Google ADS

Filloi fushata e korrje-shirjeve të grurit në Mitrovicë

12:49 | 16 Korrik 2016
Arbresh.info

Ka filluar fushata e korrje shirjeve, apo grumbullimi i grurit në komunën e Mitrovicës.Fillimin e korrjes së grurit po e vlerësojnë si të suksesshëm vetë bujqit e kësaj ane, megjithatë, edhe ata kanë ankesat e tyre, sidomos për çmimet e ulëta që u duhet të ofrojnë në shitje.

Bujku Shkelzen Pllana, tha se rendimenti i grurit sivjet është i mirë dhe gjithçka është duke shkuar në rregull.
“Korrjet mirë po shkojnë, për momentin gjithçka është duke shkuar në rregull, koha është e mirë…Tre hektarë i kemi me grurë ndërsa me patate shtatë hektarë… Rendimenti i grurit sivjet është në përgjithësi i mirë…Vjet ka qenë çmimi deri 19 centë i grurit, tash po e deponojmë nëpër magazine me 14 centë. Kjo është katastrofë për ne bujqit, sepse ne veç po punojmë dhe fitimi nuk është kërkund hiq, nuk paguhen as harxhimet tona”, ka thënë Pllana.

Edhe kushëriri i tij Rexhep Pllana, u shpreh se nuk është i kënaqur me çmimin e grurit sivjet. Ai tha se ka marrë me qira 20 hektarë tokë për ta punuar, mirëpo nëse ky çmim vazhdon kështu, atëherë duhet ta ndërpresë punën.

“Fort mirë është, deri në 8 tonë po sillet hektari… I kam 20 hektarë dhe mirë është nuk është keq… Deri në 2 tonë është më mirë sivjet, sepse vjet s’ka pasur të rreshura fare, ndërsa sivjet është më mirë shumë…Çmimi është badihava 14.5 centë…S’jemi të kënaqur me çmimin, qiranë e kemi 500 euro s’kemi fitim asgjë. Sivjet e kemi mbjellur vitin tjetër duhet me ndal krejt. Llogarite tash 14 centë e gjysmë, qerranë s’e kemi paguar, dhe s’del asgjë hiq”, tha mes tjerash ai.

Në anën tjetër, drejtori i Drejtorisë për Bujqësi në komunën e Mitrovicës, Nasuf Aliu, i tha KosovaPress-it se komuna konform përgjegjësive që ka në raport me procesin e korrje shirjeve, ka themeluar komisionin që verifikon dhe monitoron punën e korrje shirjeve.

Përgjithësisht, ai tha se punët po shkojnë mirë dhe nuk ka ndonjë ankesë, ndërsa, brenda dy tre ditësh pritet që rreth 50 për qind e sipërfaqes totale të planifikuar për kulturën e grurit, të realizohet.
“Vlerësohet diku 35 për qind të sipërfaqes totale të planifikuar janë realizuar për kulturën e grurit… Ditët e fundit intenziteti i punës është shtuar dhe presim që deri në përfundim të vikendit të përfundojë rreth 50 për qind e planifikimit. Në bazë të vlerësimeve fillestare është një rendiment i kënaqshëm, konsiderohet mbi 30 për qind rendiment më i mirë sesa vitin e kaluar. Kjo na gëzon neve, por edhe të gjithë fermerët…Për këtë vit kemi subvencionuar 93 fermerë me një shumë prej 12 mijë eurosh, përkatësisht me nga 200 kilogramë farë dhe 90 kilogramë ???. Po ashtu planifikojmë që në vjeshtën e këtij viti prapë ta rrisim këtë shumë”, theksoi Aliu.

Ndryshe, korrje-shirjet kanë filluar edhe nëpër komunat e tjera të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme