Ngjarja e 15 shkurtit në Turqi, që u cilësua si puç ushtarak ndaj institucioneve të vendit, ka rritur presionet e udhëheqësve turk ndaj shteteve mike për bllokim të institucioneve arsimore, që janë të lidhura me lëvizjen e liderit opozitar Fetullah Gylen, FETO.
Kjo lëvizje, nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, po konsiderohet fajtore për organizmin e puçit, tashmë të dështuar, në Turqi.
Në Kosovë janë disa institucione arsimore, që thuhet se prejardhjen e kanë nga donacionet e pasanikut turk që jeton në Pensilvania të Amerikës, Fetullah Gylen.
Mediat në Kosovë, po raportojnë se Turqia ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, mbylljen e këtyre shkollave.
Ndërkohë që ministri i Arsimit në Kosovë, Arsim Bajrami, i tha KosovaPress-it se një kërkesë e tillë zyrtarisht nuk ka ardhur ende në zyrën e tij.
“Ne nuk kemi pranuar asnjë kërkese ose rekomandim për mbylljen e këtyre institucioneve të arsimit në Kosovë”, ka thënë për KosovaPress, ministri Bajrami.
“Shkollat private turke janë të licencuara dhe punojnë sipas standardeve për të cilat kanë marrë leje”, ka deklaruar ministri i Arsimit.
Nga ana tjetër, KosovaPress ka kontaktuar edhe Ambasadën e Turqisë në Prishtinë, dhe në pyetjen drejtuar zyrës së ambasadores, përgjigja ka qenë se për këtë temë mund të përgjigjet vetëm ambasadorja e cila për momentin nuk ndodhet në Prishtinë, ka thënë për KosovaPress, asistentja e ambasadores.
KosovaPress merr vesh se shumë prej nxënësve, fëmijë të politikanëve dhe menaxherëve në kompanitë publike të cilët kanë qenë duke kryer shkollimin në Kolegjin “Mehmet Akif” në Prishtinë, kanë tërhequr dokumentet dhe kanë bërë kërkesa për transferime në institucionet tjera private në Kosovë.
American School of Kosova (ASK), e para shkollë private në Prishtinë, thuhet të jetë një ndër institucionet arsimore që ka pranuar një numër të madh të kërkesave të nxënësve të përcjellur nga prindërit e tyre, për transferim në këtë shkollë.
Disa burime të KosovaPress-it kanë treguar se shumë prej personaliteteve me ndikim në Kosovë, të cilët fëmijët e tyre i kanë pasur në shkollim në institucionet turke në vend, i kanë larguar fëmijët e tyre nga këto shkolla. Ndër këta persona thuhet të jenë edhe disa prej udhëheqësve turk më të lartë të kompanive nga Turqia në Kosovë, përfshirë udhëheqësit e KEDS-it dhe të Aeroportit Ndërkombëtarë të Prishtinës, të cilët fëmijët e tyre po i transferojnë në ASK.
Të kontaktuar nga KosovaPress, drejtoria e American School of Kosova nuk kanë pranuar të përgjigjen për listat e nxënësve të tyre, dhe të atyre që janë transferuar së fundit, duke thënë se kjo është çështje e brendshme e institucionit të tyre arsimorë dhe si i tillë mbetet në diskrecion të plotë nga ta.
“Pyesni në ministri apo vetë tek personat që keni marrë informatat. Ne nuk deklarohemi për këto çështje”, janë përgjigjur nga ASK.
Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Sot mbahet ceremonia e 25 vjetorit të themelimit të SHKK-së,...
Mblidhet Qeveria, 30 pika në rend të ditës
Parashikimi i motit për sot
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...