Për një indeks në UP konkurrojnë 17 mijë të rinj

14:44 | 19 Korrik 2016
Arbresh.info

Rreth 17 mijë veta kanë aplikuar nëpër fakultete të ndryshme të Universitetit të Prishtinës ”Hasan Prishtina” për një indeks.

Numër i madh i nxënësve që përfunduan shkollën e mesme duan të jenë pjesë e Universitetit të Prishtinës ”Hasan Prishtina”.  Valmira Morina, nga Prizreni, njëra nga ata që nuk është pranuar në Departamentin e Psikologjisë, konsideron se pikët e kërkuara në provim i ka kaluar. Megjithatë ajo thotë se nuk është në listën e të pranuarve duke shtuar se po presin shqyrtimin e ankesave.

”Jo nuk jam pranuar, edhe pse kriteri i testit ka qenë 40 për qind, unë i kam bërë 50 për qind që është e drejtë të pranohem. Nuk e di, ndoshta është plotësuar numri. Dje dhe sot ka qenë afati me të paraqiten ankesat, nesër është shqyrtimi”, ka thënë ajo.

Argjend Imeraj nga Skenderaj, i cili nuk e ka kaluar provimin pranues për shumë pak pikë, tha se ka bërë ankesë duke shpresuar se pas shqyrtimit do të jetë pjesë e Departamentit të Shkencave Politike.

”Jo për 0.15 për qind. Tash po e bëj një ankesë, ndoshta rishikohet edhe një herë testi dhe mund të bëhem pjesë e këtij departamenti, Shkenca Politike”, tha ai.

Ndryshe nga ta, Jehona Dragusha nga fshati Prugovc, e cila tek po shikonte listat në Fakultetin Filologjik, Dega Gjuhë Gjermane, u gëzua shumë që emri i saj ishte ndër ata që kaluan provimin pranues. Ajo na tha se gjuhën gjermane e ka mësuar nga televizori duke u shprehur mjaft e lumtur që iu dha mundësia të studiojë atë.

”Unë e kam mësuar gjuhën gjermane prej televizorit. Kam aplikuar këtu se më pëlqen gjuha gjermane, edhe kam pasur shumë qejf të bëhem përkthyese. Po me vjen shumë mirë që jam pranuar”, thotë ajo.

Se numri i atyre që duan të jenë pjesë e Universitetit të Prishtinës, Hasan Prishtina, është mjaft i madh, e konfirmon për Radio Kosovën edhe pro rektori për bashkëpunim ndërkombëtar, Afrim Hoti. Hoti konsideron se ky universitet vazhdon të mbetet universitet elitar në Kosovë. Ai shtoi se komisionet janë ballafaquar me vështirësi për të përzgjedhur kandidatët më të mirë duke shtuar se rezultati përfundimtar do të publikohet më 22 korrik.

”Ne do të jemi konsekuentë, do të qëndrojmë konsekuentë deri në fund të procesit për të marrë kandidatët më të mirë ose më meritor. Normalisht komisionet kanë pasur vështirësi…”, ka thënë Hoti.

Ndryshe i gjithë procesi i afatit të parë për regjistrim në të gjitha fakultetet e Universitetit të Prishtinës, Hasan Prishtina, do të përmbyllet më 27 korrik. Ky universitet në tërësi do të ketë vend për 8 mijë e 9 qind brucoshë.

Afati i dytë do të fillojë në fund të muajit gusht, në të gjitha ato fakultete që kanë mbetur vende të lira.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme