Disa nuse vishen me shumëllojshmëri të ngjyrave, disa i vizatojnë duart e tyre dhe disa e fshehin fytyrën e tyre pas stolive dhe vellove të ndryshme.
Kjo listë e bërë nga Bored Panda, tregon mënyrat e veshjeve të nuseve në ditën më të lumtur të jetës së tyre.
Në Skoci, burrat tradicionalisht për dasmë vishen me fustanellën e klanit të cilit i përkasin. Pas ceremonisë, nusja vishet me një shall me ngjyra të klanit të bashkëshortit për të simbolizuar që ka kaluar në familjen e tij. Dasmat në regjionin Oas të veri-perëndimit të Transilvanisë, janë të organizuara më së shumti nga prindërit e dhëndrit dhe nuses. Në to, përfshihen rituale të ndryshme të parapërgatitjes së kostumeve dhe ceremonisë. Veshja e nuses rumune, përfshin një fustan të shkurtë ku dominojnë ngjyra e zezë dhe e bardhë. Ndërsa, rreth qafës i kanë disa rruaza të mëdha të shumëngjyrshme.
Dasmat tradicionale në Ghanë, janë të shoqëruara me ngjyra të shumëllojshme. Çdo familje e ka stilin personal me të cilin vishet çifti i cili do të martohet. Në ceremoninë e dasmave tradicionale mongole,nusja dhe dhëndri vishen me një kostum që quhet Deel. Deel, është një formë e rrobave të qepura në mënyrë unike dhe që vishet për shekuj të tërë nga fiset e ndryshme në Azinë Qendrore.
Nuset gorane, në territorin që gjendet ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë janë myslimanë për nga religjioni por traditat e tyre përfshijnë shumë elemente pagane. Nuset veshin një kostum i cili është punë dore, i shoqëruar me shumë rruaza dhe fytyrën e kanë të vizatuar me ngjyrë të bardhë dhe pikla të zeza.
Në Kinë, ngjyra e kuqe konsiderohet se e simbolizon fatin e mbarë dhe i mban larg shpirtrat e lig. Prandaj, edhe veshja tradicionale e martesës është e dominuar nga kjo ngjyrë.
Në kulturën indiane, ngjyra rozë dhe e kuqe janë më të shpeshtat në
veshjet e nusërisë. Gratë e martuara indiane njihen për pikën e kuqe në
ballë.
Për një dasmë tradicionale japoneze, nusja vishet me një kostum të bardhë që quhet kimono dhe shoqërohet me një kapele gjigante, e cila simbolizon pastërtinë dhe nderin e saj. Pas ceremonisë zyrtare, ajo ndërron kostumin në ngjyrë të kuqe, për të simbolizuar fat të mbarë gjatë martesës.
Në Nigeri, ka më shumë se 250 grupe etnike dhe rreth 500 gjuhë që fliten. Prandaj, dasmat atje ndryshojnë duke u varur nga regjioni, feja dhe kombësia. Sidoqoftë, nuset nigeriane më së shumti vishen me ngjyra të shndritshme dhe kanë të lidhur në kokë një lloj shamie të quajtur Gele.
Në Norvegji, kostumi tradicional i dasmës quhet Bunad. Ai mund të vishet edhe për raste tjera si festat krishtere.