Bajrami: Shkollat e lëvizjes së Gulen nuk do të mbyllen

21:10 | 22 Korrik 2016
Arbresh.info

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, është shprehur se deklarimet e qeverisë turke për mbylljen e shkollave të administruara nga Lëvizja ‘Gylen’ në mesin e të cilave ka edhe në Kosovë, janë të papranueshme.

Duke folur për herë të parë ekskluzivisht për RTK-në në lidhje me këtë çështje, ministri Bajrami tha se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe se të gjitha institucionet arsimore në vend funksionojnë në bazë të ligjit mbi arsimin në Kosovë.

Ministri Bajrami shtoi se Kosova nuk udhëhiqet nga deklaratat politike të një shteti tjetër dhe se do të jetë këmbëngulës që të respektohen ligjet e Kosovës, duke ruajtur njëkohësisht edhe raportet e mira me Turqinë.

Pas veprimeve të fundit të Qeverisë turke lidhur me mbylljen e shkollave të Gylenit edhe në shtetet fqinje, ka reaguar edhe Qendra Arsimore ‘Gulistan’, e cila brenda saj ka kolegjet “Mehmet Akif” dhe shkollën “Internacionale të Prishtinës”. Drejtori i përgjithshëm Mustafa Erdem, tha për RTK-në se këto institucione arsimore në Kosovë janë themeluar me lejen e institucioneve përkatëse të Kosovës dhe u përgjigjen vetëm atyre.

“Si çdo institucion tjetër në Kosovë, edhe ne e zbatojmë me përpikëri legjislacionin përkatës në fuqi në ushtrimin e aktivitetit tonë edukativo-arsimor. Synimi ynë është dhënia e kontributit në fushën e arsimimit dhe përgatitjen e brezave të rinj për një të ardhme sa më të mirë, duke përdorur të gjitha kapacitetet dhe përvojën tonë në fushën e edukimit. I gjithë aktiviteti ynë është i gërshetuar rreth jetësimit dhe respektit ndaj vlerave demokratike, të drejtave të njeriut, shtetit të së drejtës dhe ligjit si dhe bashkëjetesës në paqe. Këto vlera të përbashkëta janë njëkohësisht dhe frymëzimi i mësuesve dhe nxënësve tanë. Demokracia dhe vlerat e lartpërmendura besojmë se janë njëkohësisht dhe shtyllat kryesore të një shoqërie evropiane dhe të zhvilluar”.

Drejtori i Qendrës Arsimore ‘Gulistan’, theksoi se si institucion arsimor i Kosovës, nuk janë palë e diskutimeve politike të cilat nuk kanë të bëjnë me arsimin.

RTK ka kontaktuar edhe drejtues të institucioneve të tjera arsimore në vend për të cilat pretendohet se vijnë nga Turqia, por ata thanë se nuk e shohin veten pjesë të deklaratave politike.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme