Prishtina bëhet me bibliotekë të re

18:03 | 23 Gusht 2016
M. A.

Lexuesit në Prishtinë, do të kenë hapësirën prej 5 mijë e 800 metra katrorë për të lexuar, pasi që sot në kryeqytet u bë edhe përurimi i objektit të ri të Bibliotekës “Hivzi Sylejmani”.

Dita e sotme po shihet si ditë e një rëndësie të veçantë, jo vetëm për komunën, por edhe për kulturën në përgjithësi, ngase ngjarje si kjo po janë të rralla.

Biblioteka e re do të mund të sigurojë vend për 250 lexues.

Drejtori i Bibliotekës ‘Hivzi Sylejmani”, Munish Hyseni, në përurimin e objektit të ri, tha se sot po hynë në shtëpinë munguar përmes derës së hapur. Ai më tej është shprehur që bashkërisht përmes dijes dhe kulturës, të krijohet një komunitet edhe më i madh i lexuesve.

 

 “Sot përmes derës së hapur po hyjmë në shtëpinë e munguar…uroj që bashkërisht këtë dhuratë të bekuar ta ruajmë e të përpiqemi çdo ditë në ngritjen edhe rritjen e një komuniteti lexues e me të edhe të misionit tonë për librin, leximin dhe shkrimin si produkt të kulturës njerëzore që rrezatojnë dritë e që nuk guxojmë ta humbim. Nga sot e tutje do të sfidohemi me këtë dhuratë të çmueshme e cila shkon përtej kënaqësisë e emocionalitetit të momentit solemn. Dhe po vjen koha e duhur që të tregojë më shumë përkushtim, dije, e kulturë për të ndërtuar gradualisht një komunitet sa më të madh lexues që këto hapësira të jenë të lira në këtë përditshmëri e jetë të ngutshme e tepër stresuese”, tha Hyseni

Para të pranishmëve veç të p arit të bibliotekës foli edhe i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili tha se në kohët e fundit njerëzit më shumë po i kthehen librit, dhe se asgjë nuk e zëvendëson aromën e fletave të librit.

 

 “Në gjashtë muajt e fundit janë shtuar shitjet e librave, njerëzit po iu kthehen librit nuk e zëvendëson asgjë aromën e fletave të një libri dhe kjo me të vërtetë është një prej qëllimeve të komunës së Prishtinës që ta kthejmë librin…besoj dhe shpresoj që shumë fëmijë sot të bëjnë të njëjtën gjë të marrin libra në bibliotekë, studentët të vijnë të mësojnë tash nuk mund të ankohen që nuk kanë vend për të mësuar, vetëm a duan të mësojnë vendi është kushtet janë. Pra është kënaqësi, unë nuk mund të them më shumë për librin, veç t’i ftojë nxisnit fëmijët, të rinjtë që t’i kthehen librit sa më shumë dhe të kalojën sa më pak kohë në telefona mobil”, tha Ahmeti.

Ahmeti ka treguar arsyen vonesës së përfu ndimit të këtij objekti, ku tha se ka pasur probleme me punëkryesin të cilit i është dashur të ia ndërprenë edhe kontratën.

Ish-drejtori i Bibliotekës, “Hivzi Sylejmani”, Sylejman Pireva, tha se evenimenti i bibliotekës është i rëndësisë së veçantë.

 

“Përurimi i objektit të ri të bibliotekës “Hivzi Sylejmani” është një eveniment i rëndësisë së veçantë për biblotektarinë e Prishtinës si kryeqytet, në veçanti dhe për kulturën tonë në përgjithësi. Ngjarje si kjo duhet të pranohen se po na ndodhin rrallë herë”, është shprehur Pireva.

Ndryshe, drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Besart Vllahija, ka treguar se kjo drejtori e ka paraparë një fond prej 50 mijë euro për sigurimin e titujve të rinj profesional.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme