Google ADS

Kosova në Berlin prezanton turizmin dhe ofertat turistike

20:19 | 6 Mars 2015
Arbresh.info

Në panairin “Bursa Ndërkombëtare e Turizmit – ITB 2015”, që po mbahet në Berlin të Gjermanisë, përfaqësuesit e Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), që vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, së bashku me tour operatorë nga Kosova janë duke i promovuar ofertat turistike si dhe mundësit për investime në këtë sektorë.

Gjatë panairit, shtandin e Kosovës e ka vizituar ambasadori i Kosovës në Berlin, Skender Xhakaliu së bashku me stafin e Ambasadës. Ambasadori Xhakaliu ka biseduar me tour-operatorët rreth rëndësisë së pjesëmarrjes së Kosovës në panaire ndërkombëtare, e në veçanti për ITB-në, pasi janë rritur kërkesat për turizëm në Kosovë nga tregu gjerman.

Gjatë tri ditëve të para të këtij panairi, tour-operatorët kosovarë kanë zhvilluar takime të ndryshme dhe janë krijuar kontakte të cilat do ta fusin Kosovën në itineraret e agjencive të mëdha turistike.

Në shtandin e Kosovës së bashku me përfaqësuesit e KIESA-s, ofertat turistike po i promovojnë këta tour-operatorë: “Vas Tours”, “Rugova Experience Trek”, “Hiking Njeri”, “Traveks” dhe “Gears Up Solutions”.

Pjesëmarrja në panairin “ITB 2015” është realizuar nga KIESA në bashkëpunim me USAID/EMPOWER dhe Swiss Contact/PPSE.

Në panair, këtë vit ka më shumë se 10 mijë ekspozues të industrisë turistike nga 180 vende të botës, të cilët prezantojnë në 26 hollet e panairit dhe do të jetë i hapur deri më 8 mars.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme