë, krijimi i trazirave besoj se nuk shkojnë në dobi të forcimit të shtetit”, tha Bulliqi për Gazetën Express.

Deklaratën e deputetes së VV-së, Albulena Haxhiut se nuk u beson deputetëve të pozitës që janë deklaruar kundër demarkacionit se do të bëjnë pazare me votën, Bulliqi i sheh si të parealizueshme për arsyen se kjo është një çështje madhore.

Gazeta Express: Për punën e Komisionit Shtetëror në lidhje me demarkacionin u themelua edhe një komision ndërkombëtar nga Ish-Presidentja Atifete Jahjaga. A u takuat edhe ju me këtë komision? A mund të na tregoni detaje nga ky takim?

Bulliqi: Kemi patur dy takime me Komisionin Ndërkombëtar,takimin e parë e kemi paturv në zyrën e presidentes, i kemi çuar disa fakte,jo të gjitha,e mbassaj e kemi patur takimin e dytë këtu në fakultet, edhe në takimin e dytë që ka zgjatë rreth 4 orë, 2 orë diskutim e dy orë kemi treguar harta të ndryshme, të gjitha kanë qenë fakt shkencore por përgjigjia e tyre ka qenë e thjeshtë-ne nuk kemi ardhur me ndërru substancën, ne kemi ardhur vetëm për proçedurën, jo me hetu.

Po me strukturat e Bashkimit Evropian (BE) a keni tentuar të kontaktoni në lidhje me këtë çështje?

Bulliqi: Edhe me BE nuk kemi folur se ata nuk kanë shprehur interesim, ne kemi qenë të gatshëm se faktet janë te ne.

Ju kur keni filluar të merreni me këtë çështje?

Ka 1 vit që jam marrë me këtë çështje, dhe arsyeja ka qenë në muajin maj të 2015 u mbajt një seancë e Kuvendit. Atje u aprovua një rezolutë në lidhje me marrëveshjen që e inicioi AAK me partitë opozitare. Aty u hap diskutimi. Edhe pse nuk kishim argumente se nuk ka patur transparence unë bëra një fjalim në atë seancë ë pastaj filluam të marrim informacione e po atë ditë kur u aprovua rezoluta. Sipas kësaj rezolute duhej të mbështetemi në hartat e vitit 1974, atëhere kur ka fituar autonominë kushtetuese Kosova e pastaj të vijë në Kuvend. Por faktikisht asnjë nga këto pika nuk u zbatua. U nënshkrua në Vjenë e pastaj kanë filluar me rrjedhë informatat nga Komisioni Jonë, qeveria Malazeze ka qenë më transparente se qeveria jonë se ka publikuar në websajtin zyrtar proçesverbalin e e komisionit.

Si mendoni, a do kalojë ky projektligj, duke u bazuar edhe nga deklarata e deputetes Albulena Haxhiu tha qe mund të shesin votën deputetët e pozitës që momentalisht janë kundër?

Bulliqi: Ne kemi bërë maksimumin, kemi arrit të realizomim e takimin e 3 gushtit. Ne dëshiromim që deputetët e Kuvendit të Kosovës të kenë njohuri rreth këtij proçesi se ka munguar transparenca. Besoj që e deputetët janë të kënaqur.

Por a mendoni se deputetët e tjerë mund të bëjnë pazare me votën?

Bulliqi: Nuk ma merr mendja se kjo është çështje e ndjeshme. Asnjë votim deri tash që është bërë në Kuvendin e Kosovës, asnjë votim nuk ka qenë më i rëndësishëm se ky, se po cënohet integriteti.

Por dje deputeti Ibishi i LDK-së deklaroi se edhe pse Demarkacioni nuk është në rregull do e votoj, pra edhe vota ka shumë rëndësi?

Ne si deputetë kemi dhënë betim që do punojmë për ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës,prandaj nëse kemi dhënë këtë betim e jemi të bindur se ky integritet po shkelet e jap votën kundër, atëherë diçka nuk është në rregull.

Atëherë ju nuk mendoni ta ndryshon votën?

Bulliqi: Unë do ta ndryshoj mendimin tem vetëm nëse këta arrijnë të më bindin me fakte, që e kanë bërë punën mirë.

Por edhe Komisioni ka fakte që sipas tyre është bërë puna mirë ?

Bulliqi: Realiteti tregon që është gabim

Dakort, t’i kthehemi aktualitetit. Sipas raportimeve në media qeveria nuk e ka numrin e deputetëve për miratimin e Demarkacionit, por Vetëvendosje përsëri ka thirrur protestë. Si e komentoni këtë veprim?

Bulliqi:Unë mendoj që proçesin duhet me lënë më vazhdu normalisht. Unë besoj që qëllimi i VV duhet të jetë i mirë por nganjëherë është më mirë me mat a po bën më shumë dëm apo dobi. Në këtë rast është mirë që VV me u ul në instutucione, me ofru fakte,me i bind deputetët mos me i votu. Gazi lotsjellës, format e dhunës, dalja në rrugë, krijimi i trazirave, besoj se nuk shkojnë në dobi të forcimit të shtetit.

Ju jeni prof. i Gjeografisë por jeni edhe politikan, duke e marrë parasysh edhe faktorin ndërkombëtar si e mendoni në kontekstin e politikanit, Kosovën nëse nuk miratohet Demarkacioni?

Bulliqi: Në momentin që nuk nënshkruhet kjo marrëveshje, politika shteterore Kosovare duhet të marrë hapa të shpejtë që të fillojë kontaktet me qeverinë Malazeze që të futë në rinegocim marrëveshjen. Unë besoj shumë se krejt puna nuk është e keqe e Komisionit Shtetëror, vetëm në disa sektorë Komisioni Shtetëror ka bërë disa gabime e këta sektorë mund të rregulloıjmë për 2 javë.

Por nuk ka më kohë, se mbledhja e radhës e Komisionit të Brendshëm Evropian për miratimin e liberalizimit të Vizave për Kosovën është më 5 shtator? Kjo mund të ndikojë.

Bulliqi: Atëherë kam edhe unë një pyetje, a është më mirë ta shtyjmë liberalizimi ne vizave për 2-3 muaj dhe të mos humbim territorin apo më mirë ta humbim territorin e të fitojmë liberalizimin. Për medimin tem më mirë të mbrojmë territorin edhe në rast se shtyhet liberalizimi i vizave. Shpresoj që edhe Bashkimi Evropian (BE) do ta ketë mirëkuptimin që të mos humbim territor. Politikanët tanë duhet të ulen me zyrtarët e BE’së dhe tju sqarojnë, se nuk jemi ne ata që pengojnë deamrkacionin por të rregullohen lëshimet që janë bërë. Interesi i Kosovës është që ta bëjë demarkacionin me të gjitha shtetet se na forcohet shtetësia jonë. Por kjo punë të bëhet në mënyrë të rregullt.

Ju keni dalë kundër Këshillit Drejtues të LDK-së, ku dhe jeni pjesë. Ky veprim a e vë në rrezik të ardhmen tuaj në LDK? A e shikoni të ardhmen në LDK?

LDK është një parti pluraliste e cila gjithmonë ka parapëlqu e respektu mendimin ndryshe. Skam asnjë arsye të mos jem pjesë e LDK’së e askush nuk mund të ma imponojë të dal nga kjo parti. Strukturat partiake mund të marrin vendim që të më përjashtojnë prej udhëheqjes por nuk më largojnë nga LDK. E ardhmja ime është në LDK se kam punuar që 26 vite. Unë kam punuar edhe atëherë, kur sot dikush është në struktura udhëheqje, nuk ka qenë fare në LDK. Do të mbetem në LDK gjithmonë pavarësisht se si do të shkojnë proçeset. Prandaj nuk jemi e shtet monist që partia të dikton se si të veprosh, në fund të fundit jam deputet i zgjedhur nga populli e do mbroj interesin e qytetarëve edhe para interesit të partisë.

Pra ju jeni i vendosur për JO

Bulliqi: Absolutisht!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme