Përgatitjet për provimin shtetëror të maturës janë në fazën finale, ndërsa ende nuk dihet nëse ky provim do të organizohet sipas ligjit në fuqi apo me ligjin e ri, i cili pritet të miratohet në Kuvend.
Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, thonë për Radio Kosovën, se nëse nuk miratohet ligji i ri deri në fund të muajit maj, atëherë edhe këtë vit maturantët do të kenë pragun e kalueshmërisë me 50 për qind. Ndërsa me ligjin e ri, nuk parashihet pragu por vetëm rezultati i arritshmërisë.
Pritet që sivjet t’i nënshtrohen provimit shtetëror të maturës rreth 32 mijë maturantë. Ndërkohë, është parashikuar që me ligjin e ri, të kalojnë testin të gjithë maturantët dhe të poentohen vetëm nga pikët e rezultateve që arrijnë.
Kryetari i Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës, Azem Guri, tha për Radio Kosovën, se pritet që ky ligj të miratohet deri në fund të muajit maj, por nëse nuk miratohet, ai bëri të ditur se ky provim do të organizohet sipas ligjit në fuqi.
“Nëse nuk kalon ky ligj, Komisioni është duke punuar sipas ligjit i cili është në fuqi. Ende nuk është definuar a do të jetë më prag të kalueshmërisë, apo me arritshmëri. Ne jemi duke bërë përgatitjet, sidoqoftë dëshirojmë që ligji të hyjë në fuqi, në mënyrë që kjo gjeneratë të hyjë më ligjin e ri, por nëse nuk hyn në fuqi mbetet me ligjin aktual që e kemi në fuqi”.
Ndërkohë, sa i përket përgatitjeve të testeve, Guri tha se nuk do të ketë ndryshime. Ai bëri të ditur se Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës, ka marrë vendim që provimi shtetëror të mbahet nëpër klasë e jo në salla të hapura, ku numri maksimal i nxënësve në klasë do të jetë deri në 15. Gjithashtu, lidhur me administrimin e provimit, Guri bëri të ditur se është përgatitur një plan të veprimit.
“Është e paraparë edhe me ligj, administruesit i zgjedh DKA për një komunë tjetër dhe në këtë rast do të parashtrojmë disa kritere. Ne do të bëjmë kontratë individuale me çdo mësimdhënës, ku parashihen përgjegjësitë, detyrat dhe sanksionet, që do të thotë se, nëse një mësimdhënës nuk i përmbush përgjegjësitë, mund të sanksionohet”, tha ai.
Provimi shtetëror i maturës për këtë vit shkollor do të mbahet afati i parë më 6 dhe 20 qershor, ndërsa afati i dytë më 29 gusht dhe 5 shtator.
Kurti mori pjesë në përurimin e Bibliotekës së re në Komunën...
Ronaldo vazhdon të thyejë rekorde
Sveçla: Lufta ndaj krimit të organizuar nuk ka alternativë, ...
AVONET kërkon nga Komuna e Prishtinës anulimin e aktivitetit...
Osmani uron Republikën e Surinamit me rastin e Ditës së Pava...
Drita po bën “dritë” këtë sezon në elitën e futbollit kosova...