Shqiptarët nuk mund të qëndrojnë të heshtur

17:12 | 22 Korrik 2016
M. A.

Shkruan: Selami Shkodra

Që nga nata e gjatë dhe dinamike e 15 korrikut kemi patur rastin të ndëgjojmë  e të lexojmë mendime, pikëpamje, analiza, qëndrime,opinione  e deri në debate të ashpra me shprehje raciste e me fjalor i cili nxit  urrejtje e përçarje jo veç  ndaj  palëve në konflikt në Turqi po edhe në vetë shoqërinë  Kosovare.  Gjuha helmuese e atyre që  debatuan për çështjen e grusht-shtetit në Turqi  ishte e përmasave të asaj që njëra tjetrës palë i thonin se duhet zhvendosur për të jetuar në vende tjera, e rëndë e panevojshme! I gjithë debate  u ndez nga një grup i gazetarëve të mediave të ndryshme në Kosovë natën e 15 Korrikut ku shumë nga ta filluan që të mbanin anë në  momentet e para të fillimit të asaj katrahure e cila po e përfshinte shtetin aleat Turqinë,  disa  filluan edhe me komente dhe qëndrime nga më banalet duke sharë dhe fyer presidentin Erdogan dhe duke i dhënë mbështetje një tentative të “grusht-shtetit” nga një grup i vogel i ushtrisë Turke e që në atë kohë nuk dihej kush qëndronte prapa këtij grusht- shteti! Mirëpo shpejt u tha  se janë idhtarë besnik  të lëvizes së klerikut Fetullah Gylenit  dikur ish aleat i presidentit Erdogan, e që po flitej se ka pas raste ku janë paguar gazeta të ndryshme në funksion të propagandës së ” grusht-shtetit”.

Përpjekja për “grusht- shtet”, e udhëhequr nga gjeneral  Akin Ozturk, një ish-komandant i forcave ajrore, i cili  synonte të vetëshpallej shefi  i  ri i shtabit. Arsyet  e këtij synimi mund të kenë qenë edhe fraksioniste  me qëllim të kapjes së  pozitës  më të lartë ku do ta bënte më të lehtë  edhe  një “grusht- shtet” si ky i tanishmi që mbeti në tentativë . Me të janë gjenerali  Metin Iyidil, përgjegjës për trajnimin e forcave tokësore në Ankara, komandanti i armatës së tretë dhe gjenerali Adem Huduti, përgjegjës për Korpusin e dytë, nga i cili varen komplet ofensivat tokësore të ndonjë beteje të mundshme në mes Turqisë dhe ndonjë grupi terrorist siç është PKK  apo edhe ISS , mirëpo, organizatorët e “grusht-shtetit”, nuk arritën të fusin në dorë pozitën e synuar nga  gjenerali Akin Ozturk pozitë kjo e shefit të shtabit, ndërsa mungesa e  mbështetjes nga ana  e shefit të shtabit, Hulusi Akar, zëvendësit të tij, gjeneralit Yasar Guler dhe komandantëve të forcave ajrore të ushtrisë, marinës dhe xhandarmërisë, të gjithë këta besnik të rendit kushtetues dhe po ashtu besnik ndaj qeverisë , bëri që grushti i shtetit të mos ishte  i suksesshëm  pasi që edhe revolta qytetare e cila shpërtheu me  të marrë vesh veprimet  e ushtarakëve dhe pas thirrjes së bërë nga presidenti  Erdogan bëri që të dështoj tentativa mirë e organizuar nga element  mbrenda dhe jashtë Turqisë.  Kam lexuar  që  ajo që e bëri  edhe më pak efikas rebelimin, është mungesa e një komande të unifikuar, si dhe mungesa e mbështetjes brenda forcave tokësore. Pikërisht për këtë arsye, komplotistët vendosin të shfrytëzojnë momentin kur Erdogani ndodhet për pushime në Grand Yazici Club Turban, një hotel në periferi të Marmarisit, në Detin Egje. Pak para orës 21:00 të së premtes – derisa  një grup puçistësh marrin peng shefin e shtabit Akared, dhe zëvendësin e tij Guler, duke i mbyllur në një bazë ajrore në afërsi të Ankarasë – 40 pjesëtarë nga radhët e forcave speciale dërgohen në Marmarisi, në bordin e tre helikopterëve, me urdhrin për të kapur, ose vrarë presidentin, mirëpo falë shkathësisë së treguar dhe fale teknologjisë së avancuar e të shfrytëzuar me mjaft shpejtësi nga presidenti Erdogan fillon edhe dështimi i planit për “Grusht-Shtet”.

“Shqetësim” lidhur me arrestimet dhe dhunën e ushtruar në procedurë

Në mediat vendore turke dhe ato ndërkombëtare jan shfaqur imazhe të ndryshme të  personave të arrestuar ku shumë nga to kanë sjellur edhe reagime të ndryshme si nga qeveritë po ashtu edhe nga organizmat ndërkombëtarë mirëpo ditëve të fundit ka pasur edhe lajme të cilat kanë demantuar lajmet dhe imazhet të cilat I janë prezantuar opinionit vendor dhe ndërkombëtarë se gjoja janë imazhe të ngjarjeve në Turqi e në fakt kanë rezultuar që s’kanë pasur të bëjnë asgjë me të vërtetën e  trajtimit të të arrestuarve! mirëpo ka pasur edhe të atilla të cilat jan dalur si të vërteta.

Shqetësim  lidhur me arrestimet dhe shkarkimet e mijëra njerëzve në Turqi, të cilët janë të dyshuar për përfshirje  në përpjekjen e dështuar  për puç . Shqetësimet për mënyrën e trajtimit të të arrestuarve qeveria e Ankarasë duhet ti marrë me shumë seriozitet e veçanërisht reagimet të cilat i bëjnë apel qeverisë turke që të mos lejoj që  edhe përkundër “hetimeve  lidhur me autorët e puçit… të mos ketë  shkelje të drejtave të njeriut dhe të mos ketë metoda  të cilat mund që të  bëjnë që  strukturat e sigurisë  të  rrëshqasin në situatë kur të arrestuarit të  torturohen.  Mos lejimi i kësaj bën që opinioni vendor dhe ndërkombëtar ta riforcon besimin publik në institucione demokratike dhe sundim të ligjit” si dhe respektim  të  të drejtave të  njeriut dhe sundimi i ligjit qeverisë turke pavarësisht  situatës në të cilën ka kaluar dhe po kalon, asesi nuk duhet të lejoj që të vëhet në dyshim shteti i së drejtës, sepse vetëm kjo e bënë legjitime vazhdimin e një qeverie të tillë pas situatës së krijuar pavarësisht  mbështetjës popullore në rast të lejimit të cenimit të shtetit ligjor dhe të së drejtës çdo qeveri do ta humbte legjitimitetin përkundër legalitetit të cilën  e ka nga zgjedhjet  e kaluara dhe të rikonfirmuar me mbështetjen masovike në parandalimin e më të keqës në natën e 15 korrikut. Deri më tash nuk ka pasur organizata ndërkombëtare që kan konstatuar shkelje të drejtave të njeriut edhe pse kanë mund të ndodhin.

Lëvizja Gylen(Hizmet) dhe ftohja me Erdoganin

Hizmeti  është lëvizje që i jep një theks të veçantë vullnetarizmit dhe edukimit përmes rrjetit të madh të instituteve arsimore të themeluara jo vetëm në Turqi por në shumë vende duke përfshirë  edhe  Kosovën dhe Shqipërinë.  Angazhimi kësaj lëvizje në dekada me radhë ka qenë që në Turqi duhet të vij në pushtet dhe të qeverisë një parti konzervatore me orientim islamik.  Ndihmesa e lëvizjes “Hyzmet” për ardhjen në pushtet në vitin 20002 të AKP-së është evidente, mirëpo zëra të ndryshëm flasin se me ardhjen në pushtet të AKP-së konsiderohej se është arrit synimi i kësaj lëvizje dhe rrjedhimisht do duhej pushuar aktivitetin apo do duhej shkri në kuadër të AKP-së.

Ftohja e bashkëpunimit mes Erdoganit dhe Hizmetit mendohet se nisi pas incidentit në detin Mesdhe ku ushtria Izraelite gjatë një sulmi në anijen e ndihmave “Mavi Marmara” vrau shtatë shtetas turq dhe një amerikan. Gylen e kritikoi iniciativën humanitare që synonte thyerjen e bllokadës në Rripin e Gazës, duke e cilësuar si një provokim ndaj shtetit të Izraelit. Kjo qasje ishte në disakordance me qëndrimin e Erdoganit, i cili prej kohësh i përfshirë në mbështetje të kauzës së palestinezëve në Gaza, i cili e konsideroi sulmin si “gabim historik”  dhe provokim të hapur ndaj Turqisë dhe me pasoja të rënda për marrëdhëniet e dy vendeve. Por nuk është vetëm politika e jashtme fusha ku ndahen dy ish aleatët: një rivalitet në sferat e pushtetit ka kohë që ka marrë formë kur njihet ndikimi gjithnjë në rritje që ka Hizmeti në aparatin e gjerë shtetëror.

Rrjeti i madh i shkollave  i kësaj lëvizje të cilat kan indoktrinuar  breza e breza me dhjetëra e mirjëra të cilat kanë kaluar nëpër këto shkolla morri përmasat e një shteti paralel të cilët në verën e vitit 2012 filluan edhe  celulat e para të një “puçi” dhe pikërisht në këtë sferë ndodhi edhe përplasja publike mes ish aleatëve;  AKP vendosi ta këpusë këtë lidhje, duke ndjerë përherë e më tepër në kurriz peshën e një aleati që me zgjerimin e ndikimit të tij bëhej më i rëndë në sfidat dhe objektivat e ardhshëm politikë. Në verën e këtij viti shpërthyen polemikat në opinionin publik mes ish-aleatëve rreth projektligjit që parashikonte mbylljen e istituteve përgatitore parauniversitare, një pjesë e konsiderueshme e të cilave janë nën kontrollin e Hizmetit , Ndërkohë, nëse kësaj here Erdogan do të korrë sukses, duke e stabilizuar vendin dhe duke mos lejuar që të ketë hakmarrje në kundërshtim me ligjin, lëvizja Hizmet dhe modeli i saj i aplikuar i Islamit do të pësojë rënie për t’u futur në  analet e historisë si një lëvizje puçiste dhe qëllimkeqe.

Reformat Ekonomike dhe roli i presidentëve Ozal &Erdogan

Presidenti i ndjerë Turgut Ozal, njëri nga personalitetet më të spikatura politike në historinë  më të re të Turiqsë pas Ataturkut, la gjurmë  të rëndësishme gjatë vieteve 80 dhe fillim viteve  90 të shekullit XX. Lëvizjet e e tij radikale , të guximshme dhe largëpamëse ndikuan  në ndryshimet, si në politikën e brenda vendit,  sidomos  në politikën ekonomike, ashtu edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të Turqisë.        Në  marrëdhëniet ndërkombëtare Ozal-I ndërmori disa iniciativa të rëndësishme, midis të cilave, nga fundi i tetëdhjetave u dallua e ashtuquajtura iniciativa e Detit të Zi (BSEC.Ozal i popozoi afrimin e të gjitha vendeve të regjionit  të Detit të Zi për zgjerimin e themelimin  e marrëdhënieve ekonomike, zhvillimin e projekteve të përbashkëta shkencore e teknike, kontrollimin  e ndotjeve, zhvillimin e turizmit dhe  përvojës kulturore).  Transformimi dhe zhvillimi I hovshëm  ekonomik i Turqisë pa dyshim se i ka rrënjët në reformat e ndërmarra nga ish presidenti  OZAL  mirëpo presidenti  Erdogan, si një lider tipik karizmatik, shumë prej sukseseve ekonomike dhe politike të Turqisë  janë të pandashme nga personaliteti   i tij. Pas reformave Kushtetuese , dhe iniciatiava të ndërmarra në rrafshin ekonomik të cilat kanë bërë që Turqia të ketë rritje të hovshme ekonomike nga ardhja në pushtet e AKP.  Është i pranishëm kudo në Ballkanin Perëndimor një imazh pozitiv  i Turqisë, duke përfshirë Bosnjën e Hercegovinën . Bazuar në monitorimin e vitit 2010 në shtetin e Gallupit për Ballkanin, vetën 40 % e popullsisë së këtij shteti e konsideron Turqinë si një “vend miqësor”. Kjo shifër korrespondon pak a shumë me numrin e boshnjakëve ( në krahasim shifrat që korrespondojnë në shtetet tjera janë  si në: Serbi 15 %,  Kroaci 24 %, Shqipëri 73 % , Kosovë 85 %, Republika e Maqedonisë 80 %.  Ndërsa është koha e gjatë e AKP-së në pushtet, që natyrshëm sjell konsumimin e cilësdo force politike që qeveris më tepër se një dekadë  kritikët kanë sulmuar pikërisht  presidentin Erdogan për jetëgjatësinë e tij në pushtet duke pretenduar se jan rritur tendecat autoritare.

Për kritikët aktiv të  Turqisë në Ballkan

Për kritikët aktiv turk në Ballkanin Perëndimor, mospajtimet më evidente në politikën e Ankarasë janë mbështetja për shkëputjen (ndarjen) e shqiptarëve të Kosovës. Në të vërtetë Ankara ka qenë një promotor i fuqishëm ( dhe një pjesëmarrës entuziast i bombardimeve të NATO-s në Serbi në vitin 1999) pavarësisht se ishin të goditur nga një problem i ngjashëm i shkëputjes me minoritetin e saj kurd. Ballkani ka qenë në një pozitë që ndikohej më shumë nga ekuilibret globale sesa nga ato zonale. Një nga rezultatet më të rëndësishme të periudhës pas Luftës së Ftohtë, se dinamikat e brendshme  të zonës dhe struktura e saj e komplikuar etniko-fetare hyn në veprim në atë mënyrë  që ndikon drejtpërdrejt mbi politikat zonale.  Kjo situatë krijoi një fushë të re ndikueshmërie midis strategjive globale të fuqive të mëdha  dhe politikave të përmasave zonale -fuqive zonale.  Me copëtimin e Jugosllavisë e cila gjatë periudhës së Luftës së Ftoftë, veçanërisht në periudhën  e Titos , tregonte kujdes për të mbetur jashtë fushës së ndikimit  të BRSS-së dhe në këtë kuptim ishte bërë një element  origjinal ekuilibri, për sa u përket politikave globale dhe zonale, ndërsa Serbia u orientua  për politikë me bosht Rusinë. Bullgaria dhe Rumania që vepronin si satelit të zonës për BRSS-në, iu hynë përpjekjeve për të formuar një politikë  më të pavarur. Gjatë Luftës së Ftohtë ,Greqia e cila u përpoq  të ndiqte politika ekuilibruese  me Jugosllavinë  meqë merrte pjesë në Bllokun e perëndimit , pas Luftës së Ftohtë u afrua me Serbinë dhe u përpoq  të zhvillonte me këtë vend  politika mbështetur në  kontrollin përbashkët të Shqipërisë dhe Maqedonisë. Sllovenia dhe Kroacia  që u shkëputën nga Jugosllavia , duke u larguar nga qenie si vende Ballkanike hyjnë në rrugën për t’u bërë vende  të Evropës së mesme  dhe Adriatikut që u afroheshin Italisë dhe Gjermanisë dhe në këtë kuptim  u orientuan  për një pozitë  të ngjashme më Austrinë dhe Hungarinë.Me avantazhin që i sillte Danubi, Rumania filloi të zhvilloj një politikë jo më shumë ballkanase drejtuar nga jugu, se sa të tillë që t’i  japë përparësi rolit-urë midis Evropës se mesme dhe Detit të Zi. Në marrëdhëniet aleate të natyrshme mund të përmendet aleanca mes Serbisë dhe Greqisë të cilët kishin mirëkuptim në masë të madhe në politikat e tyre veçanërisht  për Maqedoninë dhe Shqipërinë, si dhe aleanca mes Bosnjës, Shqipërisë, dhe Turqisë nga të cilat Bosnja dhe Shqipëria , me një instikt historik e shihnin fatin e vet të lidhur me Turqinë në zonë dhe që kishin marrëdhënie mospajtimi edhe me Serbinë, edhe me Greqinë.  Vetë termi ekuilibër shpreh  kryesisht një gjendje të caktuar të marrdhënieve  ndërkombëtare  kjo mund të jetë ose rezultat i veprimit të rastësishëm të protagonistve të shumtë , ose mund të lindë si pjesë e zbatimit të një vije politike të vetëdishme të shteteve të ndryshme. Në këtë kuptim, kur ekziston dëshira  e synuar  e një pjese të shteteve që në bashkësinë ndërkombëtare  të realizojnë një gjendje të marrëdhënieve të baraspeshuara-ekuilibruara në fushën ushtarake ose politike, atëherë mund të flasim për baraspeshimin e forcave, si motiv i veprimit të shteteve Brenda ekuilibreve zonale të Ballkanit, zona e dytë ku reflektohen  kontradiktat mes linajve kritike gjeopolitike dhe brezave gjeokulturore , është zona që  ndodhet brenda boshtit Morava-Vardar dhe që formon  brezin gjeokulturor ku ballafaqohen elementët Serbo-shqiptaro-maqedon. Në këtë mes Turqia për shtete shqiptare në rajon luan rol të rëndësishem në balancimin e ekuilibrave mbrenda zonal, Në kuadrin e rajonit të Ballkanit, rishpërndarja e fuqisë dhe aleanca e shqiptarëve me Turqinë  favorizon shqiptarët, një proces që partneriteti me Turqinë veçse e përshpejton fuqizimin e faktorit shqiptar në rajon. Dy vendet dhe popujt kanë shumë gjëra  të përbashkëta historike duke u nisur nga aspekteve të ngjashme identitare, disa tipareve të ngjashme kulturore, kontributi i shqiptarëve në ndërtimin e Perandorisë Osmane dhe të Turqisë moderne. Andaj çdo destabilizim I Turqisë  është edhe dobësim i faktorit shqiptar në rajon.

Shqiptarët nuk mund të qëndrojnë të heshtur

Shqiptarët nuk mund të qëndrojnë të heshtur përballë  zhvillimeve që ndodhin në  Turqi duke pas parasysh rolin tejet të madh në rajon të shtetit  Turk . Më vie keq për paudhësinë e  e mos njohjes së  gjeopolitikës  nga një pjesë e madhe e atyre që vërtetë këto ditë e kanë lëshuar nivelin e debatit në fyrje e sharje e deri në kualifikime dhe epitet nga më të ndryshmet për qeverinë legjitime të shtetit aleat Turqisë. Gjithashtu, detyra e  qeverisë turke është të ushtrojë autoritetin publik duke treguar kufinjtë etik të trajtimit të rasteve  të të arrestuarve,  ka tagrin, autoritetin  që të mos  e lejon një hakmarrje,  ndërsa   është detyrë e publicistve dhe mediave në vendin tonë  për të informuar drejtë opinion dhe me anë të këtij informimi të ndihmoj në  emancipimin e publikut në raport me debatet  e rreth “grusht- Shtetit” të 15 korrikut.  Debatet duhet të ruajnë cilësinë, ashtu edhe nga ana e atyre që i kritikojnë ata edhe nga ana e atyre që i mbështesin.  Në këtë mënyrë  do të kishin arritur të ndihmojnë në maturimin e diskursit publik mbi këto tema, duke shmangur polarizimet dhe konfliktualitetin, si dhe duke ndihmuar që shumë njerëz të xhvishen nga paragjykimet e krijuara për Turqinë. Media në Kosovë   edhe këtë herë nuk e bëri detyrën e saj, edhe këtë herë, skena e debatit vijoi të mbetet bosh, e shfrytëzuar nga militantë e aventurierë të rastit, që keqpërdorin mediumet duke ofruar qasje të dëmshme për shoqërinë, të cilat mund të cënojnë seriozisht aleancat e vendit me shtetet të rëndësisë së veçant për shtete shqiptare në Ballkan.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme